Massimiliano Allegri e ka vendosur veten në garë për postin e trajnerit të Barcelonës, sipas mediumit spanjoll Mundo Deportivo, mes spekulimeve se Ernesto Valverde do të shkarkohet së shpejti.
Ka shumë raportime në Spanjë se e ardhmja e Valverdes do të vendoset sot në takim mes presidentit Josep Maria Bartomeu, drejtorit ekzekutiv Oscar Grau, drejtorit për transferime Eric Abidal, dhe ndihmësve Ramon Planes dhe Javier Bordas, transmeton Gazeta Express.
Xavi Hernandez kishte qenë opsioni i parë, mirëpo legjenda e klubit katalonas, i cili aktualisht është trajneri i Al Saddit në Katar, refuzoi ta marrë këtë post në gjysmë të sezonit, duke ia lënë derën hapur një transferimi gjatë verës.
Sipas gazetës spanjolle Mundo Deportivo, agjentët e Allegrit e kanë propozuar tashmë ish-trajnerin e Milanit dhe Juventusit për postin e trajnerit në Camp Nou.
Allegri është për momentin ende në pushim, pasi i dha fund karrierës së tij me Juventusin, pasi i fitoi pesë tituj radhazi të Ligës së Kampionëve dhe arriti dy herë në finale të Ligës së Kampionëve.
Kandidatë të tjerë për postin që pritet të lirohet së shpejti në Barcelonë janë: trajneri i shkarkuar nga Tottenhami Mauricio Pochettino, ish-trajneri i Real Betisit Quique Setien dhe trajneri i Estudiantes de La Plata, Gabriel Milito.
Barcelona do të përballet me Napolin në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve muajin e ardhshëm, por pa Luis Suarezin, i cili është lënduar dhe do të mungojë për katër muajt e ardhshëm