“10 SHQIPONJAT E TËRBAÇIT” ME ETNOLOGJI E FOLKOR NË KOSOVË

“10 SHQIPONJAT E TËRBAÇIT” ME ETNOLOGJI E FOLKOR NË KOSOVË

681
0

Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” në Festivalin Ndërkombëtar të Arteve dhe Kulturës Tradicionale, EtnoFest, 2019, Kukaj – Prishtinë.

RITI I STOLISJES SË NUSES TËRBAÇIOTE, SI PJESË E RITUALIT TË DASMËS NË LABËRI

Nga Msc. Albert HABAZAJ, studiues i Etnologjisë dhe Folkorit, drejtues artistik

 i Grupit të Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”                                                              

 

  1. Përnjohje. Ka 9 vjet, që në një mjedis gjeografik të mrekullueshëm në Kosovë, edhe pse aplin, plot ajër, freski, me bjeshkë e të gjelbëruar të fshatin Kukaj në komunën e Prishtinës zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Arteve dhe Kulturës Tradicionale. Me lartësi mbi 1000 m mbi nivel të detit, ky fshat i legjendave krenare po synon turizmin etnokulturor, tërheqjen e turistëve për të parë, shijuar, vlerësuar këto visare, që prodhojnë këto festivale të mëdha. Për këtë zhanër festivali, përdoret shkurtesa zyrtare Etno-Fest që merr përmasa ndërkombëtare për nga pjesëmarrja e grupeve dhe ansambleve, për nga vlerat etnologjike dhe folkorike që mbart e transmenton, për mesazhet me dritë që përçon në miqësinë midis popujve, duke treguar kështu profilin serioz të Festivalit Etno -Fest, 2019, i cili këtë fundgushti regjistroi edicionin e 9 – të të tij. Për herë të parë në këtë veprimtari të madhe merr pjesë një grup nga Vlora dhe pikërisht Grupi i Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, dekoruar me medaljen “Naim Frashëri’, që u ngrit në lartësinë e një ansambli unikal, serioz, simpatik, që këndon këngë e hedh valle të kënduara labërisht sipas stilit muzikor tërbaçiot, në vijat melodike grarishte të burimit, por pa instrumenta e vegla muzikore. Qysh më herët na erdhi ftesa nga Prishtina prej drejtorit të Etno- Fest, regjisorit, prof. Fadil Hysaj, ku në thelb shkruhej: “Kemi kënaqësinë dhe nderin t’ ju ftojmë Juve dhe grupin polifonik prestigjioz “10 SHQIPONJAT E TËRBAQIT” në edicionin e nëntë të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale ETNO FEST që do të mbahet më 20-25 Gusht 2019 në Etnokompleksin e Etnofshatit KUKAJ, Komuna e Prishtinës. Ky festival qe shtatë vite merret me gjetjen, zhvillimin dhe promovimin e vlerave të mirëfillta të arteve dhe kulturës tradicionale, në një etnokompleks autokton me disa amfiteatro, teatro dhe hapësira të shumta ekspozimi dhe diversiteti. Nga ansambli juaj do të kërkojmë një performancë 20-30 minuta me, mundësisht rite të vjetra të anës suaj si dhe një theks të veçantë në kostumet burimore të asaj ane…”. Ndër organizatorët vlen të përmendim të palodhurin Ilaz Hysaj, drejtor artistik i Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etno – Fest, që, i vëmendshëm, i qeshur dhe në këmbë gjatë gjithë kohës e bëri me korrektesë detyrën e të zotit të shtëpisë, sipas traditës që shtëpia është e Zotit dhe e mikut me lajtmotivin: Jemi nis përpara e kemi hupë rrugën dikund. Atëherë të kthehemi mbrapa edhe të shohim prej kah po vijmë e kah po shkojmë. Identiteti ynë, rranjët tona, më të bukurat, më të mirat, më të fresktat, më të fortat, vlen shumë t’i marrim me vete, duke ditur si t’i marrim, që përmes sfidash të fitojnë nderim, emër të përveçëm në Gjendjen Civile të Kulturës dhe Artit Bashkëkohor, që të përhapen e të pëlqehen dhe nga brezat që ngrihen. Në gjoks të fshatit Kukaj, të zotët e Dasmën së Madhe kishin përgatitur me kohë sofrat e gëzimit: te Skena e madhe (natyrore), Amfiteatri i Madh, Amfiteatri i Vogël, Shtëpia e Vjetër, Hamari, Etno Bar, Oda Galeri, Ambjente të Etnokompleksit etj., ku u paraqitën thesare të vërteta krahinave dhe popujve.

