Aktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandic, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, flet për bombardimet dhe luftën e Kosovës. Ajo ka qenë edhe vetë shpesh në Kosovë, në kohën e luftës.
“Pak kohë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, pra me 25 mars në orët e para të mëngjesit, diku nga ora dy apo tre, ra zilja e telefonit”, kujton Natasha Kandic. ‘Ishte Nekibe Kelmendi. Më tha se policia është futur në shtëpinë e tyre dhe ka marrë me vete burrin e saj Bajramin, një avokat shumë i njohur dhe dy djemtë e tyre. Nuk e di çfarë të bëj. I them se është mirë që po punojnë linjat telefonike dhe nesër në mëngjes menjëherë duhet të shkojë në polici apo shërbimin sekret të shtetit dhe të kërkojë sqarime… Këtë bisedë nuk do ta harroj kurrë. Një ditë më pas kanë gjetur trupat e pajetë të Bajramit dhe dy djemve, pranë një pike të karburanteve, në dalje të Prishtinës. Policia thoshte se ka nisur hetimet. Por ky ishte vetëm maskim i një krimi, sepse këtu nuk ka pasur hetime, nuk ka pasur asgjë. Nekibe Kelmendi ka vdekur në vitin 2011 dhe kurrë nuk e ka kuptuar zyrtarisht se kush i ka vrarë burrin dhe dy djemtë e saj. Ka mbetur vetëm vajza e saj, e cila ende kërkon të vërtetën. Edhe ne në Fondin për të Drejtën Humanitare po kërkojmë të vërtetën, por pa sukses.”
Natasha Kandic ka qenë një ndër të rrallët në Beograd, që ka justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe këtë e ka thënë hapur. Ajo më pas ka mbështetur edhe pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008. Ishte mysafirja e vetme nga Serbia në Kuvend, në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.
Themelimi i Fondit për të Drejtën Humanitare
“Fondi për Drejtën Humanitare është themeluar në vitin 1992”, thotë Kandic, “me qëllim dokumentimin e krimeve dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Serbi, atje ku jetojnë grupet etnike – shqiptarët në Kosovë dhe myslimanët në Sanxhak.”
Natasha Kandic është diplomuar në vitet 70-të në Fakultetin filozofik në Beograd, në sociologji. Në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë ka punuar në Shoqatën e Sindikatave, ndërsa në vitet ’80 ka qenë bashkautore e librit “Nyja e Kosovës”, në të cilën kritikohen ashpër autoritetet serbe në Kosovë, për politikë dhune, pas ardhjes së Sllobodan Milloshevicit në pushtet. Pas botimit të këtij libri, Kandic e ka ndërprerë punën në sindikatë dhe ka filluar hulumtimet e opinionit publik. Në fund të vitit 1992 e ka themeluar Fondin për të Drejtën Humanitare. Gjatë luftërave të viteve 90-të, Fondi ka mbledhur të dhënat për krimet e luftës në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Këto dokumenta kanë qenë më pas ndër dëshmitë kryesore në proceset e Tribunalin e Hagës për krime lufe në ish-Jugosllavi.
Kosovë – aktive prej vitit 1996
“Zyrën e parë në Prishtinë e kemi hapur në vitin 1996”, thotë Kandic. “Aty kanë punuar së bashku shqiptarë dhe serbë. Detyra e tyre ka qenë mbledhja e të dhënave për gjendjen. Gjatë vitit 1997 kemi mbledhur të dhëna për ftesat masive të njerëzve në të ashtuquajtura biseda informative në polici. Gjatë marrjes në pyetje, ka pasur kërcënime masive ndaj atyre që janë angazhuar për pavarësinë e Kosovës. Atyre u është thënë se ky është terrorizëm dhe u është mohuar e drejta që me mjete paqësore të angazhohen për idetë e tyre politike.”
Kosova ishte lënë pasdore në kohën luftës në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Lëvizja paqësore e shqiptarëve të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugovën dhe Fehmi Aganin, ka ofruar rezistencë paqësore gati një dekadë të tërë. Ata kanë organizuar edhe sistemet paralele të pavarura në shkolla dhe shëndetësi. Sistemi paralel ka funksionuar me vite. Në vitin 1997, në skenë është paraqitur edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe situata ka ndryshuar radikalisht. Në vitin 1998 kanë filluar konfliktet e armatosura mes forcave serbe dhe UÇK. Bashkësia ndërkombëtare, e cila me vite të tëra kishte injoruar lëvizjen paqësore të rezistencës, tani përpiqej të ndalte luftën. Në vitin 1999 janë mbajtur edhe negociata në Rambuje të Francës, por pala serbe nuk e ka nënshkruar marrëveshjen paqësore.
