Mediat italiane: Qeveria shqiptare i jep Italisë ‘OK’ për ujësjellësin 1 miliard...

Mediat italiane: Qeveria shqiptare i jep Italisë ‘OK’ për ujësjellësin 1 miliard euro (tubacion uji nga Gjirokastra në Pulia)

295
0

Ideja e vjetër italiane për të ndërtuar një ujësjellës që do të lidhte burimet ujore në Jugun e Shqipërisë me rajonin e Pulias, që është goditur nga thatësira e viteve të fundit, duket se do të marrë jetë së shpejti.

Sipas Corriere.it, që i referohet një deklarate të presidentit të rajonit të Pulias, Michele Emiliano, qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile Italisë për projektin e ujësjellësit që do të lidhë Gjirokastrën me Galugnano, në Salento.

Ideja që dikur iu propozua ish-kryeministrit Fatos Nano për të çuar ujin me tubacion nga burimi i “Syrit të Kaltër” në Delvinë drejt Jugut të Italisë, tashmë ka marrë formën e një projekti dhe pritet të kushtojë 1 miliardë euro për t’u realizuar.

“Qeveria shqiptare na ka autorizuar të fillojmë planifikimin e ujësjellësit që do të lidhë Shqipërinë me Italinë. Shqipëria hedh një sasi të madhe uji të mirë në det dhe padyshim se ka interes që t’i paguajë për të.

Ne kemi interes ta marrim sepse për ne uji do të thotë t’i japim një model të ri bujqësisë, të bëjmë turizmin të rritet dhe t’u japim një të ardhme të gjithë pulianëve”, deklaroi presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emiliano, gjatë një konference për shtyp në Bari për investimet në sistemin e ujësjellësit.

Për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme do të duhen 4 vite punë dhe një miliardë euro. Ujësjellësi pritet që të financohet me burimet e BEI-së, BERZH-it, shtetit Italian dhe rajonit e korporatës së ujësjellësit pulian.

Qëllimi sipas Corriere.it është që çdo vit të transportohen 150 milionë metër kub ujë në Pulia dhe për rajonin do të jetë një infrastrukturë strategjike, duke pasur parasysh thatësirën që e ka karakterizuar vitet e fundit.

Sipas palës italiane, Shqipëria do të kishte një përfitim ekonomik, duke qenë se do të hapeshin rreth 8000 vende të reja pune direkte dhe indirekte.

 

Propozimi për ujësjellësin u lançua në vitin 2022 nga presidenti i Konfindustrisë së Pulias dhe Bari-Bat, Sergio Fontana.

 

“Këtu në Pulia ne kemi aftësitë për të qenë një pikë referimi kombëtare për politikën e ujit. Kemi Ujësjellësin Pulian, më të madhin në Evropë, stacionin e parë kontraktues në Pulia. Të bashkuar buzë detit Adriatik kemi përballë Shqipërinë, një vend shumë i pasur me ujë. Ne kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me Shqipërinë.

 

Ne kemi një mundësi të madhe për të trajtuar krizën e ujit në mënyrë proaktive. Ne mund t’i japim jetë një projekti të madh dhe ambicioz duke ndërtuar një infrastrukturë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik midis Pulias dhe Shqipërisë”, tha Fontana, gjatë takimit vjetor të Konfindustrisë Bari-Bat