ARKIV/ Dritëro Agolli është i pakënaqur nga partia

ARKIV/ Dritëro Agolli është i pakënaqur nga partia

453
0

Nga arkivi i KQ të PPSH

Dritëro Agolli është i pakënaqur nga partia

 

Nga Nuri Dragoj

 

Raport i ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, për Hysni Kapon: Dritëro Agolli është shprehur kundër qëndrimit të partisë sonë. Prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik e quan disfatë të madhe. Shkrimin e botuar në “Zëri i Popullit” për festivalin e 11, e ka cilësuar “Artikull paçavure”…

 

Në një raport të ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dërguar sekretarit të KQ të PPSH, Hysni Kapo, thuhej se, nga të dhënat agjenturale dhe biseda që bëmë me oficerin Qani Tartale, i cili ka patur drejtimin e elementit antiparti, për Dritëro Agollin rezulton: “Në vitet 1961-1962, me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, është shprehur kundër qëndrimit të partisë sonë, duke e quajtur prishjen e marrëdhënieve, një disfatë të madhe. Gjatë një mbrëmjeje të zhvilluar në shtëpinë e R. B, anëtar partie dhe bashkëpunëtor i organeve të sigurimit, Dritëroi ka recituar disa poezi të autorëve rus, të cilët flisnin për internimet e bëra në Siberi nga cari. Me këtë, ai bënte krahasim, pasi sipas tij, një gjendje e tillë ishte edhe në Shqipëri”.

Bëhej fjalë për kohën kur Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Bashkimi Sovjetik. Kjo periudhë qe e vështirë, sidomos për vajzat ruse dhe djemtë shqiptarë, që kishin lidhur kurorë me to. Ndaj tyre filloi një kalvar i vërtetë vuajtjesh dhe persekutimesh. Një pjesë u detyruan të linin shtetësinë shqiptare dhe të largoheshin nëpër vendet e tyre, pavarësisht se kishin një, dy, apo tre fëmijë. Pjesa tjetër, që i rezistoi presionit politik, apo masave represive, vendosën të qëndronin në Shqipëri, por shiheshin si rrezik potencial ndaj “partisë dhe popullit”. Shumë gra të huaja, me akuza të montuara për veprimtari agjenturore, u burgosën dhe internuan vite të tëra. U krijua një klimë e rëndë për to, pasi i quanin të rekrutuara nga KGB.

Burrat e martuara me gra ruse qenë venë në shenjestër të partisë dhe të sigurimit të shtetit. Ndaj tyre bëheshin kritika me vend dhe pa vend, në qendra pune dhe në shtyp. Edhe për Dritëro Agollin ishte dhënë porosi të bëheshin kritika në shtyp. Drago Siliqi, shkruante në gazetën “Drita”, të datës 2 korrik 1961, se në vjershat e Dritëro Agollit, në shumë raste, ndihet më tepër era e stepës ruse, se sa e luginës shqiptare. Sipas tij, në vjershën ”Bala, lopa ime”, botuar në revistën Nëntori, pathosi i poezisë qëndron në faktin që fshatari, për të mos ia dorëzuar armikut, detyrohet ta vrasë lopën e tij të dashur, që e ka rritur me dhimshuri e kujdes. Heroi lirik i vjershës, nuk ka psikologji shqiptare dhe nuk pasqyron rrethanat tipike të vendit tonë. Ky është mentalitet sovjetik, sepse ata dogjën grurin në ara e hodhën në erë fabrikat, për të mos ia dorëzuar armikut”. Kështu viheshin intelektualët kundër njëri – tjetrit. Mbase kishte të drejtë Sartri kur thoshte: Unë komunizmin e dua, por sigurimi intelektualët komunist janë egërsira.

Pikërisht në ato ditë, Dritëroit i kujtuan bashkëshorten ruse dhe i bënë presion. Punon në gazetën qendrore të partisë, i thanë, ndaj zgjidh çfarë të duash. Prano të ndash gruan ose…

-Ose çfarë? – e pyeti Dritëroi, bashkëbiseduesin.