Image may contain: 9 people, people standing

  1. Dasma e madhe etnokulturore. Sipas “protokollit të ceremonialit të dasmës”, në një atmosferë magjike çelet nata e parë. Gati si në përralla. Çdo veprimtari ishte e mirëqartësuar me vend, orë e ndjekshmëri. Të zotët e dasmës, baca Fadil dhe Ilaz djali, kur u flisnin dasmorëve sikur fluturonin nga kënaqësia e krenaria, tek orientonin sipas “protokollit” mysafirët e ftuar, që nderonin me pjesëmarrjen e tyre në Etno-Fest, 2019. Në ora 18:00 filloi dasma e dukeshim të gjithë si të njohur qyshkur me njëri-tjetrin. Edhe pse nuk ishim parë asnjëherë më parë, kishim shpirtin e pastër, fjalën e bukur, kostumet lulëzimtare, nivelin e lartë në interpretim, mesazhet me dritë për jetën, për miqësinë dhe mirësisë dhe vëllazërimin midis popujve që mblidhen si “tanët” te njeri-tjetri në dasmën e madhe të mëhallës së Ballkanit dhe botës, se … një grusht njerëz jemi, e mori e mira e mori!
  2. Image may contain: 2 people, including Meme Albert Habazaj, people standing

Pas hapjes solemne te Skena e madhe, ku morën pjesë personalitete të kulturës së Kosovës dhe të vendeve të tjera, si dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi, nisi hapja e ekspozitave në Muzeun Etnografik Kukaj, (koleksioni i muzeut Etnografik në Kukaj në bashkëpunim me pjesë të eksponateve koleksionueseve Qazim Tmava nga Mitrovica dhe e riu Durim Ademaj nga Shtimja). Në vijim arte pamore: ekspozita të pikturave, skulpturave, mozaikut dhe etno eksponateve. Etno galeria  – ekspozitë ndërkombëtare e akuarelit në partnership me “IWS KOSOVA” (International Watercolor Wxhibition) me kurator Besnik Xhemaili, ekspozitë me artistë nga Kanadaja, India, Thailanda, SHBA, Shqipëria, Korea e Jugut, Gjermania, Greqia, Malajzia, Peru, Maqedonia e Veriut, Turqia, Meksika dhe Bangladeshi. Te Etno Teatri u hap ekspozita e Besnik Xhemailit; te Oda Galeri -“Gruaja e Shtëpisë” u hap ekspozita e pikturave të Shqipe Kamberit; te Galeria e Hapur – “Njerëzit” – ekspozitë e skulpturave të Agron Blakqorit, “Pasëord” – ekspozitë e skulpturave të Artan Hasanit; te Hamari i Madh – “Shiu i zi” – ekspozitë e skulpturave të Malsor Bejtës; te Galeria e Vogël – ekspozitë e mozaikut të Fatos Kabashit; te Shtëpia e Vjetër – ekspozitë fotografike e shtëpive dhe kullave të vjetra shqiptare nga Rexhep Rifati; Trashëgimi në ambiente të hapura të Etnokopleksit; Etno instalacione dhe punëtorì – punime me vek [veg, vegjë, tezgjah, shën im. AH] nga qethja e deles deri te thurja në vek (proces interaktiv me publikun); Shtëpia Tradicionale Kosovare – ndërtimi i një modeli me gurë, pallzina e lloq (proces interaktiv me publikun) Deltari Ilir, Qeni i Sharrit dhe Qeni Molos si pjesë e shtëpisë; kulinari tradicionale (gatime, gjellë shtëpie shën im. AH] – pjekja e bukës në qerep [çerep] (proces interaktiv me publikun); kostumografi – punëtorì modelimi me letër të kostumeve tradicionale nga Rica Mende (Gjermani) me Milaim Avdiu dhe Elvana Avdiu (Kosovë) (proces interaktiv me publikun); performancë me çifteli: Fatmir Makolli, Duruntina Rexhepi, (Kosovë), Hava Bekteshi (Gjermani); grupi “Çiftelia” – Lezhë (Shqipëri); te Amfiteatri: Etno grupi polifonik i grave “10 Shqiponjat e Tërbaçit” Himarë (Shqipëri) disa njësi folkorike prurë nga Laboratori Etno kontemporan i Liburn Jupollit  “Dialog muzikor me traditën” në interaksion me publikun; Etnoneja – Grupi “Bitolski Ćalgiji” nga Manastiri i Maqedonisë së Veriut e mbylli gëzimin e natës së parë kaluar orës 24:00. Dita e dytë dasma fillon paradite aty nga ora 10:30’me punëtorì kreative dhe instalacione, si dhe Atelje publike të piktorëve dhe skulptorëve te ambjentet e Etnokompleksit; kostumografi – Punëtori modelimi me letër të kostumeve tradicionale nga Rica Mende (Gjermani) me Milaim Avdiu dhe Elvana Avdiu (Kosovë) (proces interaktiv me publikun); kulinari tradicionale – qengji i lyer me baltë i pjekur në gropë të prushit (proces interaktiv me publikun); buzëmbrëmjes te Shtëpia e vjetër: Zona e Debatit – Shtëpia tradicionale dhe familja e madhe shqiptare.