Fillimi i bombardimeve
Pas dështimit të bisedimeve në Rambuje, NATO filloi aksionin e bombardimeve me emrin “Operation Allied Force”, me 24 mars 1999. “Ditën e tretë pas fillimit të bombardimeve jam nisur për Kosovë. Nuk e kam ditur se çfarë po ndodh me bashkëpunëtorët tanë në Prishtinë. Ka qenë problem të shkosh në Kosovë, sepse nuk ka pasur mjete transporti. Kam marrë një taksi nga Beogradi deri në Bujanovc. Por taksia fillimisht është dashur të sigurojë benzinë, sepse në ato kohëra nuk ka pasur mjaft. Në Bujanovc mbërritëm disi, por nuk dija si të shkoj deri në Prishtinë. E pyeta taksistin të më çojë deri atje. Ai kishte shumë frikë, por kur i thashë se atje ka vetëm forca serbe, ai pranoi. Zyra jonë ishte thyer, kompjuterët ishin plaçkitur. I kam gjetur bashkëpunëtorët tanë nëpër shtëpi, të gjithë ishin tepër të frikësuar dhe nuk e dinin çfarë të bëjnë. U kam propozuar të shkojmë së bashku në Maqedoni, por ky u dëshmua si një plan i keq dhe nuk u realizua. Në Prishtinë ishte tmerr, në rrugë nuk kishte më shqiptarë. Kur kam shkuar të kërkoj një bashkëpunëtore të Fondit, para godinës së saj ishin mbledhur shumë njerëz. Policia i nxirrte me dhunë nga godina dhe i urdhëronte të shkojnë në drejtim të stacionit hekurudhor, e pastaj në Shqipëri. Pas katër ditësh në Prishtinë, katër shqiptarë dhe unë, me një taksi, jemi nisur për në Beograd. Taksisti ishte një njeri i mirë, ai e shihte se çfarë po bëjnë me shqiptarët. Nuk fliste shumë. E pyeta a është i gatshëm të transportojë katër shqiptarë për në Beograd, sepse duhet të kalojmë kontrollet policore? ‘Le ta provojmë’, tha ai. Kontrollin e parë kaluam pa problem. Në pikën e dytë na ndalën. Unë heshta, ndërsa shoferi i taksisë e pyeti policin, ku mund të gjej karburant, sepse nuk kam asnjë pikë? Polici u përqendrua tek pyetja dhe nuk na kontrolloi fare. Kaluam.”
Zgjatja e luftës
Strategët e NATO-s kishin planifikuar një luftë më të shpejtë. Ushtria dhe policia serbe nuk kanë bërë ndonjë rezistencë tepër të madhe ndaj bombardimeve të NATO-s, por janë fshehur mirë dhe kanë evituar humbjet e mëdha. Lufta u zgjat, ndërsa vuajtjet e popullit në Kosovë shtoheshin nga dita në ditë.
“Unë kam shkuar në Kosovë gati çdo dhjetë ditë”, kujton Natasha Kandic. “Gjithmonë me të njëjtin taksist, i cili mësoi rrugën dhe njihte njerëzit në rrugë. Kam shkuar dhe kam kërkuar miqtë shqiptarë, kam shikuar a janë ende gjallë. Kam qenë në Prishtinë tek disa miq, kur erdhi lajmi për ndalimin e Fehmi Aganit, gruas së tij dhe djalit të tyre. Më lajmëruan se e kanë marrë, ndërsa një ditë më vonë është gjetur trupi i tij i pajetë. Agani është vrarë ndërkohë që Milloshevici i lejoi Rugovës të dalë nga vendi. Fehmi Agani ka menduar se edhe ai duhet të dalë nga Kosova dhe t’i bashkohet Rugovës. E gjithë fuqia e Rugovës ka qenë në mençurinë e Fehmi Aganit. Vdekja e Aganit është një humbje tepër e madhe jo vetëm për shqiptarët, por për tërë rajonin. Po të kishte mbetur gjallë ai, zhvillimet pozitive do të ishin më të shpejta dhe të gjitha do të ishin më ndryshe.”
Libri i kujtimeve në Kosovë
Në vitin 2015, Fondi ka botuar “Kosovske Knjige Pamćenja” (Librat e Kujtimeve në Kosovë). Synimi i këtij projekti ishte përcaktimi i numrit të saktë të viktimave në Kosovë. Koordinatore e projektit ishte Natasha Kandic. Numri i të vrarëve në periudhën prej 1 janarit 1998 deri me 31 dhjetor 2000 është 13.535 persona. Prej tyre 10.812 janë shqiptarë, 2.197 serbë, ndëra 526 janë romë, boshnjakë, malazezë dhe të tjerë.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Beogad dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë kanë botuar në vitin 2014 listën e personave të vrarë si pasojë e bombardimeve të NATO-s. Nga bombardimet kanë humbur jetën 754 persona, 454 civilë dhe 300 pjesëtarë të forcave të armatosura. Ndër civilët janë 207 serbë dhe malazezë si dhe 219 shqiptarë civilë, 14 romë dhe 14 të nacionaliteteve të tjera. Ky burim thotë se janë vrarë 274 ushtarë dhe policë të ish-Jugosllavisë dhe 26 pjesëtarë të UÇK. Mbledhja e këtyre të dhënave ka filluar që në kohën e luftës.