-E di vet se çfarë, i pati thënë tjetri, dhe qe larguar.

Kur u kthye në shtëpi, bashkëshortët diskutuan me njëri – tjetrin. Terrori qe i pashembullt. Nina e kuptoi gjendjen në të cilën ndodhej Dritëroi. E ndjeu rrezikun edhe për veten e saj, e sidomos për djalin, dhe propozoi që, më mirë të largohej, se sa të burgoseshin të dy. Mbase do të vij dita, që politika të zbutet dhe, më shpresë të zotit, të rikthehem sërish, i tha ajo me lotë në sy. U pajtua me fatin. Dhe vendosi të largohej. Ishte e dhimbshme. Edhe bashkëshortja e Burhan Çelos, u detyrua të largohej nga Shqipëria, për shkak të klimës së rëndë që u krijua. Kështu vepruan dhjetra gra të tjera.

Para se të ndahej me Dritëroin, Ninës i rrëshqitën lot mbi mollëzat e faqeve. Dritëroit gjithashtu. Ishin lot për sakrificat që kishin bërë, lotë për dashurinë e vrarë. Partia i pati lejuar këto lidhje martesore, ndërsa tani, për shkak të keqkuptimeve politike, shkatërroheshin njëra pas tjetrës, dhjetëra familje, në mënyrë krejtësisht të padrejtë. Nina kishte dhe një fëmijë, të cilin e mori me vete në Moskë.

Gratë që mbetën këtu u terrorizuan. Tarama e Pjetër Gacit shpëtoi nga burgu. U vetburgos në Shkodër. U bë e sëmurë. Pjetër Gacin e çuan në Elbasan e më pas në Vlorë. Muzika himn e tij, “Për ty atdhe”, e shpëtoi nga arrestimi. E pëlqeu dikatatori. E vlerësoi himnin, sepse me të njësonte veten.

Më tej, në raportin e kreut të ministrisë së Punëve të Brendshme, thuhej: Dritëro Agolli, në kohën e largimit të ish gruas së tij për në Bashkimin Sovjetik, pati një periudhë çorroditje. Pinte raki, shoqërohej me elementë të pakontrolluar, gjendje kjo që zgjati deri në martesën e tij të dytë. Në këtë periudhë, në një rast, kishte pirë jashtë mase në klubin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe iu shpreh oficerit tonë, Qani Tartale: “Vimë e pimë këtu, që edhe po të na rrëshqasë ndonjë fjalë, ta dëgjoni vetë ju, e mos ta merrni vesh nga të tjerët”.

 

Hija e vdekjes na qëndron mbi kokë

 

Raporti i Kadri Hazbiut vazhdonte me të dhëna të tjera. “Agjenti “Vullenatari”, shok i ngushtë i Dritëro Agollit, dhe bashkëpunëtor i besuar i organeve tona, ka raportuar se nga vitit 1960, deri në vitin 1968, Dritëroi ka qenë i lëkundur dhe nuk kishte besim të plotë mbi qëndrimin e partisë sonë ndaj Bashkimit Sovjetik. Por pas agresionit rus mbi Çekosllovakinë, ai e humbi plotësisht admirimin dhe simpatinë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe iu forcua besimi ndaj vijës së partisë sonë. Pozitivisht ka ndikuar dhe këshillimi i tij, nga shoku Mehmet Shehu”.