Image may contain: 4 people, people on stage

Filmi “117” i Besim Sahatqiut; Ansambli vokal “Zanat” (Albana Piperku, AdelinaThaqi, Elida Kryeziu, Diellza Sylejmani, Arstina Kadiu) te Amfiteatri; shfaqje teatrore nga Teatri “Dodona”, nga Doruntina Basha “Gishti” në regji të Artan Tmavës. Vijoi edhe këtë natë deri më ora 24:00 dasma nga Etnoneja Dj-Robi. Paraditen e ditës së tretë pati ekspozita, qysh më 10:30 që vijoi me punëtorì kreative dhe instalacione, atelje publike të piktorëve dhe skulptorëve, punime artizanale, kulinari tradicionale (proces interaktiv me publikun); mbasdite Tana Production- Lexime skenike të dramës së sotme shqipe, te Zona e Debatit – Oda, dhoma e zjarrit, qileri, ahuri, plemja, hamari; Laboratori Etno Kontemporan i Liburn Jupollit  “Muja dhe Halili” me rapsodin Bajram Baja; te Skena te Hamari-Teatri Kombëtar i Prishtinës: Ezhen Jonesko “Karrigat” në regji të Astrit Bytyqit; më tej filmat dokumentarë: “Në Mes” -nga Samir Karahoda // 13 min (i shfaqur në programin zyrtar të Berlinale 2019); “Kroni i Gorozhupit” – Nga Anduena Halilaj dhe Lekë Shala // 15 min dhe, si zakonisht deri mbas mesnate Etnoneja, Dj-Robi. Edhe dita e tretë vijon me një atmosferë gëzimtarie të admirueshme, ku paradite, në orën e përcaktuar sipas programit, çelet ekspozita, punëtorì kreative dhe instalacione, ateljet publike te piktoreve dhe skulptoreve, punime artizanale, kulinari tradicionale (proces interaktiv me publikun); mbasdite te Restaurant Gallery: Tana Production – lexime skenike të dramës së sotme shqipe. Interes pati te Shtëpia e Vjetër “Zona e Debatit” – Shtëpia dhe teatri…,- Shtëpia dhe teatri… – Shtëpia në dramaturgjinë e Strinbergut, – Zoti i shtëpisë, zonja e shtëpisë- Shtëpia dhe mysafiri; – Bekim Lumi “Shekspiri dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”  (promovim i librit) – Shfaqja “Këmisha e Gjakut” e Bekim Lumit (Video Projeksion) – Shfaqja “Këmisha e Gjakut” e Bekim Lumit (Video Projeksion); më tej zona etnografike e Hasit te Skena e Madhe- Koncert, valle dhe rite nga Xhonaj, Zymi dhe Romaja, Performancë kontemporane me stolisjen e nuses së Hasit nga Njomza Luci; Skena te Hamari – W. Shekspir “Mbreti Lir” (zhanre dhe sisteme) në regji të Skender Podvoricës, shfaqje teatrore nga Albana Muja “Tango” në regji te Ekrem Sopit; deri ora 24:00-Etnoneja: “Trio” nga Malda Susuri – Vokal, Rinor Ukimeri – Gitar, Ertan Iliyaz – Cajon set. Dita e katërt e kësaj dasme të veçantë për nga paraqitjet e vlerave të kulturës materiale e jomateriale të shpirtit të pasur të popujve miq, nisi po ashtu me ritualin e përditëshëm, përzgjedhur larmishëm e aq të pëlqyeshëm. Tërheqëse qe mbasditja me një program për fëmijë te Skena e Madhe: Koncert dhe sfilata me kostume tradicionale nga Via Models, Line music dhe kori i fëmijeve “Okarina”; V. Rela “Nita”; Monoperformancë nga Shqipe Gashi; te Amfitearti: Shoqata “Fortesa” – Valle instrumentale me kavalla kënge burimore e percjellur me kavalla “Ritet e Dasmës Kërqovare” film dokumentar, në vijim Teatri Shqiptar i Shkupit nga Tom Kampinski “Duet per një” regjia Kushtrim Bekteshi; Living Theatre: Judith Malina “The Pepale’s Project” regjia Hans Echnaton Schano; “Alt’n beats Live/act” nga Altin Tila (Tiranë) (Performance etno-muzikore me gitare dhe video projeksion) dhe, si çdo natë, deri vonëte Etno Bar Etnoneja mban Dasmën e popujve në gjallëri festive. Dita e pestë dhe mbyllësja e kësaj feste të madhe, që patjetër kishte karakter konkurues nisi te ambjentet e Etnokompleksit në orën 10:30’ me – Punëtori kreative dhe instalacione- Atelje publike të piktorëve dhe skulptorëve…- Punime artizanale- Kulinari tradicionale- Pjekja e rakisë në mënyren tradicionale (proces interaktiv me publikun) dhe – Ekpsozita e veprave nga punëtori kreative dhe instalacioneve të krijuara gjatë ditëve të festivalit. Në muzg u paraqit Etno ansambli “Dasma” nga Vitia (Kosovë) e vijoi në darkë me Etno ansamblin “Gjergj Arianiti” Mallakastër (Shqipëri)-Dialog muzikor me traditën nga Laboratori etno kontemporan i Liburn Jupollit. Pasi u ndanë çmimet te Amfiteatri, për ta mbyllur sa më mirë, bukur e gëzueshëm-Enoneja Grupi “Melodia e Vjetër – Nezafete Shala” ishte qershia mbi tortë për gëzimtarët festivalistë të pranishëm në Dasmën e Popujve.

No photo description available.

