Përshpejtohet rënia e Euros, kursi i këmbimit drejt pragut të 103 lekëve

Përshpejtohet rënia e Euros, kursi i këmbimit drejt pragut të 103 lekëve

236
0

Rënia e Euros në kursin e këmbimit me Lekun është përshpejtuar më shumë ditën e sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 103.2 lekë, në rënie me 0.6 lekë krahasuar me ditën e djeshme. Në muaj, Euro ka humbur afërsisht 2.5 lekë në kursin e këmbimit me monedhën vendase dhe aktualisht ndodhet në nivelin më të ulët që prej datës 2 gusht.

 

Rënia e Euros po tërheq pas edhe valutat e tjera të huaja. Dollari Amerikan u këmbye sot me 94.71 lekë. Në një muaj, monedha amerikane ka humbur më shumë se 5 lekë në kursin e këmbimit dhe ndodhet aktualisht në nivelin më të ulët që prej datës 11 gusht.

 

Paundi Britanik dhe Franga Zvicerane ndodhen gjithashtu në nivelet më të ulëta prej më shumë se tre muajsh.

 

Burime nga tregu valutor shprehen se ditën e sotme ka një rritje të shitjeve të Euros nga banka të veçanta tregtare. Kjo e ka rritur më tej ofertën e Euros në treg dhe e ka tërhequr edhe më shumë në rënie kursin e monedhës europiane.

 

Qysh prej javës së fundit të muajit tetor, kursi Euro-Lek nisi një cikël gradual rënieje, që e ka ulur tashme në nivele të përafërta me sezonin veror, kur tradicionalisht kursi prek vlera të ulëta, për shkak të prurjeve nga turizmi.

 

 

Agjentët e tregut shprehen se oferta në tregun e valutor ka qenë konstante, ndërsa kërkesa për të e vakët. Një nga arsyet mund të ketë qenë se shumë subjekte të mëdha importuese kryen blerje të valutës gjatë verës, të joshura nga kursi shumë i ulët i këmbimit. Kjo mund ta ketë zbehur kërkesën për Euro gjatë muajve të vjeshtës.

 

Gjithashtu, një faktor që e ka tkurrur ndjeshëm kërkesën këtë vit është rënia e importeve të energjisë. Vitin e kaluar, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) realizoi importe të mëdha energjie, sidomos në gjysmën e dytë të tij. Këtë vit vlerat e importeve kanë qenë shumë të ulëta, madje, gjatë muajit nëntor KESH ka kryer tre procedura shitjeje (eksporti) të energjisë elektrike.

 

Nga ana tjetër, oferta e Lekut në tregun valutor vazhdon të jetë mjaft e shtrënguar. Qeveria këtë vit po mban një suficit buxhetor në nivelet më të larta historike. Në fund të tetorit, vlera e suficitit ishte më shumë se 48 miliardë lekë.

 

Ndërkohë, depozitat bankare në monedhën vendase këtë vit janë në stanjacion, me një rritje vjetore prej vetëm 0.3% në fund të muajit shtator.

 

Një faktor tjetër që besohet se ka nxitur shitjen e Euros dhe rritjen e kërkesës për Lekë ka qenë vendimi i shumë subjekteve huamarrëse për të kthyer kreditë në monedhën vendase. Për shkak të rënies së kursit të këmbimit Euro-Lek dhe normave më të ulëta të interesit të kredisë në monedhën vendase, huamarrësit e kanë parë të leverdishme t’i kthejnë kreditë në Lekë. Kjo i ka dhënë edhe më shumë goditje kursit të këmbimit të Euros.

 

Së fundmi, rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në muajin nëntor dhe paralajmërimet për rritje të mëtejshme gjatë muajve në vazhdim mund të kenë mbështetur edhe më shumë forcimin e Lekut, duke krijuar pritshmëritë te investitorët për kthime më të larta nga investimet financiare në monedhën vendase./Monitor