STUDIMI / Fëmijët shqiptarë po rriten në mjerim, 40% të privuar nga...

STUDIMI / Fëmijët shqiptarë po rriten në mjerim, 40% të privuar nga proteinat, 31% nga frutat

560
0

Një fëmijëri e shëndetshme hedh bazat e hershme të produktivitetit në një shoqëri të civilizuar.

 

Kequshyerja në fëmijëri lë pasoja të përhershme si në zhvillimin fizik dhe kapacitete mendore, duke i bërë ata të rriten të nënshtuar vetëm ndaj nevojave për ushqim. Një studim i INSTAT, që i dedikohet mirëqënjes së fëmijëve dhe adoleshentëve për periudhën 2016-2018, ka gjetur se rreth 40% e fëmijëve në këtë periudhë kanë qenë të privuar që të ushqehen së paku një vakt në ditë me mish, peshk, fasule ose thjerrëza, pasi fëmijët nuk kanë mundësi financiare t’ua sigurojnë.

 

Studimi referon gjithashtu se mbi 31% e fëmijëve nuk kanë mundësi të ushqehen së paku një herë në ditë me fruta dhe perime, qoftë të freskëta apo të përpunuara. Fëmijët shqiptarë janë të privuar edhe nga aktivitetet të tjera që ndikojnë në zhvillimin e tyre të shëndetshëm siç janë veshja, argëtimi dhe aktivitetet jashtë shtëpisë. Mbi 40% e fëmijëve nuk marrin pjesë rregullisht në aktivitete jashtë shtëpisë për një kohë të gjatë të vitit, të tilla si sport, muzikë etj., ndërsa më shumë se 18% e tyre nuk kanë akses në lodrat e përshtatshme në moshën e tyre.

 

Sipas Monitor, mbi 28% e fëmijëve nuk kanë asnjë mundësi të ftojnë shokët dhe shoqet në shtëpi apo të konsumojnë diçka me ta jashtë. Gjithashtu 17% e fëmijëve nuk kanë mundësi të kenë të paktën një veshje të re. Më shumë se gjysma e fëmijëve, rreth 54% e tyre, nuk kanë mundësi të ikin me pushime një javë në vit, qoftë duke shkuar tek një i afërm. Gjithashtu më shumë se një e treta  fëmijëve kanë vështirësi në infrastrukturën mbështetëse për të studiuar. Më shumë se 39% e fëmijëve nuk kanë mundësi të paguajn ekstrat dhe 28% e fëmijëve nuk kanë një hapësirë të përshtatshmëe në shtëpi për të studiuar.