  1. Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Tradita e dasmës labe fitoi Çmimin special të Etno-Fest, 2019. Grupi Polifonik i Grave “10 Shqiponjat e Tërbaçit” që mori pjesë në Edicionin e 9-të të Etnofest, Kukaj, Prishtinë, shpuri për herë të parë në historinë e Vlorës nëpër festivale improvizimin e dasmës (brenda gjinisë) në Tërbaç, në fshatrat e Lumit të Vlorës dhe më gjerë në Labëri. Për arsye nga më të ndryshmet (të cilat nuk janë objekt i këtij shkrimi), Vlora, dikur si rreth e më vonë si prefekturë/qark nuk është paraqitur me prurje motivesh dasme labe në asnjë Festival Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës (FFK) etj. Improvizimi i grupit qe një situatë reale, ku ndihej detyra, përgjegjësia, gëzimi, nderimi, shpejtësia, saktësia, pastërtia, tradita e bukur. Etnologji dhe folkor. Kostumografi, këngë dhe valle, që shoqërojnë ceremonialin e dasmës përkatëse. Dëshirojmë që ta njohim më imtësisht lexuesin e nderuar me programin e paraqitjes e konkurimit të Grupit Polifonik të Grave “10 Shqiponjat e Tërbaçit” me këtë objekt: “RITI I STOLISJES SË NUSES TËRBAÇIOTE, SI PJESË E RITUALIT TË DASMËS NË LABËRI”.

Vendi: Festa zhvillohet te shtëpia e vajzës. Koha: Çastet e përgatitjes së pajës në derëbabe. (Më tej, nusja del. Nuk e trajtuam këtë rit. Hapemi shumë, na pengon pamjaftueshëmria kohore e paraqitjes në konkurim. Qe e limituar koha. Një gjysmë ore). Pjesëmarrësit: Nëna, nusja, motra, teze, halla, dajesha, xhaxhesha, kunata.

3.1. Cilat ishin prurjet e traditës? Improvizim spektakolar. Më së pari, 10 ansamblistet e traditës labe të Tërbaçit, ashtu sikurse Miro Tërbaçja që dikur me dy dogrà i qëndisi ballin pashait të Beratit, brenda në sarajet e tij, se Miros i vranë vëllain e tërbeçtë haraçe s’dhanë, edhe këto nëna heroina e artiste si të ishin 10 Miro Tërbaçe të kohës që jetojmë, qëlluan mbi konceptet e shpejtuara, të ulëta e të gremisura, sfiduan e thyen paragjykimet e kulufëve piçirukë dhe bënë histori – ballëlartë e mal në këngë” siç na mëson mësuesi ynë Kujtim MICI, me këngë e valle të kënduara, me traditat e doket më të mira që transmentojnë fëmijëve, nipërve e mbesave, se s’ta shtron kush rrugën me lule e qillima persianë. Në këtë festival të madh konkurues u paraqitën tre elementë të botës lirike të dasmës: 1. Përgatitja e pajës. 2. Gatimi, 3. Hedhja e cipullit nuses (bijë) nga nëna.

