Basha kujton 73-vjetorin e Kryengritjes së Postribës: Pasardhësit e xhelatëve po...

Basha kujton 73-vjetorin e Kryengritjes së Postribës: Pasardhësit e xhelatëve po tentojnë ta kthejnë sërish në kulturë zyrtare

420
0

 

 

Kreu i PD, Lulizm Basha kujton sot 73-vjetorin e Kryengritjes së Postribës, 9 shtatorin e 1946.

Ai sjell në vëmendje bilancin e asaj masakre,teksa thekson se pasardhësit e xhelatëve po tentojnë ta kthejnë sërish në kulturë zyrtare përkujtimin e masakrave shtetëror.

‘Pasardhësit e xhelatëve po tentojnë ta kthejnë sërish në kulturë zyrtare përkujtimin e masakrave shtetërore dhe po synojnë të nxjerrin nga diskursi publik përkujtimin e qëndresës ndaj diktaturës dhe të heronjve që ranë në përpjekje për liri e dinjitet, shkruan Basha.

Mesazhi i plotë:

Në 73-vjetorin e Kryengritjes madhështore të Postribës, 9 shtatorin e 1946-s, çdo shqiptar patriot përkulet me nderim para qindra burrave, intelektualëve, malësorë e klerikë të të gjitha besimeve, që frymëzuan e u ngritën në të parën kryengritje antikomuniste në Europë. Kryengritja tronditi nga themelet regjimin gjakatar që si vegël e verbër e dhunës staliniste ishte vënë në gjueti të të gjithë patriotëve në të gjithë Shqipërinë, të cilët e donin vendin e tyre, të lirë e të pavarur nga pushtues ashtu si etërit themelues e kishin shpallur me 28 nëntor të 1912-s.

Në raportet e pushtetit antishqiptar, që ruhen sot në arkiva, vërehet tmerri që kishte ngërthyer kupolën e regjimit, e cila shihte fare mirë se Kryengritja e Postribës mund të shndërrohej në fillimin e një lëvizjeje për t’u çliruar nga klika diktatoriale që kishte uzurpuar pushtetin. Regjimi vërente me shqetësim se Kryengritja e Postribës mund të sillte jo vetëm ndërhyrjen e aleatëve tradicionalë të shqiptarëve, por mund të shndërrohej në një shembull për të gjitha vendet e rëna nën thundrën e diktaturës komuniste.

Këtij rreziku ndërkombëtar që paraqiste Kryengritja e Postribës, regjimi ju përgjigj me metodën e vetme që njihte, dhunën masive, vrasjet e pushkatimet pa gjyq. Në raportimet zyrtare të Sigurimit të Shtetit dëshmohet gjuetia e shëmtuar që strukturat e Sigurimit kryen ndaj popullsisë, jo vetëm në Postribë, por edhe në Shkodër, në Malësinë e Madhe, në Pukë e në Mirditë, të kapluara nga paniku se Postriba do të shërbente si një burim frymëzimi.

Kjo gjueti njerëzore, bilanci përfundimtar i të cilës ende nuk dihet, por ku raportimet flasin për mbi 60 të vrarë, dhjetëra të tjerë të vdekur burgjeve e mijëra të dënuar me burgime të gjata e punë të detyruar, i zgjati jetën një diktature që s’kishte më asgjë të përbashkët me idealin antifashist që predikonte, por ishte shndërruar në një makineri vrasëse që e trajtonte popullin si skllav dhe që kishte hedhur në treg interesat kombëtare, për hir të përjetësimit të pushtetit të vet.

