10 Vjet me parë – Kur Dielli mbushte 100 vjeç/ Nga Dalip...

10 Vjet me parë – Kur Dielli mbushte 100 vjeç/ Nga Dalip Greca

665
0

 “Vatra” dhe “Dielli” zgjuan Kombin

 

Monroe College, Bronx, NY- 13 qershor 2009- U zhvillua konferenca shkencore për 100 vjetorin “Diellit”, gazetës më të vjetër shqiptare, ndërkohë që paralajmërohet festimi me madhështi në SHBA dhe Shqipëri i 100 vjetorit të Vatrës, ngritja e një përmendoreje në Korcë si dhe do të botohet e plotë historia 100 vjeçare e Vatrës

 

Nga Dalip Greca*

 

Gazeta Dielli ka pasë ndërprerje edhe në motet e shkuara, por ajo nuk është shuar dhe nuk duhet të shuhet, qoftë edhe për faktin se është gazeta më vjetër e shtypit shqiptar dhe se në faqet e saj është një shekull histori e shqiptarëve. Kështu ka ndodhë edhe kohët e fundit, Dielli nuk ka pasë botime pas vitit 2006, por në konferencën shkencore kushtuar 100 vjetorit të gazetës më 13 qershor 2009, u dhanë shenjat e ringjalljes. Ahmet Xhafo, kryetar i Shoqatës për të Drejtat e Njeriut ”Çamëria”, anëtar i Vatrës prej 50 vitesh, kishte ardhë nga Kalifornia enkas për këtë ngjarje dhe duke kujtuar kohët e vështira të Diellit tha se besonte në ringjalljen e tij. Ai e tregoi me vepra se si duhet të ringjallet gazeta duke dhuruar një çek prej 1,000.00 dollarësh.Në këto gjurmë eci edhe aktivisti i njohur në komunitet për bamirësi të shumta, Lekë Gojçaj, dhurusi i 100 mijë dollarëve për Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, që dhuroi 1000 dollarë për Diellin, dhe nën këta shembuj lista e dhurusve ka nisur të rritet.

***

Konferenca shkencore për 100 vjetorin e Diellit u organizua të shtunën me 13 qershor në Monroe College në Bronx. Nën drejtimin e dy moderatorëve, Merita Bajraktari McCormack, përfaqësuesja e Vatrës në Washington dhe avokatit Agron Alibali, anëtar i kryesisë së Vatrës, konferenca nisi me përcjelljen e hymnit kombëtar amerikan, hymnit kombëtar shqiptar dhe atij të Kosovës, të intepretuar nga Merita Halili, e shoqëruar nga Raif Hyseni.Të pranishëm në veprimtari kanë qenë edhe ambasadori shqiptar në Kombet e Bashkuara z. Adrian Neritani, zv/ambasadori shqiptar në Washington Kreshnik Çollaku, konsulli i Shqipërisë, dr. Albert Jerasi, zv, Ipeshkëvi i Kosovës dom Fran Kolaj dhe shumë nga drejtusit e shoqatave të komunitetit shqiptar. Të ftuar nga Shqipëria për të ligjëruar në këtë konferencë ishin dy akademikët, Prof. dr. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë dhe Prof. dr.Muharrem Dezhgiu. Një grup vatranësh kishin udhëtuar nga Bostoni, ndërkohë që Anthony Athanas Jr, (i biri i Anthony Athanas, kryetari më jetëgjatë i Vatrës, dishepull i Nolit) i cili përmes përshëndetjes që dërgonte për 100 vjetorin e Vatrës, nëpërmjet juristit Agron Alibali, ftonte vatranët për një veprimtari fondmbledhëse në restorantin Pier Four, ku të ardhurat të shkojnë për Diellin.

Në çelje të takimit, kryetari i Vatrës, z. Agim Karagjozi, i është drejtuar të pranishmëve me një përshëndetje:”Në emër të Vatrës kam nderin e kënaqësinë t’ju sjell përshëndetjet vëllazërore. Ju falenderojmë për pjesmarrjen tuaj në këtë konferencë për 100 vjetorin e Diellit dhe shpresojmë të kalojmë një ditë plot mbresa.Në mënyrë të veçantë falenderoj referuesit, pa gatishmërinë dhe mundin e të cilëve nuk mund ta organizonim këtë konferencë. Në emër të Vatrës, një përshëndetje të veçantë u përcjell miqve të çmuar të ardhur nga Shqipëria, Prof. dr. Beqir Meta dhe Prof. dr. Muharrem Dezhgiu, që u treguan të gatshëm për të udhëtuar nga Tirana enkas për 100 vjetorin e Diellit, për të dhënë kontributin e tyre në këtë konferencë shkencore. Kur ne menduam të organizonim këtë konferencë, më shkoi mendja tek 90 vjetori i gazetës. M’u duk e pabesueshme që dhjetë vjet kanë kaluar aq shpejt. Por sikurse e dimë të gjithë, ato kanë qenë vite që nuk mund të shlyhen lehtë nga kujtesa.Ajo ka qenë një dekadë e mbushur me ngjarje historike për kombin shqiptar.Në 90 vjetorin e Diellit, më 1999, Kosova u çlirua nga zgjedha kriminale serbe dhe filloi ndërtimin e jetës së saj për të shëruar plagët e luftës dhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë me 17 shkurt 2008. Për ne vatranët kjo është ngjarja më e rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor 1912.Në këndvështrimin e vatranëve, Shqipëria ka bërë hapa pozitivë në drejtim të ndërtimit të jetës demokratike, duke arritur edhe anëtarësimin në NATO dhe shpresojmë në anëtarsimin në BE” .