Image may contain: 10 people, including Meme Albert Habazaj, people standing

Organizimi i punës: Grupi u nda në 3 nëngrupe + 1 person: -N/grupi 1. Kaçovat që tjerrin e qëndisin; -N/ grupi 2 i gatimit të ushqimit (ëmbëlsira-revani); -N/grupi 3 i gatimit të ushqimit tradicional-byrek/ arapash; -Nusja. Çdo grup ka 3 gra. Çdo person kreu një detyrë të caktuar në funksion të ritit. Grupi i parë: e para, torri leshin, e bëri fill me furkë e drugë. Nga anët tona, furka dhe druga janë simoli i gruas tradicionale labe. Grupi i dytë punoi me shtiza fillin e përgatitur nga kaçova e parë dhe bëri çorape leshi, triko, fanella, tirqe, etj., për pajën e nuses; i treti, qëndisi pajën në gjergjef me gjëlpërë, qëndisi linjat, futat, xhoket, xhamadanët, jelekët, tirqet, mbulesat e oxhakut, këllëfë jastëku për vjehërrën, për vjehërrin etj. Nga ky grup u punua dhe në grep (biz) tantella për zbukurimin e këllëfëve të jastëkut dhe të gjitha veshjeve që ka qëndisur. -Nusja nusëron ulur në një karrige të vjetrë druri, mjet natyror në përshtatje me kulturën e këtij riti, mbuluar sytë deri tek hunda, me një shami të bukur, të pastër me rruaza “paràparà”. Kjo u bë, sepse sipas stërgjysheve, bëhej që nusja mos të shikohej nga të tjerët, që mos ta hanin me sy, se duhej të ruhej nusja nga syri i keq. Para se të dalte nga shtëpia e saj, babai (në rastin tonë unikal) nëna i hodhi cipullin bijës – nuse, i cili i mbuloi fytyrën dhe trupin. Cipulli është një veshje ceremoniale e dajles së nuses nga shtëpia (derëbabja). Cipulli qepet me një pëlhurë të kuqe nga para dhe të bardhë nga mbrapa, në krye të të cilit vendoset një pasqyrë e vogël, që simbolizon ndriçimin e udhës së jetës së saj, ta ketë dritë atje ku i bëhet udha e mbarë. Thyen rrezet e diellit dhe i thotë: edhe unë do të bëj diell atje ku do më shkelë këmba e do të jem sa të plakem. Në të dy anët e pasqyrës vihen dy dega ulliri, si kurorë simbolike e paqes, begatisë, prodhimtarisë, shëndetit, vitalitetit, jetëgjatësisë së lumtur të familjes së re që do të formojë nusja me dhëndërrin, kur të shkojë në derë të burrit.

