Fenomeni i femrave që preferojnë të transformohen tërësisht, që kanë humbur besimin tek vetvetja, që i janë nënshtruar operacioneve të shumta plastike për të ndryshuar pjesët e trupit të tyre, është përhapur së tepërmi gjatë kohëve të fundit. Me sa duket, kjo e ka acaruar edhe gazetaren Sibora Bitri, e cila u ka kushtuar një artikull të tërë atyre dhe në fakt, sipas saj, fajin për të gjithë këtë fenomen e kanë meshkujt, të cilët gjithmonë e më shumë janë duke i shtyrë vajzat drejt njëtrajtësimit të fytyrës e pamjes së tyre.
“Më lër të jetoj me trupin dhe fytyrën që zgjohem në mëngjes, me celulit dhe quka në fytyrë, më lër të dashurohem me veten kështu si jam. Po nuk desha veten, harroje se do të dua ty”, – shkruan ndër të tjera Sibora.
Edhe pse artikulli është shkruar në vetën e parë, siç e shpjegon ajo në komente, nuk ka asnjë gjë personale në të, por flitet vetëm për fenomenin e kohëve të fundit, i cili ka rënë edhe më shumë në sy gjatë sezonit të verës.