“Teodor Laço; një producent zviceran na kërkoi me qira atelietë për 500...

“Teodor Laço; një producent zviceran na kërkoi me qira atelietë për 500 mijë dollarë…”?!/ Debati i Ramiz Alisë me drejtuesit e Kinostudios më 1990-ën

529
0

Dashnor Kaloçi

 

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1990, ku ndodhet një proces – verbal i mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila si pikë kryesore të rendit të ditës, kishte “mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike” dhe në atë mbledhje e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari I Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, përveç sekretarëve të Komitetit Qendror si: Foto Çami, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, merrnin pjesë edhe disa prej funksionarëve më të lartë të udhëheqjes partiake e shtetërore të asaj kohe, si: Spiro Dede, Abdyl Backa, Ali Vukatana, Sotir Koçollari, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Lisen Bashkurti, Skënder Gjinushi, Neritan Babamusta, Dhimitër Shandro, Marash Hajati etj. Proces-verbali i plotë i zhvilimit të mbledhjes me bisedat e diskutimet në mes Ramiz Alisë e udhehqjes së lartë partiake e shtetërore të asaj kohe, me drejtuesit kryesorë nga sektori i krijimtarisë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si: Teodor Laço, Dhimitër Anagnosti e Nexhati Tafa, të cilët u ndalën gjatë në problemet e kinematografisë shqiptare.

“Të dy rrugët duket se janë racionale dhe me dobi. Janë të domosdoshme dhe studimet e plota, p.sh. studentët e degës së regjisë në Institutin e Lartë të Arteve, mund të studiojnë për regjisorë pasi të kenë mbaruar 3-4 vjet shkollë. Në përgjithësi dhe në vendet e tjera të botës, regjisorët përgatiten pasi të kenë mbaruar shkollën e lartë. Studimet për regjisurë janë për ta një shkollë e dytë. Madje në mjaft raste ata që përgatiten për regjisurë, nuk shkojnë nga fakultetet e dramës apo të regjisë, por nga fakultetet e tjera, sidomos nga ai i letërsisë. Këtë deri më sot nuk e kemi praktikuar, por me ato të regjisorit, sepse në kohën e tanishme zakonisht regjisori i filmit është dhe autor ose bashkautor i skenarit. Kjo do të ishte njëra rrugë e përgatitjes së plotë profesionale. Rruga e dytë është që kuadrot që kemi, t’i përgatisim me kurse pasuniversitare me periudhë të shkurtër 1 vjeçare për regjisurë. Përshëmbull, ne këtë vit mbyllëm me sukses një kurs pasuniversitar me 4 studentë të regjisurës, të cilët realizuan dy filma të mirë. Për t’u përgatitur në rrugën e parë kemi dërguar një student në Francë që do të studiojë 4 vjet regji. Megjithatë ai është një i vetëm dhe për mendimin tim, duke parë kërkesat që ka sot Kinostudioja, është shumë pak….!”

 

Kështu u shpreh mes të tjerash në fjalën e tij në një nga mbledhjet e sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1990, Teodor Laço, asokohe shef i redaksisë së skenarëve në Kinostudion “Shqipëria e Re”, mbledhje me temë “Mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike”, e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, ku përveç sekretarëve të tjerë të Komitetit Qendror, si Foto Çami, Lenka Çuko dhe Hekuran Isai, ishin të pranishëm edhe pjesa më e madhe e udhëhqjes së lartë partiake e shtetërore e asaj kohe që kishin lidhje direkte apo indirekt me artin e kulturën. Për më shumë se çfarë është diskutuar në atë mbledhje ku përveç Teodor Laços, nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, merrnin pjesë dhe regjisori Dhimitër Anagnosti e skenaristi, Nexhati Tafa, na njeh dokumenti në fjalë me proces-verbalin e asaj mbledhje, që Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë, duke filluar nga ky numër.