Të gjitha këto punë të ritit të përgatitjes së pajës së nuses u shoqëruan me valle të kënduara grarisht dhe këngët përkatëse me nota gëzimi, mallëngjimi, humori dhe edukimi moralo-zakonor, që janë thurur e kënduar brez pas brezi nga katragjyshet, stërgjyshet, gjyshet dhe nënat tona, të cilat risillen sipas traditës, të gjalla, origjinale, të freskëta nga Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit” në EtnoFest, 2019, Kukaj Prishtinë.

3.2. Radha e këngëve në Etno-Fest Kukaj Prishtinë dhe shpalosja burimore e ceremonialit.

Radha e këngëve dhe valleve që shoqëruan Programin zyrtar të konkurimit të Grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” në EtnoFest, 2019, Kukaj Prishtinë me paraqitje folkorike dhe etnologjike “RITI I STOLISJES SË NUSES TËRBAÇIOTE SI PJESË E RITUALIT TË DASMËS NË LABËRI me aq gjallëri, natyrshmëri e nivel të lartë artistik në interpretim me këto skena: (1. Përgatitjes së pajës, 2. Gatimet, 3. Hedhja e cipullit nuses – improvizimi në derëbabe, në dhomën e grave rrjedh e kulluar sipas repertorit:

  1. Vallja e kënduar e hapjes së ceremonialit: “Ç’gëzim të bukur që kemi!”; teksti Albert Habazaj, marrëse Liljana Rrapi Kapaj, prin vallen Shpresa Kapo Çelaj, kthyese Liri Gaçe Shkurtaj, hedhëse Vito Shiroku Veraj; gratë e tjera shoqërojnë vallen me iso;
  2. “Luan, ç’luan hënëza”, teksti Llambro Hysaj, (peizazh në valle në vend me një hap), marrëse: Antoneta Goxho Mehmetaj dhe Shpresa Kapo Çelaj, në detyrat e tjera të grupit janë po ato zonja përkatësisht:

[Pas kësaj kënge:-nusja (Gjena, Evjeni Habili Seferi) u ul në karrigen me shilte, mjet natyror i improvizuar sipas traditës së moçme të kulturës së ritit. Fytyrën e kishte mbuluar me shami deri te hunda. (Cipulli iu vu më vonë, para se të nisej në shtëpinë e dhëndërrit). Në këto caste Grupi u nda në 3 nëngrupe: A) N/grupi i kaçovave (i përgatitjes dhe hapjes së pajës)-Shpresa, Neta, Liria; B) N/grupi i përgatitjes së ëmbëlsirës (revani)-Liljana, Vito, Mejo [Meme Ribaj Habazaj]; C) N/grupi i përgatitjes së ushqimit tradicional-byrek (Mira [Fatmira Hodo Skendaj], Lado [Lavdie Goxho Xhaka, Hava Çelaj Muçaj);