Prishja me sovjetikët ndryshoi dhe mënyrën e sjelljes së njerëzve. Tashmë nuk duhej thënë: Rroftë BS, por poshtë BS! Në atë kohë qe arrestuar kundëradmirali Teme Sejko, komandant i Flotës Luftarake Detare, me akuzën “tradhëti ndaj atdheut”. Thuhej se kishte qenë agjent i grekëve, rusëve dhe amerikanëve. Në vend të tij u emërua Hito Çako, njeri i besuar i Enver Hoxhës, por edhe ai do të vritej më vonë. Shtypi vazhdonte propagandën antirevizioniste dhe u bënte jehonë lidhjeve me Kinën. Në muajin shkurt të vitit 1961, zhvilloi punimet Kongresi i 4-t i PPSH. Ai mori në analizë marrëdhëniet ndërmjet PPSH dhe PKBS, mbrojti qëndrimin e mbajtur nga delegacioni shqiptar në mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore  në Moskë. Marrëdhëniet qenë ftohur plotësisht. Në bazën e Pashalimanit, komandat e të dy palëve qenë dubluar. Sovjetikët këmbëngulnin në mbajtjen e bazës, pasi e quanin të tyren. Pala shqiptare nuk lëshonte pe. Duket se kishte siguruar mbështetjen nga SHBA dhe NATO. Mbledhje të zgjatura me ushtarë e oficerë brenda vendit, aktive partie ngado, që dëgjonin lektorët për qëndrimin e gabuar të politikës antimarksiste të PK të BS. Krisja kishte nisur me vizitën e Hrushovit, në maj-qershor 1959.

Në fund të muajit mars 1961, kryeministri Mehmet Shehu kishte vajtur në Pashaliman. Shoqërohej nga këshilltari rus i mbrojtjes për flotën detare, kundëradmirali Zagrebin. Ai foli për revizionistët jugosllav, për Titon, për qëllimet e tyre djallëzore etj. Për Bashkimin Sovjetik asnjë fjalë. Por gjithçka kuptohej. Bëri apel për vigjilencë. Likujdimi i bazës së Pashalimanit, siç pretendohej nga rusët, i hapte rrugë forcimit të NATO-s, në jug të Ballkanit. Mesazhi ishte i qartë. Kërkesa për vigjilencë të lartë, për gjakftohtësi dhe mbajtjen e situatës nën kontroll fliste vet. Anija luftarake ruse “Ciaturi”, me ushtarë, oficerë, materiale luftarale e ushqime, në ndihmë të njerëzve të tyre në Pashaliman, u ndalua të hynte.  Kështë pohonte kolonel Myfit Qerduka, për Albanian Free Press.

Gjyqi ndaj Teme Sejkos përfundoi me 65 vetë të dënuar, nga të cilët 13 të pushkatuar, 4 me 25 vjet dhe të tjerë me radhë, gjithësej 1000 vite burg.

Në atë kohë, duke biseduar me një shokun e vet, Dritëroi kishte thënë: “Hija e vdekjes na qëndron mbi kokë”. Pohimi i bërë prej tij, kishte shkuar në ministrinë e Punëve të Brendshme.

 

Agolli nuk pajtohet me dënimin e festivalit të 11 të këngës në RTVSH

 

Dokumenti i dërguar në zyrën e Kadri Hazbiut, firmosur nga zëvendës drejtori i Drejtorisë së I-rë, Lirim Pëllumbi, përcjellë më tej te Hysni Kapo, theksonte se Dritëro Agolli, para se të zhvillonte punimet Kongresi II i Lidhjes së Shkrimtarëve, ka bërë pjesë në një grup, që vepronte në kundërshtim me porositë e partisë. “Janë vjelë të dhëna, sipas të cilave, shkrimtarët qenë ndarë në grupe, në të “rinjë”, ku bënte pjesë Dritëroi, dhe në të “vjetër”. Këto grupe i kundërviheshin njëri – tjetrit dhe të “rinjtë” kishin planifikuar që, në Kongres, të rrëzonin kryesinë e vjetër të Lidhjes së Shkrimtarëve. Por u tërhoqën nga plani i tyre, për shkak të pranisë në kongres të Byrosë Politike”.