Gjuetia njerëzore nuk njihte as kanun e as ligj. Forcat e verbra të Sigurimit, e pushkatuan Ymer Beqirin në vend të të birit, Sadikut, në një akt zëvendësimi të viktimës, që s’njeh kurrfarë kodi zakonor, e morën zvarrë Osman Hysenin e plagosur, nga Hoti i Ri e deri në fshatin Mes, ku e pushkatuan dhe e lanë të pavarrosur. Aktet makabre u kryen jo vetëm ndaj drejtuesve të Kryengritjes, Osman Haxhisë, Jup Kazazit, Idriz Tahirit e të tjerëve, por edhe ndaj familjeve të tyre e fshatrave të tëra pa dallim. Djegia e fshatrave nxorri zbuluar mizorinë e regjimit si një palë pushtuese që s’kishte asgjë të përbashkët as me idealin çlirimtar, e as me pallavrat për progres shoqëror.

Kryengritja e Postribës u pasua nga Masakra shtetërore e Postribës. Por për zbardhjen e emrave të urdhëruesve të kësaj masakre, shteti shqiptar bëri shumë pak në këto 30 vjet. Në vend të një ndjese të pandërprerë për dhunën në përmasa genocidale të ushtruara ndaj zonave të tëra të vendit, sot e kësaj dite shohim, dëgjojmë e lexojmë justifikime nga pseudo-historianë e politikanë të paskrupullt, se regjimi komunist ishte i detyruar të kundërpërgjigjej ashtu, se në fund të fundit dhuna shtetërore ishte një mbrojtje legjitime, se pushteti u mor me pushkë e natyrisht edhe duhej mbrojtur me armë.

Kjo mendësi dhe mënyrë veprimi në thelb antishqiptare, ka dalë këto vite nga tulatja, dhe në hapësirat publike tashmë nuk përkujtohet Kryengritja, trimëria, por masakrat shtetërore ngrihen në piedestal si “fitore të shtetit shqiptar”, si “faqe e lavdishme e historisë”.

Pasardhësit e xhelatëve po tentojnë ta kthejnë sërish në kulturë zyrtare përkujtimin e masakrave shtetërore dhe po synojnë të nxjerrin nga diskursi publik përkujtimin e qëndresës ndaj diktaturës dhe të heronjve që ranë në përpjekje për liri e dinjitet.

Në 73-vjetorin e Kryengritjes madhështore të Postribës më duhet të pranoj se kjo krenari e xhelatëve fatkeqësisht ka një frymëzim shtetëror. Struktura të shtetit janë angazhuar ethshëm për restaurimin e pushtetit të bijve të nomenklaturës dhe me forcën e propagandës e të strukturave të pushtetit po kërkohet të tulasin ish-të përndjekurit politikë, po tentohet t’i getoizojnë ata në cep, jashtë jetës publike, jashtë angazhimeve civile e jashtë përpjekjeve legjitime për të marrë pjesë në pushtet e në ndërtimin e shtetit.

Ky restaurim kumtëzi e kthen pas Shqipërinë, e ridërgon atë në hapësirat antidemokratike e orientale të Lindjes. Por kjo përpjekje që shkon në kundërshtim me idealet perëndimore të heronjve të Postribës dhe me aspiratën e mbarë shqiptarëve për integrim në Perëndim, nuk ka për të patur sukses.

Pasardhësit e heronjve të Postribës, ata që themeluan Partinë Demokratike me idealin e Shqipërisë si Europa, janë krenarë për historinë e tyre dhe e kanë shndërruar atë në thesar, në një pasuri shpirtërore dhe mebdore që i ndihmon për ta kaluar edhe situatën aktuale. Sakrifica e heronjve të Postribës do i ndihmojë të gjithë shqiptarët patriotë ta fitojnë betejën tinzare që pasardhësit e xhelatëve u kanë vënë përballë, atë të kthimit në Lindje. Shqiptarët do ta fitojnë këtë betejë të pamerituar në nderim të heronjve të Postribës, por edhe për të garantuar të ardhmen e fëmijëve tanë, një të ardhme të merituar në gjirin e kombeve demokratike të Perëndimit.

Lavdi përjetë kreshnikëve të Kryengritjes së Postribës!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!