Armiku midis nesh: Ja si pabarazia dëmton shëndetin tonë mendor

Armiku midis nesh: Ja si pabarazia dëmton shëndetin tonë mendor

643
0

Nga Kejt Piket & Riçard Uilkinson

 

Kur njerëzit pyesin se çfarë ka më shumë rëndësi për lumturinë dhe mirëqenien e tyre, ata kanë prirjen të flasin për rëndësinë e marrëdhënieve të tyre me familjen, miqtë dhe kolegët. Bota e tyre intime, rrjetet e tyre personale kanë një domethënie më të madhe për ta, sesa të mirat materiale, të ardhurat ose pasuria.

 

Shumica e njerëzve, ndoshta nuk reflektojnë mbi çështjet më të gjera strukturore që kanë të bëjnë me politikën dhe ekonominë, dhe që s’kanë në dukje lidhje me shëndetin dhe mirëqenien e tyre emocionale, por në fakt edhe këto fundit ndikojnë. Ne e dimë prej kohësh, që pabarazia shkakton një gamë të gjerë problemesh shëndetësore dhe sociale, duke përfshirë gjithçka, nga ulja e jetëgjatësisë dhe vdekshmëria më e lartë foshnjore, deri tek arritjet e dobëta në arsim, lëvizshmëri sociale më e ulët, dhe shkallë më e lartë e nivelit të dhunës.

 

Dallimet në këto zona, midis shoqërive gjithnjë e më pak të barabarta janë të mëdha, dhe të gjithë janë të prekur prej tyre. Në librin tonë “Niveli i shpirtit” i vitit 2009, ne supozojmë se kjo ndodh për shkak se pabarazia e shton presionin për nivelin e shtresës dhe statusit shoqëror tek ne, duke i bërë krahasimet sociale më problematike, dhe duke rritur distancat shoqërore dhe psikologjike midis njerëzve.

 

Në librin tonë të ri, “Niveli i brendshëm”, ne bashkojmë një grupim të fortë provash, që tregojnë se ishim në rrugën e duhur:pabarazia ndikon në thelbin e botës tonë personale, dhe shumica dërrmuese e popullsisë preket nga rrugët në të cilat pabarazia bëhet armiku mes nesh.

 

Ajo që ndodh midis nesh dhe njerëzve të tjerë, janë të gjitha gjërat që na bëjnë të ndihemi të huaj me njëri-tjetrin, të shqetësuar për mënyrën se si të tjerët na shohin, dhe të turpshëm dhe të çuditshëm në shoqëri – me pak fjalë, të gjitha shqetësimet tona sociale.

 

Për disa njerëz, këto shqetësime bëhen aq të rënda saqë kontakti shoqëror, bëhet një përvojë e hidhur, dhe ata tërhiqen nga jeta sociale. Të tjerë vazhdojnë të marrin pjesë në jetën shoqërore, por janë të shqetësuar nga shqetësimi i vazhdueshëm, se nuk kanë çfarë gjëje interesante t’u tregojnë të tjerëve, dhe druhen se mos shihen nga ata si të mërzitshëm, budallenj apo jo tërheqës.

 

Mjerisht, ne të gjithë tentojmë të ndiejmë se këto shqetësime janë dobësitë tona personale psikologjike, dhe se ne duhet t’i fshehin ato nga të tjerët, t’i nënshtrohemi ndonjë psikoterapie, apo të përpiqemi t’i kapërcejmë vetë. Por një sondazh i kohëve të fundit i Fondacionit të Shëndetit Mendor, zbuloi se 74 për qind e të rriturve në Britani, ishin me raste aq të stresuar vitin e kaluar sa që ndiheshin plotësisht të demoralizuar dhe të paaftë për t’u përballuar me situatën. Një e treta kishte mendime për vetëvrasje, dhe 16 për qind e kishin lënduar veten në një moment të jetës. Shifrat ishin shumë më të larta tek të rinjtë.

 

Në SHBA, normat e vdekshmërisë janë në rritje, veçanërisht për burrat dhe gratë e moshës së mesme të shtresës së mesme, për shkak të “dëshpërimit”, që do të thotë vdekje për shkak të varësisë nga droga dhe alkooli, vetëvrasjes dhe aksidenteve automobilistike.

 

Një epidemi e stresit duket se po kulmon disa nga vendet më të pasura në botë. Pabarazia socioekonomike ka rëndësi të madhe, për shkak se forcon besimin se disa njerëz vlejnë më shumë se të tjerët. Ata në krye duken jashtëzakonisht të rëndësishëm, dhe ata në fund shihen si thuajse të pavlerë. Në shoqëritë më të pabarabarta, ne e gjykojmë njëri-tjetrin më shumë nga statusi, dhe shqetësohemi më shumë mbi mënyrën se si na gjykojnë të tjerët.

 

Studimet në 28 shtete evropiane, tregojnë se pabarazia rrit ankthin mbi statusin asocial në të gjitha grupet e të ardhurave, nga 10 përqindëshi më i varfër tek 10 përqindëshi më i pasur. Të varfërit janë më të prekurit, por edhe 10 përqind e popullsisë më të pasur, është më e shqetësuar për statusin në shoqëritë e pabarabarta.