Më tej thuhej: “Pas fjalimit të shokut Enver në Presidiumin e Kuvendit Popullor, gjatë muajit shkurt, në një bisedë të zhvilluar nga Todi Lubonja, në prezencë të Dritëro Agollit, Vangjush Zallëmit dhe bashkëpunëtorit, me pseudonimin “Vullnetari”, Todi është shprehur: “Të mos rrëshqasë këmba, se njerëzit duan të hanë të gjallë. Tani çdo gjë, tek ne e shohin me vërejtje, deri te rrobat e trupit. Njerëzit janë si kameleonët. Ata që deri dje mburrnin festivalin e 11, tani e kritikojnë dhe e shajnë”. Në vijim, Todi u ka thënë se udhëheqja e partisë tek ne, informohet për çdo gjë, duke u treguar dhe raste nga jeta e tij. Të pranishmit, gjatë kësaj bisede, nuk kanë reaguar, ndërsa kur ka ardhur fjala për artikullin redaksional të gazetës “Zëri i Popullit”, mbi festivalin e 11, Dritëro Agolli ka thënë: “Ç’është ai artikull paçavure”, kurse Todi Lubonja, qe shprehur se, as unë nuk e kuptova”. Ndërsa Hysni Kapo shënonte: Duhet parë më me kujdes. Poetët edhe nxitohen, por Dritëroi që i këndon tokës, bimës, që i dhimbsen kafshët, që dashurohet me baltën, nuk mund të jetë kundër rrjedhës.

Njëriu është i detyruar të jetë i lirë, thoshte Zhan Pol Sartër, shkrimtar dhe filozof i shquar francez. Duke qenë i lire, ai është tërësisht përgjegjës për ekzistencën e vet. Gjithsesi, Sartri ishte përherë në mbështetje të kontestatorëve, protestuesve për liri dhe të drejta demokratike, në Francë dhe në botë. Në Shqipëri, një i tillë ka qenë Dritëroi, i papajuteshëm me të keqen, pasi e ngrinte zërin, me fjalë dhe me vargje. Shkrimtarët që nuk kanë reaguar, mbeten përgjegjës para historisë. Sartri shkruante se, pika jonë e nisjes, në të vërtetë, është subjektiviteti i individit. Unë mendoj, thoshte ai, pra ekzistoj. Kjo është një e vërtetë absolute e ndërgjegjes, që arrin te vetvetja. Sartri kërkonte që shkrimtarët të godisnin fenomenet negative në shoqëri. Unë i quaj Folberin dhe Gonkurët, përgjegjës për represionin që u bë, pas Komunës së Parisit, sepse ata nuk shkruajtën asnjë rresht për t’i penguar. Mund të më thonë se nuk ishte punë e tyre. Po lidhur me Kalasin, mos ishte punë e Volterit? Dënimi i Drejfusit, mos ishte puna e Emun Zolas, administrimi i Kongos, mos ishte punë e Zhidit? Secili nga këta autorë, në një rrethanë të veçantë të jetës së tij, ka marrë përgjegjësitë e veta si shkrimtar. Agolli ka reaguar, siaps rastit, sa e lejonin kushtet.

 

Vazhdon të pijë, duhet bërë kujdes

 

Në karakteristikën e firmosur nga Mihal Bisha, shefi i sektorit të kuadrit në KQ të PPSH, thuhet se Dritëroi është martuar në vitin 1955 me një sovjetike. Krahas lavdërimit që i bëhet në pleniumin e 15 të KQ të PPSH, në vitin 1964 është ndëshkuar me vërejtje në biografi, për pakujdesi në detyrë, në vitin 1965, është kritikuar për vëllimin me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme”, në të cilin errësohen anët pozitive dhe fryhen anët negative. Autori, në pasqyrimin e disa fenomeneve të jetës sonë, ka zënë një kënd vështrimi ideor të gabuar”. Në dokument thuhet se Dritëroi vazhdon të pijë, ndaj me sjelljen e tij duhet të bëhet kujdes.