Në mbyllje të përshëndetjes së tij, kryetari Karagjozi, njoftoi konferencën se tashmë Vatra ka dalë nga vështirësitë financiare që pengonin botimin e gazetës.Ai u premtoi vatranëve se gazeta Dielli do të dalë shumë shpejt.

Image may contain: 4 people, including Vatranet Michiganit

Fillimisht konferencën e ka përshëndetur zv/ Ipeshkëvi i Ipeshkëvisë së Kosovës, dom Fran Kalaj dhe shefi i misionit të përhershëm shqiptar në Kombet e Bashkuara, z. Adrian Neritani.

Kancelari i Kishës së Shën Gjergjit në Boston, at Artur Liolini i kishte dërguar konferences një telegram urimi, që u lexua nga Merita Bajraktari McCormack. Zëvëndës ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Kreshnik Çollaku lexoi telegramin e urimit dërguar vatranëve në këtë 100 vjetor të Diellit, nga kryeministri i Shqipërisë Prof. dr. Sali Berisha. Në emër të Republikës së Kosovës, ka përshëndetur drejtori i departamentit për Çështjet jo Rezidente, Naim Dedushaj.

Shkrimtarja Rozi Theohari,përshëndeti në emër të shqiptaro-amerikanëve me origjinë nga Dardha e Korçës. Ajo tha se “ Është nderim për fshatin e Dardhës për dy bijtë e saj: Sotir Peci, që, në bashkëpunim me Fan Nolin, e filloi aktivitetin qysh me krijimin e gazetës KOMBI dhe Gjoleka Konda, i cili e vazhdoi me gazetën DIELLI, si manaxheri i parë i saj dhe si bashkëpunëtor i Fan Nolit dhe i Konicës. Në gazetën DIELLI të 31 dhjetorit 1909 Gjoleka cilësohet “patriot i flaktë dhe orator prej natyre…” Në artikujt e botuar nga Gjoleka Konda del në pah zotësia e publicistit, ndjenjat dhe dashuria për atdheun si dhe nderimi për shokët e tij të “…Lëvizjes së Parë…,” siç i quan ai Fan Nolin, Konicën e të tjerë. “ Theohari solli edhe përshëndetjen e Sotir Panit që jeton në Boston, biri i patriotit dardhar, ish kryetar i Vatrës ,Vasil Pani, i cili thotë se“ Me gazetën DIELLI jam njohur qysh në moshën 15 vjeç nga koleksioni që kishte gjyshi im Josif Pani në Dardhë. Prej vitit 1922 kur ai u kthye nga Amerika e deri sa jetoi, në vitin 1934, gjyshi e mblodhi me kujdes koleksionin, i cili sot ruhet në shtëpinë-muze “Pani” në Dardhë”.

Image may contain: 5 people, including Vatranet Michiganit

Në ligjëratën e tij, me temë “Dielli dhe zgjimi Kombëtar në fillimet e Shekullit të XX”, Prof. Beqir Meta, përcolli mesazhin se Dielli si zë i Vatrës, solli zgjimin kombëtar të shqiptarëve të Amerikës. Gazeta Dielli filloi jetën e saj më 1909, në një kohë kur emigrantët shqiptarë të Amerikës, të cilët ishin auditori i saj kryesor, vinin nga Shqipëria , që kishte shekuj nën sundimin osman dhe për këtë arsye,ata , në përgjithësi nuk kishin një koncept real dhe të plotë për identitetin kombëtar. Pikërisht, këtu duket dhe kontributi i madh i Diellit, si gazeta më e fuqishme për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Apostujt e nacionalizmit shqiptar kishin përpara një grup të vështirë me ndikim pro grek e tjetri proturk, me të cilët duhej të punonin. Pikërisht këtu del në pah roli i tyre dhe i “Diellit” në zgjimin kombëtar.

Studiuesi Meta solli tablonë e atyre vitve të vështira ku operonin Vatra dhe Dielli, ndërkohë që në komunitetin shqiptaro-amerikan ekzistonin forca që punonin për të shkatërruar lëvizjen kombëtare qysh në fillimet e saj.

