Turizmi, Universiteti i Vlorës zgjeron ofertën e tij akademike

Turizmi, Universiteti i Vlorës zgjeron ofertën e tij akademike

335
0

Departamenti i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë këtë vit zgjeron ofertën e tij akedemike me programin Bachelor, “Gjuhësi e Aplikuar në Fushën e Turizmit”, Double degree, me Universitetin e Salentos, Itali, Studentët, të cilët do të diplomohen në këtë program do të jenë ekspertë të formuar të komunikimit gjuhësor, për sa i përket fushës së shërbimeve turistike.

Marrëveshja me Universitetin e Salentos ju garanton studentëve mundësi të njohurive teorike e praktike të shumëfishta në të dy universitetet. Në përfundim të diplomimit studentët pajisen me diplomë me vlerë të njëjtë të universiteteve italiane.

Vitet e fundit Universiteti i Vlorës ka bërë disa hapa para në drejtim të programeve të reja. Ndërsa studentët e programit bachelor: Media, Komunikim dhe Trashëgimi Kulturore do të vijojnë vitin e tretë akademik, apo studentët e programit të dyfishtë (double degree), Master Shkencor në “Projektim dhe Menaxhim i Sistemeve Turistike dhe Kulturore” midis Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë dhe Universitetit të Barit “Aldo Moro”, të cilët do të vijojnë vitin e dytë akademik, vijnë dhe dy risi të tjera për këtë vit akademik. Më datën 26 Qershor, 2023 u nënshkrua marrëveshja për hapjen e programit të dyfishtë (double degree), Bachelor në “Inxhinieri Mekanike” midis Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë dhe Universitetit Politeknik të Barit, pranimi i studentëve i cili do të filloj në vitin akademik 2024-2025, si dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, miratoi një tjetër program studimi të përbashkët (double degree) midis Univeristetit “Ismail Qemali”, Vlorë dhe Universitetit të Salentos, Itali, Bachelor në “Gjuhësi e Aplikuar në Fushën e Turizmit”. Ky program studimi do të jetë aktiv për vitin akademik 2023-2024.

Programi i studimit do të ofrohet në UV nga Fakulteti i Shkencave Humane. Programi i studimit ka 180 kredite dhe kohëzgjatje 3 vite akademike (6 semestra), në gjuhën shqipe, italiane dhe angleze, me formë studimi me kohë të plotë. Ftojmë të gjithë të interesuarit të zgjedhin këtë program studimi i cili ofron punësim të garantuar.

Por risitë nuk përfundojnë këtu për Universitetin e Vlorës, Komisioni Europian i jep Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Erasmus Charter for Higher Education, (ECHE), për periudhen 2021-2027.

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, – i pari universitet shqiptar që fiton akses të drejtëpërdrejtë në programin Erasmus+, nëpërmjet ECHE.

Në datën 30.06. 2023, Komisioni Europian, ka marrë vendimin për të vlerësuar Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë me Erasmus Charter for Higher Education, (ECHE), për periudhën 2021 – 2027. Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ka zhvilluar një varg aktivitetesh dhe veprimtarish akademike dhe administrative, me qëllim plotësimin e dokumentacionit dhe standarteve europiane, angazhim i cili është vlerësuar me marrjen e ECHE. Ky akreditim është një sukses i UV por gjithashtu është një arritje domethënëse për gjithë Arsimin e Lartë Shqiptar.

Europian Erasmus Charter for Higher Education, është një çertifikatë cilësie që u jepet IAL prej Bashkimit Europian, i cili rikonfimon statusin e universiteteve që aplikojnë dhe i lejon ata të marrin pjesë në Programin Erasmus+.

Pjesëmarrja e Universitetit të Vlorës në Erasmus+ është pjesë e strategjisë së tij për modernizim dhe ndërkombëtarizim. Ky akreditim njeh dhe vlerëson kontributin e personelit akademik dhe studentëve, pjesëmarrjen e UV në projekte të financuara nga BE dhe më gjerë, cilësinë e jetës akademike, cilësinë programeve të studimit, përvojën pozitive të studentëve, etj.

Universiteti i Vlorës në respektim të ndërkombëtarizimit, si një nga shtyllat kryesore të “Strategjisë Kombëtare të Arsimit” dhe një nga tre boshtet kryesore të “Strategjisë së Zhvillimit” të vet, do të vazhdoj të gjitha përpjekjet për ofrimin e studimeve sa më cilësore për studentët aktual dhe atyre që, në të ardhmen, do të zgjedhin të frekuentojnë programet e studimit që ai ofron.