“Mendoj se gati të gjithë do të reagonin si unë, po të shihnin këto kolona të refugjatëve, frikën dhe tmerrin që mbretëronte. Një ditë shkova për të blerë bukë në një dyqan në Prishtinë, në radhë ishte një shqiptare. Dy serbe të tjera filluan të bërtisnin dhe nuk e lejuan të blejë bukë. Fillova edhe unë të bërtas kundër tyre… këto janë gjëra që nuk mund t’i harrosh. Në situata të këtilla e harron sigurinë personale, ajo më nuk është me rëndësi”, kujton Kandic.
Udhëtimet e mia në Kosovë kanë qenë të tmerrshme, sepse kam parë edhe vet se çfarë po ndodhë. Shqiptarët kanë qenë në fillim të mbyllur në shtëpitë e tyre, nuk kanë guxuar të dalin në rrugë. Kam parë kolona të gjata refugjatësh, njerëz me qese në dorë, të humbur dhe pa orientim. Kur i pyesja ‘ku po shkoni’ ata thoshin: Policia serbe na ka urdhëruar të shkojmë në Shqipëri. Njerëzit iknin në Shqipëri, ndërkohë që askush nuk i ndihmonte, nuk kishte asnjë organizatë të huaj humanitare atje.
U ktheva në Beograd dhe shihja njerëzit që rrinin nëpër kafene, shikonin drejt qiellit dhe flisnin për kinse padrejtësitë e mëdha që po i bëhen Serbisë me bombardime. Kurrë askush nuk më ka pyetur se çfarë po ndodh në Kosovë, si është gjendja atje! Më ka zemëruar tepër një letër e një grupi intelektualësh të organizuar nga Open Society, me të cilën kërkohet përfundimi i bombardimeve në Serbi. Më ka zemëruar ky fokusim tek vetvetja, pa kurrfarë interesimi për atë se çfarë u ndodhte të tjerëve, pa kurrfarë interesimi për ndalimin e veprimeve të policisë dhe ushtrisë, vrasjeve, djegieve dhe shkatërrimeve në Kosovë.”
“E vërteta” kombëtare
Pas përpjekjeve intensive diplomatike të trojkës së drejtuar nga presidenti finlandez, Marti Ahtisari, e ku ishin edhe diplomatët amerikanë dhe rusë Strob Talbot dhe Viktor Çernomirdin, në qershor të vitit 1999, Sllobodan Milloshevici pranoi kushtet e NATO-s. Me 9 qershor 1999 në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja për tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosja e misionit paqësor KFOR në Kosovë. Lufa përfundoi ndërsa nga Kosova u largua një numër i madh i serbëve nga frika e hakmarrjes. Ata që kanë mbetur kanë jetuar në frikë nga mundësia e krimeve, të cilat kanë ndodhur kohë pas kohe edhe një vit më pas. Fondi ka mbledhur fakte edhe për këto krime.
“Ne shohim sot se në Serbi ekziston vetëm ‘një e vërtetë’, e vërteta kombëtare. Është krijuar edhe një komision për hetimin e pasojave të bombardimeve të NATO-s, me qëllim që të dëshmohet se Serbia ka qenë viktimë. Paraqiten shifra që nuk kanë lidhje me faktet dhe harrohet në tërësi përgjegjësia e forcave serbe për një numër të madh të njerëzve të vrarë atje”, thotë Kandic. “Harrohet se pse dhe si erdhi deri tek ndërhyrja e NATO-s. Çfarë i ka paraprirë ndërhyrjes dhe cili ishte roli i Serbisë në këtë mes. Ndërhyrja e NATO-s ka qenë një masë drastike, por mjeti i vetëm për të ndaluar ushtrinë dhe policinë serbe.”
Natasha Kandic ka marrë një numër të madh vlerësimesh ndërkombëtare për punën e saj. Në vitin 2003 ka qenë edhe në listën e 36 heronjve evropianë, të botuar në revistën “Time”. Në vitin 2005 është shpallur qytetare nderi e Sarajevës dhe person i vitit në Bosnje-Hercegovinë, sipas revistës “Slobodna Bosna”. Me 2013 është nderuar me çmimin Hrant Dink në Turqi, ndërsa kongresmenët amerikanë Eliot Engel dhe Roger Viker e kanë propozuar Natasha Kandici në vitin 2018 edhe për çmimin Nobel për paqen.