Kryetari i ngrirë i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka cilësuar zgjedhjet e 25 qershorit si triumf të paligjshmërisë. Ai kërkoi nga OSBE/ODIHR një qëndrim realist mbi problemet e rëndë që sipas tij shoqëruan procesin zgjedhor të 25 qershorit, kryesisht në blerjen e votës. Në një takim që pati me kreun e misionit të OSBE/ODIHR Peter Teljer, Basha tha se “vëtëm një qëndrim i tillë do të ndihmonte Shqipërinë dhe shqiptarët për të dalë nga ky stad i avancuar i zëvendësimit të demokracisë me një regjim që për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve, mbështëtet tek krimi, droga dhe korrupsioni galopant.”
Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit të PD thuhet se “Basha e njohu Ambasadorin Peter Teljer, me problemet e mëdha të zgjedhjeve, dhe me faktin se procesi i 25 qershorit jo vetëm nuk e shëroi plagën e zgjedhjeve, por përkundrazi e thelloi dhe ekspozoi më shumë atë.”
Në njoftim thuhet gjithashtu se “Basha theksoi se problemi i blerjes masive të votave u shtri në të gjithë vendin me përmasa masive dhe organizim sistematik në zona urbane dhe rurale, shoqëruar nga mbledhja e kartave të identitetit. Përvec angazhimit në shitblerje votash të strukturave partiake të PS dhe partive të tjera qeveritare u aktivizuan po ashtu bandat kriminale që vepronin pa asnjë pengesë dhe në disa raste me ndihmën e strukturave shtetërore, si dhe vetë strukturat shtetërore”.
Në ndihmë të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u përdor edhe shumëfishimi i listës së përfituesve të ndihmës ekonomike në këmbim të votës, punësimet masive në administratë dhe ente publike etj. Një rol të vecantë në shtrirjen masive të shitblerjes së votave ka luajtur paraja e përfituar nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike nga bandat kriminale me lidhje dhe mbështetje qeveritare, vuri në pah Basha gjatë takimit me misionin e OSBE/ODIHR.
“Basha i cilësoi zgjedhjet e 25 qershorit një triumf të paligjshmërisë. Vetëm Partia Demokratike konkuroi me një program, dhe nuk u përlye në shitblerje votash dhe angazhim bandash kriminale”, thuhet në njoftimin e PD.
Të pranishëm ishin edhe Spaho dhe Bylykbashi të cilët sollën shembuj konkretë të konstatimit dhe të hapave ligjorë që kishin ndërmarrë në Elbasan dhe në Durrës në rastet e kapura të blerjes së votës, hapa që nuk sollën asnjë rezultat, pasi në rastin e parë policia nuk ndërmori asnjë veprim dhe në rastin e dytë, banditët e detyruan të tërhiqej qytetarin që ishte gati të dëshmonte.
“Këto nuk ishin zgjedhje demokratike, tha Lulzim Basha, por prova e fundit e vdekjes klinike të zgjedhjeve të lira në Shqipëri.”