Studiuesi Meta evidentoi kontributin e çmuar të Konicës dhe Nolit përmes Diellit e Vatrës në zgjimin dhe kthjellimin e ndërgjegjes kombëtare, jo vetëm në Amerikë, por edhe në Shqipëri e pjesët e tjera të mërgatës shqiptare. Duket se në drejtim të çështjes kombëtare, Noli i dha trinomin e vlefshëm kombit: Diellin, Vatrën, Kishën.

Image may contain: 5 people, people sitting and indoor

Drejtuesit e konferencës njoftuan se Vatra e ka pranuar z. Beqir Meta, anëtar nderi të saj. Duke falenderuar, Prof. Meta, autor i librit “Federata Panshqiptare “Vatra”- 1912-1920, i librit në anglisht për historinë e Çamërisë, sponsorizuar nga Vatra, autor i librit dy vëllimësh ”Marrëdhëniet Shqiptaro-Greke”, tha se 100 –vjetori i Vatrës do të jetë një festë kombëtare dhe veprimtaritë do të përfshijnë Amerikën dhe Shqipërinë. Ai premtoi se me këtë rast do të përfundonte historinë e plotë të Vtarës, që mungon deri tani dhe se një përmendore kushtuar Vatrës do të ngrihet në Korçë.

Prof. Muharrem Dezhgiu, përcolli kumtesën ”Dielli në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare në vitet e Luftës së Dytë Botërore”. Ai theksoi faktin se “gjatë të gjithë historisë së vet 100-vjeçare, gazeta Dielli realizoi një mision historik në shërbim të kombit shqiptar. Mund të thuhet me bindje të plotë se historia e Diellit është vetë historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Qysh prej themelimit të shtetit shqiptar ”Dielli” ka përjetësuar në faqet e veta fatet e kombit.Duke luftuar me çdo mjet (memorandume, protesta, me shkrime, nxitjen e shqiptarëve për mbledhjen e ndihmave në dollarë për çështjen kombëtare etj) Dielli shkëlqeu në mbrojtje të kufijëve etnikë të kombit shqiptar.Ai e ngriti zërin kundër rreziqeve që kërcënonin ekzistencën e shqiptarëve si komb e si shtet.”Dielli” si shprehëse e mendimit dhe veprimtarisë së Vatrës e lartësoi atë si vatër të shqiptarizmës.

Për studiuesin Dezhgiu, Vatra dhe Dielli përbëjnë për shqiptarët një simbolikë të fuqishme. Ata zgjuan tek shqiptarët idenë e zjarrit dhe të dritës, që do të nëkuptonte flakë patriotizmi dhe rreze kulturë. Më pas Prof. Dezhgiu solli shfletime e trajtime të Diellit në kohëluftën e Dytë Botërore, duke pasqyruar edhe qëndrimin e Vatrës në ato vite.

Në kumtesën e tij ” Dielli në 100 vjetorin e tij. Evoluimi i programeve, editorët”, editori i fundit i Diellit, poeti dhe studiusi Anton Çefa, solli një tablo të plotë e të detajuar të Diellit që nga numri i parë i 15 shkurtit, të vitit 1909 deri në numrin e fundit.

Studiusi Sevdai Kastrati, në qendër të kumtesës së tij kishte sjellë ”Gjurmime mbi letërsinë shqipe tek “Dielli” në vitet 1909-1971”. Edhe shkrimtari Naum Prifti në fokus kishte “Letërsia artistike në faqet e “Diellit”.

Dr. Gjon Buçaj, lexoi kumtesën e studiusit Idriz Lamaj “Shënime biografike për Kostë Çekrezin”. Redaktori i seksionit shqip të gazetës, “Illyria”, Dalip Greca, paraqiti kumtesën “ “Dielli”, shkollë e shtypit të lirë për gazetarinë shqiptare”.

Drejtori për marrdhëniet me publikun në “Monroe College”, z, Gary Axelbank, ka përshëndetur pjesmarrësit. Profesori shqiptar në Monroe College, Haxhi Berisha, në përshëndetjen e tij tha se ndjehej krenar për Vatrën, nga që kishte qenë edhe ai një prej atyre që kanë përfituar bursë nga federata.

Konferencën e përshëndeti edhe njëri nga vatranët e vjetër, ish kryetar i saj, z. Hajdar Tonuzi, artistja Advije Alibali, që kishte ardhë nga Bostoni (Kujtojmë se ka luajtur në filmin ”Skënderbeu” si dhe Këze (Kozeta) Zylo. Për të pranishmit në mjediset e Kolegjit u shtrua një koktejl, ndërsa në mbrëmje, për nder të mysafirëve, Vatra shtroi darkë në restaorantin “Giovanni’s me pronar bashkatdhetarin Gjergj Dedvukaj.

* Botoi “ILLYRIA” , 16 Qershor, 2009