  1. “Zog, o zok me zë të hollë”, teksti popullor, marrëse Liljana Rrapi Kapaj;

[Ndërkohë që këndon, grupi ka filluar punën sipas proceseve përkatëse që ka çdo nëngrup];

  1. “Moj, hënë e pa bërë mirë”, teksti popullor, marrëse Meme Ribaj Habazaj;
  2. “Të vesha, të bëra yll”, teksti popullor, marrëse Antoneta Goxho Mehmetaj;
  3. “Ku je sot, po nesërmbrëma, bijë, o bijë, të keqen nëna”, teksti Albert Habazaj, marrëse Shpresa Kapo Çelaj;

[Pasi mbaroi kjo këngë, nuses ju hodh cipulli (Gjenës-Liria), veçse vlen të kujtojmë që, edhe sipas traditës, para hedhjes së cipullit nusja vishej me fustan krem i bardhë apo i verdhë me lule qëndisur, mbante në kokë shami blu me rruaza blu, zënë dhe sytë, deri në hundë, që të mos e shikonin, se e hanin me sy…

  1. “Në fustanin tënd, moj tri pika të kuqe”; teksti popullor, marrëse Hava Çelaj Muçaj;
  2. “Ç’janë ata që vij-ëno, nëna ime, moj nëno!” teksti popullor, marrëse Gjena+Liria [Nusja+Nëna];
  3. “Moj bij’ e derës së madhe, dale tërbaçiote, dale!” teksti popullor, marrëse Fatmira Hodo Skendaj
  4. Kënga e lamtumirës së vajzërisë “Me shëndet, nënë se ika!” teksti popullor, marrëse Gjena+Liria [Nusja+Nëna]. 10 Shqiponjat artiste, që në këtë dasëm konkuruese loznin si profesioniste rolin e ysmeçeshave (dajesha, xhaxhesha, halla, teze, motrat, kunatat), që në fakt ashtu janë se vijnë si prurje origjinale e Labërisë, janë bija, nuse, nëna e gjyshe labe, që kanë fijuar e martuar djem e vajza plot. Flamuri kombëtar u vu në krye të pajës. Kostumin kombëtar nusja e kishte po ashtu në sepete, sespe kur pajohet, bija e mer me vete veshjen tradicionale. Ato kishin marrë me vete një sepete me bazë materiale për veshje dhe për ushqim: veshje të leshta, patìqe për dimër, shall të leshtë, tirqe, fanella, xhamadanë, prokofë, çuje, rrugica, modele qilimash e sixhadesh me motive me diell e me shqiponjë, shtroje të vjetra, të pastra dritë bore, enë dhe mjete të domosdoshme, si dhe dy valixhe të vjetra, por fatmirësisht të mirëmbajtura, hekur me prush, shumë i vjetër, furkë me dogà bedena, drugë, shtëllungë leshi, mjete të tjera për punë dore në veshjet si shtiza, grep, (biz),  gjergjef për qëndisje; tenxhere, tava (tepsi), tas, kabash uji, rrahëse vezësh, lugë e madhe druri, petës, që e të tjera enë tradicionale gatimi, se dajesha vjen me revani sa të madhe me mjalt, gjalp e arra në dasëm të nuses/ mbesës në rastin tonë; xhaxhesha bën byrekun, që ç’të hash, të lëpish duart… Atje i bënë të gjitha këto rite dhe fituan shumë respekt, mirënjohje dhe duartrokitje. Model. Yje!

