“Asnjë tolerim”/ Antiduhani, 42 gjoba vetëm për muajin tetor

“Asnjë tolerim”/ Antiduhani, 42 gjoba vetëm për muajin tetor

393
0

 

Monitorimi dhe kontrolli i bareve dhe ambienteve të tjera të mbyllura për zbatimin e ligjit për ndalimin e pirjes së duhanit vazhdon të jetë në qendër të punës së Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.

Gjatë muajit tetor grupet inspektuese të ISHSH-së, gjatë kontrolleve të ushtruara në orare të ndryshme të ditës dhe natës kanë vendosur nё të gjithë vendin 42 masa administrative ndaj subjekteve të cilët janë gjetur në shkelje të ligjit “antiduhan”.

Sipas njoftimit për shtyp të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, bëhet e ditur se një subjekt në Tiranë është dënuar me masë administrative 600 mijë lekë.

Kjo masё ёshtё marrё nё vijim tё masёs sё mёparshmё prej 300 mijë lekёsh tё marrё ndaj tё njёjtit subjekt nё muajin shtator 2019 dhe në zbatim të ndryshimeve ligjore të ligjit nr. 9636, i cili përcakton dyfishim të gjobës për subjektet e tatueshme të cilat shkelin ligjin dy herë brenda një periudhe 3 – mujore.

Ndërkohë, Vjollca Braho, kryeinspektore e Inspektoriatit Shetëror Shëndetësor, u bëri edhe njëherë apel të gjitha subjekteve që të zbatojnë ligjin, pasi do të jetë në monitorim të vazhdueshëm dhe nuk do të ketë asnjë tolerim për shkelësit e tij.

“Gjithashtu dua t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që nëse konstatojnë subjekte që shkelin ligjin mund të telefonojnë në numrin 08004040”, përfundoi Braho.