Autori korçar, Arjan Kallço, vlerësohet me çmimin e Ekslelencës në Itali

Autori korçar, Arjan Kallço, vlerësohet me çmimin e Ekslelencës në Itali

815
0

Në 11 dhe 12 maj në Folonika, Toskana në Itali, u zhvillua veprimtaria e ndarjes së çmimeve për konkursin poetik çmimi “Qeparisi i Artë”. Ky konkurs u zhvillua nën kujdesin e z. Loriano Lotit të Klubit Ndërkombëtar KIWANIS, me kumbare gazetaren dhe poeten Daniela Çekini. Tema qëndrore e Edicionit të 7-të, do të mblidhte rreth vetes mbi 200 poezi nga e gjithë Italia dhe kishte si bosht integrimin, parë në sytë e fëmijëve. Në këtë veprimtari Shqipëria u përfaqësua nga poeti dhe përkthyesi Arjan Kallço, i ftuar nderi në këtë edicion. Me propozim të znj. Çekini dhe të drejtuesve të Kiwanis Club, autori korçar u vlerësua me çmimin e Ekselencës për gjithë veprimtarinë e tij të shumëfishtë në kulturë. Motivacioni i akordimit të çmimit: ” Për impenjimin e tij të qëndrueshëm letrar në kuadrin shoqëror dhe humanitar nën optikën e Integrimit”. Ndër botimet që poeti shqiptar prezantoi në këtë konkurim përmban poezi të shkruara gjatë qëndrimeve të tij të herëpasherëshme në Itali, në udhëtime përgjatë gjithë gadishullit, dhe titullohet “Imazhe të shkruara jete (Immagini di vita sussurrate)”, botim në dy gjuhë, pasi poeti shkruan në të dyja gjuhët, në shqip dhe italisht.

Në këtë ceremoni emocionuese dhe kuptimplotë prof. Arjan Kallço në fjalën e tij theksoi : “Jam shumë i kënaqur të marr pjesë në këtë takim tepër emocionues dhe kuptimplotë që lidhet me integrimin. Mes dy brigjeve tona historia ka treguar se vendi ynë fqinj Italia ka hapur dyert e saj, të paktën në dy raste: në eksodin e madh pas vdekjes së Heroit kombëtar Skënderbeut dhe ai i viteve ’90-të. Arbereshët janë ura lidhëse pesë shekullore mes dy popujve. Letërsia italo-arbëreshe është një dëshmi e të vërtetave tona historike, e mbajtjes gjallë të shpirtit shqiptar dhe kujtimit të atdheut mëmë. Shqiponja është simboli i rikthimit në dheun e të parëve. Sot plot figura shqiptare dhe italiane kanë treguar se mes dy kulturave, urat janë të domosdoshme. Shqipëria i ka dhënë botës një humaniste të madhe Nënë Terezën që e shkriu jetën e saj në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Një shembull që sot në kohët moderne duhet ndjekur nga të gjithë vendet. Bota sot ka nevojë për një humanizëm të ri që të përballojë sfidat e kohës. Lufta në Kosovë tregoi qartë se një popull i tërë mund të vuajë pasojat e gabimeve historike, por shqiptarët hapën dyert për vellezërit e tyre. Letërsia ka një rol të rëndësishëm në integrimin e njerëzve, pavarësisht racës dhe ngjyrës, fatit dhe nevojave. Letërsia bëhet kështu magazinuese dhe dëshmimtare e gjallë e kohës”. Në fund ai falenderoi të gjithë faktorët që bënë të mundur këtë çmim, njerëzve për kontributin e madh në kontekste integruese. Miqësia mes dy popujve është dëshmia më e qartë e integrimit të bashkëatdhetarëve shqiptarë në Itali.