Institucioni i Avokatit të Popullit ka apeluar për gjetjen e zgjidhjes lidhur me problemin e braktisjes masive të fëmijëve shqiptarë në vendet e huaja.
Avokati i Popullit, Erinda Ballanca përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook” ka kërkuar gjetjen e origjinës së këtij problemi.
“Në disa media është njoftuar prania e të miturve shqiptarë të pashoqëruar, në rrugët e Italisë. Edhe më herët (2016) Institucioni i Avokatit të Popullit ka shprehur shqetësimin për këtë dukuri për të cilën sinjalizon shpesh edhe shtypi apo institucionet e vendeve të prekura. Shpesh, raportohet se menjëherë sapo udhëtojnë në vende perëndimore, kryesisht Itali, prindër të familjeve të varfra shqiptare, i udhëzojnë fëmijët e tyre të mitur që të vetëdeklarohen në mënyrë fiktive si të braktisur dhe të përfitojnë kështu mbrojtje sociale, siç është detyrim ligjor në këto vende të BE-së”, shkruan Ballanca.
Më tej, Ballanca e ka cilësuar këtë fenomen si një këmbanë alarmi për autoritetet publike shqiptare.
“Fenomeni përbën një këmbanë alarmi për autoritetet publike shqiptare. Institucioni i Avokatit të Popullit, vëren me shqetësim se ato që nuk po funksionojnë, janë mekanizmat lokalë për adresimin e kësaj çështjeje komplekse e mbi të gjitha për parandalimin e këtij fenomeni, si dhe për rikthimin e sigurt dhe të mbështetur të fëmijëve pranë familjeve të tyre. Zgjidhja më e mirë e problematikës është vetëm zgjidhja e çështjeve në burimin e tyre ndaj edhe qeveria shqiptare duhet ta shohë këtë zgjidhje me përparësi e t’i përkushtojnë asaj të gjitha mjetet e duhura”, nënvizohet në postim.
Gjithashtu, AP i ka bërë ftesë të gjitha institucioneve, individëve që të bashkohen në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të veprojnë e të marrin vendimet në interesin më të mirë të tyre.