Ndoshta shumica prej jush nuk e kanë parë kurrë zotërinë në foton e mësipërme, të tjerë edhe mund të jenë ndeshur me të rrugëve të Vlorës ku prej vitesh punon si zjarrfikës. Ai quhet Luan Kapaj, heroi i palodhur, i cili ditën e djeshme së bashku me kolegët e tij nuk reshti një sekondë, duke u përpjekur të nxjerrë gjallë nga rrënojat e tërmetit, personat nën gërmadha.
Duke treguar për punën e tij dhe të kolegëve, Kapaj shprehet: “Jam betuar që do të jem zjarrfikës dhe do t’i shërbej popullit tim, në çdo moment të vështirë të jetës që do të dal dhe do të rrezikoj jetën time për të shpëtuar jetën e tjerëve. Ishin momente të vështira, por jemi betuar që do të bëjmë detyrën dhe ia dolëm të shpëtojmë jetë njerëzish nën rrënoja. Ishte një tunel që mezi u futëm për t’i shpëtuar, nxorëm të gjallë një grua dhe një burrë,por fatkeqësisht lamë edhe dy jetë atje.”
Ditën e djeshme kur fuqitë e tij u duk se shterën dhe Urgjenca Kombëtare Shëndetësore, e detyroi të shtrihej mbi barelë, Luan Kapaj refuzoi maskën e oksigjenit dhe u rikthye tek gërmadhat, në kërkim të jetëve që kërkojnë shpëtim.