 

Një tjetër studim i asaj se si njerëzit përjetojnë statusin e ulët shoqëror në vendet e pasura dhe të varfra, ka zbuluar se pavarësisht ndryshimeve të mëdha në standardet e tyre materiale të jetesës, njerëzit në mbarë botën që jetojnë në varfëri relative, kishin një ndjenjë të fortë turpi, dhe mendonin se ata ishin dështakë:të jesh në fund të shkallares sociale, ndjen të njëjtën gjë, edhe nëse jeton në Britaninë e Madhe, Norvegji por edhe Ugandë apo Pakistan.

 

Prandaj, vetëm ngritja e standardeve të jetesës materiale, nuk është e mjaftueshme për të prodhuar një mirëqenie të vërtetë, ose cilësi jetese përballë pabarazisë. Edhe pse duket se shumica dërrmuese e popullsisë është e prekur nga pabarazia, ne reagojmë në mënyra të ndryshme për shqetësimet sesi na shohin dhe na gjykojnë të tjerët.

 

Siç tregojmë në “Niveli i brendshëm”, një mënyrë është që të ndjehemi psikologjikisht të ngarkuar dhe të shtypur nga mungesa e besimit, ndjenjat e inferioritetit dhe vetëvlerësimi i ulët, dhe kjo çon në nivele të larta depresioni dhe ankthi në shoqëritë më të pabarabarta.

 

E dyta është që të njohësh vlerën e arritjeve të tua qoftë edhe modeste, të “përmirësosh vetveten”, dhe të bëhesh narcisist. Simptomat psikotike si deliret e madhështisë, janë më të zakonshme në vendet më të pabarabarta, siç është skizofrenia.

 

Një përgjigje e tretë, është gjetja e mënyrave të tjera për të kapërcyer atë që psikologët e quajnë “kërcënimi nga vlerësimi social” nëpërmjet drogës, alkoolit ose lojërave të fatit, nëpërmjet rehatisë nga ngrënia me tepri, apo nëpërmjet konsumit të tepërt.

 

Ata që jetojnë në vende më të pabarabarta, kanë më shumë gjasa të shpenzojnë para në makina të shtrenjta dhe në dyqane për mallra që tregojnë status; dhe ata kanë më shumë gjasa të kenë nivele të larta të borxheve personale, pasi përpiqen të tregojnë se nuk janë “njerëz të klasit së dytë”, kur janë duke blerë “gjëra të klasit të parë”.

 

Në librin tonë të dytë, ne shqyrtojmë dy nga mitet kryesore që disa komentatorë, përdorin për të justifikuar vazhdimin dhe tolerancën e pabarazisë. Së pari, duke shqyrtuar të kaluarën tonë evolucionare dhe historinë tonë si të barabartë, bashkëpunues, duke ndarë gjahtarët nga mbledhësit, ne përhapim idetë e rreme që njerëzit janë në natyrën e tyre konkurrues, agresivë dhe individualistë.

 

Pabarazia nuk është e pashmangshme, dhe ne njerëzit i kemi të gjitha aftësitë psikologjike dhe shoqërore për të jetuar ndryshe.  Së dyti, ne gjithashtu merrem me idenë se nivelet aktuale të pabarazisë pasqyrojnë një “meritokraci’ të justifikuar, ku ata me aftësi natyrore ngjiten më lart, dhe të paaftët mbeten në fund.

 

Në fakt e kundërta është e vërtetë:pabarazitë në të ardhura, kufizojnë barazinë e mundësive; dallimet në arritje nxiten nga pabarazia, në vend që të jenë pasojë e saj. Së fundmi, ne argumentojmë se pabarazia është një pengesë e madhe për krijimin e ekonomive të qëndrueshme, që shërbejnë për të maksimalizuar shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve dhe planetit. Për shkak se konsumizmi ka të bëjë me vetë-përmirësimin dhe konkurrencën e statusit, ai intensifikohet nga pabarazia.

 

Çfarë mund të bëhet? Hapi i parë është njohja e problemit dhe sensibilizimi. Fuqizimi i njerëzve për të parë rrënjët e stresit të tyre, jo tek dobësitë e tyre personale, por në ndarjen e pabarazisë, dhe vënia  e theksit tek superioriteti mbi inferioritetin, është një hap i domosdoshëm për çlirimin e kapacitetit tonë kolektiv për të luftuar për ndryshim.

 

Ne besojmë se shtrirja e të drejtave demokratike për punëtorët, integron më shumë barazi në çdo kulturë.  Natyrisht, do të donim të shihnim edhe më shumë taksa, dhe veprime progresive ndaj evazionit fiskal edhe në parajsat fiskale. Ka shumë mënyra për të trajtuar pabarazinë në nivel ndërkombëtar, kombëtar dhe lokal, kështu që ne të gjithë duhet të punojmë në mënyra që i përshtaten aftësive dhe vlerave tona.

 

Burimi: “Open Democracy”