Basha: Edi Rama po kërkon azil politik

Basha: Edi Rama po kërkon azil politik

424
0

Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se Edi Rama shkoi në Itali për të negociuar azilin e tij politik. Nga protesta e opozitës përpara Parlamentit, Basha tha se kryeministri ia ka mbathur pasi populli ka vendosur fatin e tij. “Më 16 mars populli sovran, edhe më shumë, edhe më fort, edhe më i vendosur se kurrë më parë, do të marrë në dorë fatin e tij. Është rrethuar me tela me gjemba, shpallja e një regjimi ushtarak është shenjë e këputjes së sistemit kriminal të Edi Ramës. Sa për Edi Ramën, edhe sot si çdo herë tjetër ia ka mbathur, të shpërndajë gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij në ekranin e Italisë fqinje. Të paktën kështu thotë, se burime mike thonë ka shkuar të negociojë azilin politik, pak rëndësi ka, fatin e tij e ka vulosur populli”, deklaroi Basha.

Pavarësisht gjithçkajë kryedemokrati tha se opozita nuk tërhiqet nga beteja që ka nisur.

“Koha e korrupsionit, perversitetit, mashtrimit, goja e Edi Ramës shkeli mbi dinjitetin e çdo shqiptari. Ora kur një njeri i vetëm me ndihmën e krimit, pasi vodhi votat, vodhi paratë dhe u përpoq t’i vidhte shpresën njerëzve, ka mbaruar nga ky shesh ku jepet verdikti i popullit sovran. Rama ik! Sovrani e ka marrë vendimin. Prej javësh ajo godinë nuk është më godina e Kuvendit të Shqipërisë, por karantinë e kolerës së krimit. Ne ikëm të painfektuar nga joshja me karriget e pushtetit. Zoti pastë mëshirë për shpirtrat e tyre. Zëri juaj ka pyetur me kohë, kur do t’i digjni mandatet, zëri juaj u dëgjua. Unë kam privilegjin që në emër të popullit sovran të shpreh mirënjohjen time ndaj qindra zonjave dhe zotërinjve që djegin sot mandatet e tyre për popullin sovran. Kjo është beteja për Shqipërinë e vlerave”