Pse Europa “pushtoi” botën

Pse Europa “pushtoi” botën

557
0

Nga Robert Fulford

 Kina shpiku barutin, dhe bota arabe shënoi përparime të rëndësishme në fushën e matematikës. Por pse ishte Evropa ajo që doli  në krye? Kjo është një pyetje, të cilën historianët e kanë shtruar për dekada të tëra. Në vitin 1000, teksa filloi mijëvjeçari i dytë, evropianët ishin të vrazhdë e të paaftë, dhe askush nuk premtonte diçka të mirë. Asokohe, ishte e pamundur të imagjinohej sesi kontinenti do të përfundonte duke dominuar globin, përhapur gjuhët, kulturën dhe  produktet e tij, tek të gjitha kombet e tjera. E megjithatë, deri në vitin 1900, Evropa dhe kolonitë e saj si SHBA-ja dhe Kanadaja, ishin  më të pasurat dhe më të fuqishmet, se e gjithë pjesa tjetër e botës. Si ndodhi kjo? Kjo nuk është thjesht një çështje akademike. Në vitin 2015, implikimet e tij qëndrojnë tek të gjitha tregimet e suksesit kombëtar dhe  tragjedive, për të cilat ne mendojmë ditë për ditë. Të gjithë njerëzit jetojnë me pasojat e triumfeve të mëdha politike, më të mëdha që  prej ngritjes së Perandorisë Romake. A ishte fuqia industriale arsyeja pse Evropa triumfoi? Jo, sepse në vitin 1800, kur Revolucioni Industrial sapo kishte nisur, Evropa e  kishte shtrirë tashmë pushtetin në afro 35 përqind të globit (vetë Evropa përbën 8 përqind). A ishin sëmundjet që çuan evropianët  me vete në vendet që ata pushtuan, ato që i dëmtouan armiqtë potencialë? Jo, popullsitë vendase, ndërsa u shfarosën nga lija dhe  fruthi, besonin se këto sëmundje mbanin mjaftueshëm larg ushtarët spanjollë, portugezë dhe britanikë. Pushtuesit e famshëm nga Spanja, Hernando Kortes dhe Francisko Pizaro, drejtuan një ushtri prej vetëm disa qindra  ushtarësh, luftuan me ushtritë vendase që ishin mijëra. Ata humbën disa beteja, por në mënyrë të pashmangshme i fituan luftërat. Në vitin 1533, Kortes rrëmbeu perandorin Aztek, Atahualpa, duke demonstruar kështu superioritetin spanjoll. Ai e mori peng  perandorin në bordin e një anije spanjolle dhe gjuajti me top vendin. Atahualpa, të cilin Kortes më vonë e vrau, ishte sundimtari i  fundit vendas i Aztekëve. Duke provuar një pije të quajtur Xocolatl, Kortes e njohu vlerën e saj dhe krijoi një rrjet plantacionesh  kakaoje në të mbarë Karaibet. Spanja, përfundoi duke u bërë dominuese e biznesit të çokollatës për shumë vite. Zhurma e atyre topave shpalli fundin e pavarësisë për vendasit e Amerikave, dhe fillimin e hegjemonisë së evropianëve. Ishte  baruti, dhe të gjitha teknikat dhe strategjitë që e shoqëronin, që udhëhoqën dhe i dhanë formë këtij ndryshimi të rëndësishëm në  pushtetin botëror. Filip Hofman, një historian i ekonomisë në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni, ka shkruar një libër të bazuar në fakte të sigurta, në  të cilën ai lë mënjanë shumicën e shpjegimeve të mëparshme dhe jep përgjigjet e tij në librin “Përse Evropa e pushtoi botën”?  (Princeton University Press). Është sigurisht një fakt i pakëndshëm për t’u menduar, por puna kryesore e Evropës për shekuj me radhë ishte lufta – dhe se ky  obsesion, u shndërrua në një avantazh të madh të saj, kur filloi të pushtojë dhe skllavërojë pjesë të mëdha të njerëzimit. Për shkak  se ka patur shumë shtete, të udhëhequra nga kaq shumë sundimtarët egomaniakalë, një militarizim i pamëshirshëm e dominoi  kontinentin. Kultura e luftës, lulëzoi nën një atmosferë krijuese dhe konkurruese. Çdo gjë është bërë për të rritur saktësinë dhe shpejtësinë.  Inovacioni ushqeu risitë. Teknologjia e barutit u bë në mënyrë të vazhdueshme, më vdekjeprurëse dhe efektive. Sot liderët  premtojnë paqe dhe prosperitet. Për qindra vjet, mbretërit europianë premtuan të njëjtën gjë. Princat u rritën duke ëndërruar luftën, në atmosferën rivalizuese të Evropës pas Mesjetës. Si mbretër, ata zhvilluan luftëra dhe në  çdo njërën prej tyre përmirësuan përdorimin e teknologjisë së barutit. Ata mësuan të prodhojnë topa që mund të montoheshin në  anije, artilerinë e lehtë që përdorej shpejt kur ishte e nevojshme, dhe vendosjen e armëve për të mbrojtur kalatë. Edhe kur humbisnin një betejë, ata kridheshin në mendime se si të vidhin idetë më të mira të armiqve të tyre. Kjo është ajo që e bëri  imperializmin të mundur, dhe që rezultoi në krijimin e kolonive evropiane në Afrikë, Amerikë dhe Azi. Kombet evropiane kontrolluan,  për periudha afatshkurtra apo afatgjata, 84 për qind të botës. Teknologjia e avancuar e barutit, edhe kur nuk u përdor, i tmerronte ata që nuk e zotëronin atë. Ajo ndërkaq tërhoqi aleatë në mesin  e vendasve, të cilët dëshironin të ishin në anën e pushtetit. Kjo ndodhi vetëm në Evropë, pasi kjo e fundit ishte një hapësirë që  mbeti politikisht e fragmentuar. Monarkitë konkurruese, i rezistuan çdo sugjerimi që ata të bashkoheshin, në vend se të provokonin njëri-tjetrin. Dhe mbretërit  krenarë, ishin shpesh të kënaqur të provokoheshin. Ata kryenin eksperimente të pafundme dhe bërë investime të mëdha në  hulumtime. Në kontekstin e përshkruar nga Hofman, Lufta 100-vjeçare mes Francës dhe Anglisë që u shtri përgjatë pesë brezash mbretërish,  nga mesi i shekullit të XIV-të deri në mesin e shekullit XV-të, duhet të ketë qenë epoka më madhështore e të gjitha mundësive për të  mësuar. / “National Post

Shperndaje