Indirekt, këto opinione i përcilleshin dhe Dritëroit. Por ai thoshte se, shumica e gazetarëve të talentuar, në të gjithë botën, preferojnë nga pak alkoolin dhe cigaren. Kjo shërben për të larguar streset dhe emocionet. Vangjush Gambeta ishte gazetar i shquar, por kritikohej se pinte nga pak alkool. Dritëro Agolli, mjeshtër i reportazhit dhe skicës, poet nga më të shquarët, njihej edhe për preferencën e tij ndaj pijes. Më vonë i njëjti opinion qe dhe për Xhevahir Spahiun. Kryeredaktori i gazetës, Dashnor Mamaqi, i thërriste ndonjëherë në zyrën e tij, për t’u tërhequr vëmendjen ndaj këtij vesi, që ai e quante “josocialist”. Por një ditë, gjatë një seminari, Enver Hoxha kishte folur mirë për Vangjush Gambetën, ndërsa Nexhmija kishte zgjedhur disa vlerësime për Agollin. Pas asaj dite, Dashnor Mamaqi, nuk guxoi t’u thoshte asnjë fjalë, dy gjigantëve të gazetarisë. Madje, që nga ajo ditë, edhe kur përballej me ndonjerin prej tyre në korridor, bënte sikur nuk i vinte re që ishin “tapë”.

Shteti dhe poeti janë të papajtueshëm me njëri tjetrin. Edhe pse shteti bën ligjin, ka në dorë komandën, dënon e vret poetin, izolon fjalën e lirë, përsëri ka frikë prej tij. Ekziston një farë frike reciproke nga të dy palët, ndonëse pesha e saj ndihet në mënyra të ndryshme. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me shtetin komunist në Shqipëri, por kudo. Dikataturat janë njëlloj. Të gjithë derrat një turi kanë, thotë populli. Por duhet pranuar që terrori stalinist ishte më i egër në Shqipëri. Shpirti i poezisë është liria. Liria është jeta, pasqyrim i realitetit ku jetojmë. Në mungesën e lirisë nuk ka kundërshtim, shumica pajtohen me mendimin e njishit, për pasojë zhvillimi frenohet, kemi vetëm levizje drejtvizore të njëtrajtshme.

Ishte kohë e vështirë. Qemë larguar tërësisht nga Perëndimi dhe kishim mbërritur në Lindjen e Largme. Radiot këndonin këngë kineze, këngë vietnameze. Çudi! Rilindasit predikonin perëndimin. “Për ne dielli lind andej nga perëndon”, thoshin ata. Socializmi nuk e donte teorinë e tyre. Pëlqente lindjen. Perëndimin e njësonte me prostitutat, me korrupsionin, me varfërinë e mjerimin. Socializmi e zhdukte varfërinë. Sillte barazinë, pronën kolektive, atë socialiste. Midis tyre njeriun e partisë.

Në esenë, “Letër mbi humanizmin”, që Heidegger ia dërgoi Zhan Bofre (Jean Beaufret) në vitin 1946, bënn një analizë të hollësishme të Qenies dhe Kohës. Heidegger thoshte se “ne e shohim mendimin vetëm si shkakun e një pasoje, efektiviteti i së cilës vlerësohet sipas dobishmërisë së saj. Mirëpo, thelbi i veprimit është përmbushja. Të përmbushësh do të thotë të shpalosësh diçka në plotshmërinë e thelbit të saj, ta çosh atë përpara në këtë plotshmëri, producere. Prandaj, vetëm ajo që tashmë është, mund të përmbushet në të vërtetë. Mendimi përmbush lidhjen e Qenies me thelbin e qenies njerëzore. Ai nuk e prodhon këtë lidhje dhe as e ndikon atë. Mendimi e sjell këtë lidhje në qenie, vetëm si diçka që i është lenë në dorëzim, vetë mendimit nga Qenia. Gjuha është shtëpia e qenies. Qeniet njerëzore banojnë në shtëpinë e saj. Kujdestarët e kësaj shtëpie janë mendimtarët dhe poetët. Pra këtë shfaqje e çojnë te gjuha dhe e ruajnë nëpërmjet shqiptimeve të tyre. Në shkrim, mendimi e humbet lehtësisht fleksibilitetin e tij. Por mbi të gjitha, në shkrim është e vështirë që të ruash përmasat e shumta të hapësirës së veçantë të mendimit. Reptësia e mendimit nuk qëndron në një ekzaktësi artificiale (si në shkencë), por në faktin se shqiptimi mbetet tërësisht në elementin e së vërtetës. (Martin Heidegger, Letër mbi humanizmin, përktheu Enkelejd Musabelliu, Tiranë: Plejad, 2010, f. 21).