REKUEM PËR TY SHOTË/ Nga Azgan Haklaj

REKUEM PËR TY SHOTË/ Nga Azgan Haklaj

605
0

E dashur Shotë Haklaj, dhembja për ty na është kthyer në krenari dhe gjaku yt në një pishtar të përjetshëm lirie, të cilin unë së bashku me familjen time, me mijëra demokratë, qindra artistë nga të gjitha trevat e trojeve etnike e përcjellim me krenari si pishtar olimpik në çdo cep të Atdheut. Ti ngadhnjeve mbi terrorin e errësirën dhe fluturove si shqipe e lirë drejt parajsës, aty ku e kanë vendin djemtë e vajzat si ti të cilët janë martirizuar për Lirinë, për Demokracinë dhe Fjalen e Lirë. 16 vjet më parë ndërrove jetë duke lënë pas emrin dhe shembullin e ndritur të një vajze, e cila ashtu si Shote Galica nuk u tremb përballë çetnikëve e terrorit shtetëror. Në çdo përvjetor tandin ne vijmë me betimin solemn për të qënë më të vendosur në rrugën në të cilën ti ece, rrugë të cilën ta ndërpreu në mes terrori shtetëror në lulen e rinisë. Demokratët shqiptarë, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, populli i Tropojës dhe të gjithë ata për të cilët është e shenjtë Liria e Fjalës, të Drejtat e Njeriut dhe Demokracia, të kujtojnë me nderim dhe mirënjohje. Trupin tënd të njomë do ta tretë dheu i zi. Guximi yt do të mbetet frymëzim për çlirimin e Fjalës së Lirë nga vargonjtë e pushtetit autoritarist. Kujtimi yt do të jetë i përjetshēm! Shpirti yt u prehtë në paqe!