Studiuesi Aurel Plasari, ka denoncuar rreth një orë më parë kërcënimin që i është bërë me mesazh nga i njëjti person që kërcënoi me jetë kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri dhe familjen e tij.
Përmes një statusi në ‘Facebook’, Plasari shprehet se Emiljano Pjetri me gjasa është i njëjti person, por nuk ka dashur ta bëjë publike.
Sipas Plasarit, kjo është fryma që kryeministri Rama ka përgatitur 30 Qershorin, ndërsa ironizon dhe ministrin Lleshaj duke thënë se ky i fundit ruan gazin lotsjellës dhe jo mbrojtjen e personave.
Statusi i plotë:
KËRCËNIME NDËRSA MINISTRI LLESHI RUAN GAZIN
Lidhur me kërcënimin ndaj Kryetari i KQZ Klement Zguri do të duhet saktësuar emri i përdorur nga kërcënuesi, sepse nga një emër pakashumë i tillë më është dërguar edhe mua një kërcenim i tërthortë dhe poshtanik, më datë 28 qershor nga fb me emrin “Emiljano Pjetri”, pra me gjasë i njëjti kërcënues.
Nuk kam dashur ta bëj publik duke më mjaftuar të kuptoj se në ç’frymë u përgatit 30 qershori i Edi Ramës.
Ndonëse e di që për mbrojtjen time dhe të të mijve nuk mobilizohet ndonjë “gardë”, po e bëj publik tani së paku si të fala për ministrin Lleshi që ruan gazin lotsjellës.