Këmbimi i territoreve ose ndryshimi i kufijve nuk ndikojnë për stabilitetin në rajon, thotë ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në intervistën ekskluzive me Adelheid Feilcke, në prag të vizitës së tij në rajon.
Deutsche Welle: Refuzimi i fillimit të premtuar të bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është një moment i hidhur për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Por edhe për Gjermaninë, e cila është angazhuar shumë në Ballkanin Perëndimor me anë të Procesit të Berlinit, duke e mbështetur fillimin e bisedimeve për të dy vendet. Ju jeni duke shkuar tani në Shkup për t’ i shprehur solidaritetin gjerman rajonit. Çfarë do të ofroni konkretisht atje?
Heiko Maas: Për Gjermaninë është e qartë: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë integrale e Europës dhe e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian. Një pjesë e konsiderueshme e vendeve të BE, e mbështesin fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse kjo është edhe në interesin tonë strategjik. Por për këtë çështje na duhet unanimiteti brenda BE-së, dhe për të arritur këtë jemi duke punuar. Gjermania është duke luftuar me të gjitha forcat, për të arritur një qëndrim të përbashkët në BE, që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë shpejt. Unë dua edhe një herë ta bëj këtë gjë të qartë në Shkup.
Deutsche Welle: Nuk duket që Franca, Presidenti Macron, dhe kundërshtarët e tjerë të zgjerimit të kenë ndër mend të ndryshojnë mendimin. Cila është strategjia juaj për Ballkanin Perëndimor nëse BE vazhdon ta bllokojë zgjerimin? Çfarë do të bëjë Gjermania?
Heiko Maas: Forca e Bashkimit Europian ekziston në faktin se në fund ne gjithnjë gjejmë një zgjidhje, edhe kur temat janë të vështira. Unë jam i sigurt, se ne do ia dalim edhe kësaj herë. Presidenti Macron, ka shpjeguar se krah vazhdimit të reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, i domosdoshëm është edhe reformimi i procesit të zgjerimit në BE. Për këtë ne do të zhvillojmë javën e ardhshme bisedime intensive në BE.
Por, njëkohësisht edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë pa ndalur procesin e reformave, në mënyrë që të arrijnë suksese të tjera. Sidomos tani duhet që nëpërmjet sukseseve të binden edhe ata skeptikë që kanë mbetur. Gjermania do të angazhohet që të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE.
Deutsche Welle: Çfarë prisni të bëjnë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në këtë situatë të vështirë? Sepse në fund edhe “po” -ja e Francës dështoi gjatë vlerësimit të proceseve reformuese të dy vendeve…
Heiko Maas: Unë dua t’u jap zemër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si edhe vendeve të tjera të rajonit që të vazhdojnë me konseguencë kursin reformues edhe për një arsye tjetër: Reformat nuk shërbejnë vetëm për afrimin me BE, ato janë të rëndësishme sepse janë në dobi të njerëzve. Forcimi i shtetit të së drejtës, luftimi me vendosmëri i korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar janë detyrat kryesore të çdo qeverie, që do të ardhmen e vendit të vet. Edhe opozita mban përgjegjësi. Konkurenca politike dhe idetë konkuruese, që janë të zakonshme dhe të domosdoshme në demokraci nuk duhet ta paralizojnë zhvillimin e vendit.
Deutsche Welle: Kryeministri maqedono-verior, Zoran Zaev e pati lidhur fatin politik tl tij me fillimin e bisedimeve të pranimit. Tani vendi ndodhet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, e cila refuzon hapur Marrëveshjen e Prespës, ka marrë shumë pikë në prognoza. Do të thotë kjo se kjo parti do të anullojë marrëveshjen nëse vjen sërish në pushtet? Çfarë do të bëni për ta penguar këtë gjë?
Heiko Maas: Marrëveshja e Prespës quhet me të drejtë marrëveshje historike. Maqedonia e Veriut dhe Greqia shuan me të një konflikt që zgjati gati tre dekada. Marrëveshja hapi derën për afrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Kështu të dy vendet u kthyen në shembull për rajonin e më gjerë. Ato treguan se edhe konflikte, që mendohet se janë të pazgjidhshme mund të zgjidhen me forcë udhëheqëse, guxim dhe largpamësi dhe se kompromiset e vështira janë të mundshme. Shumë shpejt ne do të mirëpresim Maqedoninë e Veriut si vendin e 30-të anëtar të NATO-s. U hoq kështu edhe një pengesë në rrugën drejt BE. Unë nuk e imagjinoj dot që dikush mund ta shkatërrojë këtë shanc, sepse në nivel ndërkombëtar Maqedonia e Veriut do të futej kështu në qorrsokak.
