Sot 6 vite pa Sokol Olldashin, publikohet videoja e rrallë e ish-deputetit

Sot 6 vite pa Sokol Olldashin, publikohet videoja e rrallë e ish-deputetit

391
0

Sot shënohen gjashtë vite nga aksidenti tragjik, që i mori jetën një prej figurave kryesore në Partinë Demokratike, Sokol Olldashit. Ish-deputeti Olldashi humbi jetën më 20 nëntor të vitit 2013, teksa udhëtonte me makinën e tij nga Elbasani drejt Tiranës.

Në këtë përvjetor, miku i tij, Çim Rexha, ka publikuar një video të rrallë në rrjetet sociale, ku Olldashi shfaqet duke luajtur kitarë.

Në videon e filmuar disa vite më parë, shfaqet në 30 sekonda ish-deputeti i ndjerë demokrat, teksa shpalos talentin edhe në muzikë.

Sokol Olldashi ka qenë një ndër studentët e ngjarjeve të Dhjetorit ’90 dhe katër herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ai e nisi karrierën e tij si gazetar dhe kreyeredaktor i gazetës ‘Albania’.

Ndërsa në vitin 2001 u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Katër vite më vonë, Olldashi u rizgjodh në Kuvend, me fitoren në Shijak.

Pasi fitoi mandatin e dytë të deputetit ai u emërua në krye të Ministrisë së Brendshme, post të cilin e mbajti nga viti 2005 deri në fillim të vitit 2007.

Në këtë kohë kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, garë që ai e humbi përballë Edi Ramës. Më pas, Sokol Olldashi mori postin e ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike deri në shtator të 2013. Pas humbjes së Partisë Demokratike më 23 qershor dhe dorëheqjes së Sali Berishës, Olldashi kandidoi për postin e kryetarit të PD, përballë Lulzim Bashës, post që u fitua nga ky i fundit.