Konferenca me Ramën, Merkel flet për marrëveshje në KE: Në mars do të ketë një datë për çeljen e negociatave

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se do të dëshironte hapjen e negociatave në mars dhe se Shqipëria ka punuar shumë për këtë. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Merkel ka theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur shumë dhe duhet të marrin meritën e tyre.

 

‘Mbi të gjitha, ne duam të arrihet një marrëveshje në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vende kanë një sukses të konsiderueshëm dhe kanë punuar fort. Unë besoj qe e ardhmja e këtyre dy vendeve është në Bashkimin Evropian. Ne do të punojmë tani që këto arritje të marrin meritën e tyre me një rezultat në mars’, tha ndër të tjera Merkel.

 

Fjala e plotë:

 

Të nderuar zonja e zotërinj,

I uroj mirëseardhjen Kryeministrit, z.Edi Rama. Jam e gëzuar sot që mund të flasim për marrëdhëniet dypalëshe në këtë takim, gjithashtu do të kemi mundësi të kujtojmë dhe tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri.

Shumë njerëz kanë humbur strehët e tyre.

Mbi 50 viktima humbën jetën. Unë jam e gëzuar që Komisioni ka dërguar ftesat për një konferencë donatorësh dhe Gjermania do të marrë pjesë në këtë konferencë. Bashkëpunimi dhe gadishmëria në rajon për ndihmë ka qenë mbresëlënëse. Megjithatë kjo ishte një goditje e rendë për Shqipërinë. Ne do të flasim për një seri të marrëdhënieve dypalëshe, për marrëdhëniet ekonomike dhe kursin e reformave të Shqipërisë.

Dëshiroj të them në mënyrë të qarte se në lidhje me reformën në drejtësi janë arritur shumë gjëra. Dhe kjo reformë duhet të vazhdojë në mënyrë të tillë që të përmbyllet.

Kjo reformë ka një rëndësi qëndrore për të ardhmen e Shqipërisë. Për qeverinë federale gjermane dua të them që ne i përmbahemi qartësisht perspektivës së Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ne duam që këto shtete të përafrohen me BE dhe para se gjithash duam të arrijmë që në takimin e ardhshëm të Këshillit të Evropës në mars të arrijmë një dakordësi për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Te dyja vendet kanë suksese të konsiderueshme. Dhe keto janë regjistruar nga Këshilli i Evropës dhe ne do të punojmë fort që në mars të arrijmë rezultate. Unë besoj qe e ardhmja e këtyre dy vendeve është në Bashkimin Evropian.

Kjo është dhe në interesin tonë, ai që e shikon mirë hartën dhe njeh kuadrin gjeopolitik ai e di që është mirë për të gjithë sikur një ditë të jenë anëtarë të BE.

Komisioni i ri Evropian synon të jetë dhe një komision që synon të theksojë dhe dimensionin gjepolitik dhe prandaj kjo i jep edhe më shumë shkas për ta çuar me vendosmëri përpara këtë proces.

 

Author: vizional