Deutsche Welle: Aq sa e kënaqur është Gjermania për procesin e reformave të Shkupit, aq të vështirë e ka që të arrijë një konsensus sa i përket Shqipërisë. Ka një vit që Shqipëria ndodhet në krizë të thellë në politikën e brendshme, zgjidhja e të cilës nuk duket të vijë: Opozita bojkoton parlamentin dhe kërkon zgjedhje të reja. Reformimi i ligjit të zgjedhjeve është një nga kushtet që Gjermania i ka vendosur Shqipërisë për të hapur perspektivat e pranimit në BE… Por në këtë fushë nuk shihet ndonjë lëvizje. A mos duhet korrigjuar vendimi pozitiv që është marrë për Shqipërinë?
Heiko Maas: Vendimi ynë për të mbështetur bisedimet e pranimit me Shqipërinë ishte i drejtë. Ai u rekomandua edhe nga Komisioni i BE. Po ashtu është formuluar qartë çka priten ende nga hapat reformues që duhen hedhur.
Reforma në fushën e drejtësisë, me të cilën Shqipëria po tregon një shembull të mirë në rajon është në rrugën e duhur. E rëndësishme ështëm që tani të gjithë të kontribuojnë që Gjykata Kushtetuese të fillojë pa u vonuar punën. Edhe reformimi i ligjit të zgjedhjeve do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile. Ne jemi të sigurt, se për reformat që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR mund arrihet marrëveshje pa humbur kohë. Parlamenti është vendi ku zhvillohen konfrontimet politike. Tani duhen propozime konstruktive dhe bashkëpunime serioze në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.
Deutsche Welle. A nuk do të ishte më mirë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të trajtohen të ndara?
Heiko Maas: Në procesin e pranimit çdo vend gjykohet sipas punës që ka bërë. Duke pasur parasysh hapat e sukseshshëm refomues, Komisioni Europian vendosi që në vitin 2018 se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet për fillimin e bisedimeve. Kështu që Komisioni dha rekomandimin që të fillonin bisedimet e pranimit me të dy vendet. Në maj të 2019, Komisioni përsëriti vlerësimet dhe rekomandimet. Qeveria gjrmane i dërgoi vlerësimet e veta Komisionit Europian dhe kërkoi në Këshill fillimin e bisedimeve të pranimit me të dy vendet. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë.
Deutsche Welle: Mbas takimit të fundit të nivelit të lartë të BE shumë vetë thonë se BE nuk i mbajti premtimet dhe se zgjerimi i BE nuk ka mbështetje. Kështu që ka filluar të flitet për koncepte të reja për rajonin si mini-Shengen, modeli norvegjez, etj. Si i vlerësoni këto alternativa të tjera kundrejt integrimit në BE?
Heiko Maas: Ne nuk shohim të ketë alternativa të tjera përveç procesit të pranimit në BE, nëse duam që të ruajmë interesin për reforma serioze dhe të qëndrueshme, si për shembull në fushën e shtetit ligjor. A mund të përmirësohet procesi ekzistues? Kjo është një çështje tjetër.
Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal plotëson procesin e pranimit në BE. Forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimi ekonomik janë në favor të secilit prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ato e bëjnë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi më interesant. Me procesin e Berlinit ne mbështesim prej vitesh këto përpjekje dhe kemi arritur shumë, si për shembull kemi krijuar organizatën rajonale të të rinjve RYCO, dhe praktikisht, kemi ulur tarifat për roaming.
Deutsche Welle: Ndërkohë që BE është e përçarë dhe e paralizuar kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, duke humbur kështu besueshmërinë dhe forcën rrezatuese, SHBA është duke u bërë edhe më aktive. Ideja e këmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës është kthyer në tavolinë. Çfarë është duke bërë Gjermania dhe Europa kundër kësaj, dhe si e vlerësoni ju angazhimin rus në rajon?
Heiko Maas: Bashkimi Europian mbështet perspektivën e një jete në liri, siguri dhe mirëqënie relative. Askush nuk ofron ndonjë model tjetër që të konkurojë këtë model. Krah kësaj, BE është donatori më i madh në rajon me miliardat e ndihmës që jep dhe infstrumentat e shumtë këshillues. Përveç nivelit europian, Gjermania angazhohet me shuma qindramilionëshe edhe në bashkëpunimin bilateral.
Sa i përket idesë së këmbimit të territoreve ose ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, ne nuk mendojmë se kjo kontribuon për stabilitetin në rajon. Ajo që mbështesim ne është rifiilimi i shpejtë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE, duke pasur si synim një marrëveshje të gjithanshme që t’i mundësojë të dy vendeve afrimin me BE.
Ne dëshirojmë një bashkëpunim konstruktiv me Rusinë, edhe nëse kemi ndryshime pikëpamjesh. Ne e kuptojmë po ashtu se është e rëndësishme që të ruhen marrëdhëniet e mira dhe lidhjet kulturore. Kjo nuk është në kundërshtim me antarësimin në BE./ DW