Zyrtari i LDK’së: Urime VV’së, deputetët tanë duhet t’ia bëjnë Vjosës kuorumin...

Zyrtari i LDK’së: Urime VV’së, deputetët tanë duhet t’ia bëjnë Vjosës kuorumin për presidente

495
0

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit që e radhisin të parën Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Gazeta Express.

Rugova përmes Facebook-ut, në tri pika ka shkruar për fitoren e LVV-së dhe radhitjen e LDK-së në vend të tretë.

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se uron që Albin Kurti të mbajë premtimet e të mos viktimizohet më tutje.

Sa për Vjosa Osmanin, ai shton se mendon që deputetët e LDK-së duhet të rrijnë në sallë që t’ia bëjnë kuorumin që e njejta të zgjidhet presidente.

“ Urime fituesit. Urojmë që Albini të mbajë premtimet dhe të mos viktimizohet më tutje. Tani e ka kohën që të përqafojë përgjegjësinë që ia kanë dhënë qytetarët dhe të mos aktrojë më.  Sa për Vjosën. Mendoj që deputetët e LDK-së duhet të rrinë në sallë dhe t’ia bëjnë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit. Është shumë me rëndësi që maskat të bien deri në fund dhe që, të gjithë ata votues të LDK-së që i besuan, ta kuptojnë se e tëra, gjithë histeria e saj, ishte vetëm për poste dhe përfitime personale. Në demagogjinë e saj nuk ka as edhe një pikë sinqeriteti dhe kjo do të shihet edhe më shumë në periudhën që kemi para”, ka thënë ai.

“I përshëndes deklaratat e Kryetarit Mustafa dhe Kryeministrit Hoti, megjithatë duhet ta theksoj që nuk kemi kohë për të humbur. Elektorati ynë na ka dënuar dhe ky mesazh është kristal i qartë. Zgjedhjet në total, por edhe disfata jonë në bastionet tona tregon që komplet garda e vjetër, që me vite tani po i ik reflektimit, duhet të japë dorëheqje dhe të largohen menjëherë. Të rinjtë dhe të ardhurit në parti, që e kanë ndihmuar këtë strukturë të vjetër brenda partisë sonë, duhet të reflektojnë dhe të mësojnë nga kjo përvojë. Ka ardhur koha të ndahemi përgjithmonë nga arroganca, narcizmi dhe egot e sëmura.   Le të reflektojmë, le të veprojmë dhe le të kthehemi më të fuqishëm se para.  LDK është pasuri fundamentale e këtij populli”, tha Rugova.