Ambasada palestineze në Tiranë, pritje zyrtare me rastin e 34 vjetorit të...

Ambasada palestineze në Tiranë, pritje zyrtare me rastin e 34 vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shtetit të Palestinës

239
0

Ambasada e Shtetit të Palestinës në Republikën e Shqipërisë, organizoi ditën e Martë, më 15 Nëntor 2022, një pritje zyrtare me rastin e 34 vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shtetit të Palestinës.

Në pritje morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë, përfaqësues të Presidentit të Republikës, Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu në pritje morën pjesë, përfaqësues të shoqërisë civile, të medias, aktivistë dhe solidarizues me kauzën dhe popullin palestinez, si dhe pjesëtarë të komunitetit palestinez në Shqipëri.

Në fjalën e saj,  Shkëlqesia e saj, Hana Shawa, Ambasadore e Shtetit të Palestinës në Republikën e Shqipërisë, foli për Deklaratën e Pavarësisë së shpallur nga Lideri Historik,  Yasser Arafat më 15 Nëntor 1988, si dhe për rëndësinë e kësaj dite historike për Palestinën.

Shkëlqesia e Saj vuri theksin tek përpjekjet e forta të bëra nga Shteti i Palestinës për të krijuar një shtet të lirë, të pavarur dhe demokratik me kryeqytet Jeruzalemin, ndërkohë u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të vendeve që të mbështesin planin e Presidentit Mahmud Abbas për të krijuar një kornizë ndërkombëtare shumëpalëshe që mbështet negociatat dypalëshe, për të gjetur një zgjidhje të drejtë për çështjen palestineze bazuar në rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar.

Ambasadorja Shawa, nënvizoi se pushtuesi izraelit shkel të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar duke e konsideruar veten mbi të drejtën ndërkombëtare, prandaj – theksoi Shkëlqesia e Saj- ka ardhur koha që pushtuesi të mbajë përgjegjësi dhe të japë llogari për shkeljet dhe krimet që kryen kundër popullit palestinez.

Gjatë aktivitetit u prezantua edhe një pjesë shumë e vogël e artit palestinez të shprehura në veshjet tradicionale dhe në objektet qeramike.