Jacinda Ardern, Kryeministrja që erdhi nga arat dhe u ngjit në majë

Jacinda Ardern, Kryeministrja që erdhi nga arat dhe u ngjit në majë

651
0

Trajektorja e Jacinda Ardern, nga lindja deri më sot, është një vijë e drejtë në ngjitje të vazhdueshme, e rrëfyer nga gazetat në të gjithë botën si një roman i jashtëzakonshëm. Në disa aspekte, sigurisht që është kështu. Megjithatë, ajo e Kryeministres aktuale të Zelandës së Re, e konfirmuar këtë vjeshtë në zgjedhje me 49.1% të votave, është gjithashtu historia normale e një gruaje, që është e lirë të shprehet dhe të drejtojë një vend. Të paktën, ajo që shumë dëshirojnë të bëhet: një shembull i një normaliteti të ri.

 

Lindur në 1980, Ardern u rrit në Murupara, një qytet i vogël me 1,970 banorë, të shpërndarë në fshatrat në jug të Auckland. Në Google Maps është një pikë mbi një hapësirë të gjelbër, aq larg nga qendra e botës sa nuk mund të imagjinoni asgjë të ndodhë atje. Prindërit e saj i përkasin besimit Mormon dhe kishin profesione të zakonshme: babai polic, nëna e punësuar në një mensë shkollore. Puna në ara është një zakon për të gjithë në ato anë, dhe Jacinda, pasdite pas shkollës, si vajzë e re hipte në traktor për të ndihmuar në mirëmbajtjen e tokës së familjes. Mund të jetë me mijëra kilometra larg nga kryeqytetet e Kinës, Evropës, Shteteve të Bashkuara, por ky cep i përgjumur i provincës është gjeografia që ne të gjithë e njohim, në realitet. Në fakt, shumica rriten si Ardern, në skaje. Dhe pa arsim, pa pasione, mbeten atje përgjithmonë.

 

Ajo ishte e zonja dhe spikat shumë herët. Vajza provinciale studion, diplomohet, dashurohet me politikën dhe shkon në Britaninë e Madhe, vendin e huaj ku ndodhin gjëra. Në vitin 2006, në moshën njëzet e gjashtë Vjeç, ajo u bë “më e mira e ekipit” të Tony Blair.  Ajo është e re, është grua dhe vjen nga larg. Duket sikur ato protagonistet e sagave aventureske që nisin një destinacion të ri, me guximim prej pionierësh. Veçse në ato saga, protagonistë ishin gjithmonë dhe vetëm meshkuj.

 

Ardern mund edhe të mos kthehesj më, duke qëndruar në qendrën që ka arritur. Por digjet me një zjarr që e di kushdo që ka lënë provincën: nevojën për të përmirësuar fillimet veta. Kështu që kthehet në Zelandën e Re, në vitin 2008 zgjidhet të drejtojë Socialistët e Rinj dhe, në më pak se një dekadë, ajo do ta gjejë veten duke u betuar si Kryeministre. Në moshën 37 vjeç, dhe shtatzënë.

 

Jacinda Ardern, nga viti 2017 deri më sot, nuk ka bërë asgjë tjetër përveç se të thyejë rekorde dhe të hedhë në erë stereotipe: Kryeministrja e parë femër, Kryeministrja më e re në botë, Kryeministrja që i jep gji foshnjës së vet në asamblenë e përgjithshme të OKB. E sjellshme, e dhembshur, amësore. Por edhe e fortë. Ishte ajo që u përball me masakrën e Christchurch pa u përkulur – 50 myslimanë të vrarë dhe 40 të plagosur – duke i mohuar terroristit, supremacistit të bardhë, deri edhe një emër. Dhe ishte ajo që menaxhoi pandeminë me rezultatet më të mira, përmes dy bllokimeve në kohë dhe të forta, që synonin jo frenimin, por eliminimin e virusit.

 

Efektivitet që e ka bërë të fitojë lëvdata nga çdo pjesë të planetit.

 

Jacinda Ardern është e këndshme, por edhe e përgjegjshme dhe e besueshme. Një person, në fakt, pa maskë, i cili nuk vjen nga një film i ngjitjes së vetmuar në majë, por nga realiteti më i sinqertë: i yni. Një shtëpi, një fshat ku koha kthehet në mënyrë ciklike në vetvete, një komunitet ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin nga i pari tek i fundit, dhe një rrugë që të çon në shkollë.

 

Ka qenë gjithashtu në gojën e të gjithëve, pasi ka mundur të ndërthurë punën me familjen, duke ndarë kujdesin e vajzës së vet me partnerin. Që tingëllon si një revolucion, ndërkohë që besoj se është thjesht një përparim i domosdoshëm: çlirues për të dy, prindërit dhe fëmijët. Të hedhësh në erë definicionet, ndarjet se çfarë është “mashkullore” dhe çfarë është “femërore”, është një hap përpara drejt lumturisë. Nuk është origjina, besimi, mosha, etnia, gjinia që zbulojnë se kush jemi. Eshtë talenti ynë, dëshira që na ka bërë të ndjekim një rrugë të caktuar, për të mbërritur nga një “unë”, tek një “ne”.

 

Skeptikët shkruajnë se kjo është një përrallë e bukur, e mundur vetëm në një vend me 5 milion banorë. Asnjëherë nuk më ka pëlqyer skepticizmi, sepse nuk mendoj se mund të çojë askund.  Unë preferoj ta lexoj historinë e Ardern si një parashikim konkret dhe ndriçues të së ardhmes. / Silvia Avallone, Sette – Bota.al