Policia sqaron ‘rrëmbimin’ në “Don Bosco”: Dy djemtë futën me forcë babain...

Policia sqaron ‘rrëmbimin’ në “Don Bosco”: Dy djemtë futën me forcë babain në makinë, po abuzonte me pijen në lokal

579
0

 

Policia e Tiranës ka sqaruar ngjarjen e sotme në lagjen “Don Bosco” nga ku një person telefonoi sallën operative dhe informoi për rrëmbimin e një personi.

 

Policia thotë se pas veprimeve të shpejta ka arritur të zbardhë ngjarjen. Bëhet fjalë për dy vëllezër të cilët kanë shkuar në lokalin e lagjes për të marrë babain e tyre që po abuzonte në mënyrë të vazhdueshme me pijen alkoolike.

 

Në momentin që kanë dalë nga lokali, babai ka tentuar të largohet me vrap, por djemtë e kanë kapur dhe e kanë futur me forcë në makinë.

 

Mesa duket kjo skenë i ka ngjarë dikujt si momenti i rrëmbimit të një personi.

 

Informacion nga policia e Tiranës:

 

Në lidhje me një lajm të publikuar në media për një pengmarrje të një personi në “Don Bosko”, ju informojmë se ngjarja është e pavërtetë.

 

Rreth orës 17.05, në Sallën e Komandimit të DVP Tiranë, ka ardhur një telefonatë nga një qytetar, se në “Don Bosko”, në afërsi të një lokali dyshohet se dy persona kanë marrë me forcë një shtetas dhe janë larguar me një automjet.

 

Menjëherë pas njoftimit të marrë, shërbimet e Komisariat të Policisë Nr 3 dhe Sektori i Krimeve të Rënda në DPV Tiranë  shkuan në vendin që u dha njoftimi , si dhe forca të tjera  të DVP Tiranë, ngritën pika kontrolli në akset rrugore, duke bashkëpunuar me DVP Durrës e Lezhë.

 

Qytetarit që telefonoi Policinë, pas telefonatës i dilte telefoni i fikur, por falë veprimeve të shpejta u bë e mundur gjetja e tij dhe përcaktimi i saktë i vendit ku pretendohej se kishte ndodhur pengmarrja.

 

Pas veprimeve të shpejta, këqyrjes së kamerave dhe marrjes së informacioneve  mbi identitetin e personave që shfaqeshin në kamera u bë e mundur gjetja e tyre dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Nr 3 Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ku rezultoi se kishim të bënim me një konflikt familjar.

 

Dy vëllezërit D.M e B.M, kanë shkuar në lokalin ku ishte babi i tyre shtetasi S.M, për ta marrë në shtëpi, pasi në mënyrë të vazhdueshme abuzonte me pijen alkoolike. Shtetasi S.M, ka dalë nga dera e pasme e lokalit dhe ka tentuar të largohet me vrap, por të dy djemtë e tij e kanë kapur dhe e kanë futur në makinë dhe më pas e kanë çuar në banesë.

 

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e medias që të mos publikojnë lajme të pakonfirmuara dhe të pa sqaruara, por të presin konfirmimin zyrtar në lidhje me vërtetësinë ose jo të lajmit.