3.3. Trofeu. Çaste të mrekullueshme në EtnoFest, 2019; Kukaj – Prishtinë. Interesim maksimal për Grupin tonë “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, Himarë, Vlorë, Shqipëri. 10 Shqiponjat e Jugut, siç u cilësuan atje, u mikpritën sipas traditës “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Grupi u pëlqye shumë për paraqitjen aq dinjitoze, si kujtesë e gjallë e traditës së moçme dhe jetës së gjallë e aktive që bën për ruajtjen, pasurimin dhe përhapjen e këtyre visareve të shpirtit të pasur popullor. Shprehim mirënjohje të veçantë për Ambasadorin tonë në Prishtinë, z. Qemal Minxhozi, i cili tregoi nderim dhe vlerësim të lartë për Grupin tonë. Ai erdhi pikërisht për ne dhe na shoqëroi deri në fund, duke u ndier shumë i nderuar që ne e nderuam Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Arteve dhe Kulturës Tradicionale, Etno-Fest, 2019, Prishtinë. Qëndrimi afër nesh, bisedat e ngrohta e besimplote ndaj grupit, fotografitë, si dhe këto pamje/ imazhe tregojnë përgatitjet e Grupit tonë për t’u paraqitur lartësisht sa më pëqafësueshëm të  detyrës kombëtare, se kështu meriton të quhet ky konkurim yni nivelit ndërkombëtar tek Amfiteatri Kukaj me “Riti i stolisjes së nuses tërbaçiote si pjesë e ritualit të dasmës labe”. Dhjetë nga këngët e vallet e kënduara që shoqëruan procesin e ritit që nga përgatitja e pajës e gatimi (ndarja e punëve për 3 nëngrupet e grupit) deri te vendosja e cipullit nuses- gëzueshëm, herë me nostalgji, mallëngjim e humor, por gjithmonë me moralin e lartë dhe edukimin e nuses nga nëna dhe të afërmet e saj në odën e grave, krijuan emocione të fuqishme gëzimi e vlerësimi, gjë që na bëri me më shumë dashamirës shqiptarë dhe të huaj, që shfaqën interes të lartë për traditat më të mira të nënave tërbaçiote, labe, himariote, shqiptare, që përçuan nënat tërbaçiote.

Të motivuara pozitivisht, të frymëzuara e dinjitoze, të plotësuara sa me besim te vetvetja, aq ndjenjë të dyfishtë përgjegjësie e krenarie për përfaqësimin e Vlorës, Labërisë dhe emrit të madh të Tërbaçit, vendlindjes së shtrenjtë, çdo gjë shkoi mbarë dhe grupi dha vlerat më të larta të traditës sonë folkorike dhe etnologjike. “10 Shqiponjave të Tërbaçit” në fluturimin e bukur e të lartë me këngë e valle të kënduara, sipas traditave të moçme ishin vetvetja, origjinale, që e shfaqën veten natyrshëm.

E merituan fitoren, se janë SHQIPONJA!

  1. Mesazhet. Ishin të shumta dhe të mbushura me lëng dashamirësie mesazhet jo vetëm nga artistët e miqtë, por sidomos nga intelektualë, veprimtarë e njerëz të profesioneve të ndryshme. Po përzgjedhim për “Telegrafin” disa prej tyre: Elvana Beqa Avdiu, mësimdhënëse e artit Figurativ, e bija e artistit kosovar Sherif Beqa, shkruan: “Bashkë me zërat e ëmbël dhe ngjyrat e veshjes na sollët edhe një copë deti nga Himara e bukur! Ju lumtë që e ruani këtë vlerë kombëtare-Polifoninë”. Prof. Nexhat Hyseni, Prishtinë shkruan për veshjen tonë: “Veshje e mrekullueshme etno shqiptare”. Ilaz Hysaj, drejtor artistik i Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etno – Fest më shkruan: “I nderuar Albert. Iu falënderojmë vellazërisht për pjesëmarrjen dhe paraqitjen dinjitoze të grupit tuaj “Dhjetë Shqiponjat e Tërbaçit” që pasuruan këtë mbrëmje të bukur të festivalit”. Ndërsa bashkëfshatari Riza Rrokaj, pasi vlerëson grupin tonë, shkruan: “Ju lumtë, zonjat e Tërbaçit! Ju thyet një concept (për moshën), por po i jepni krenari fshatit Tuaj”. Këngëtari virtuoz, dukatasi Berdo Berdo i “Jehonës labe”, që është bërë sinonim i këngës vigane “Dil, Pasha se jam për udhë…”, pasi uron grupin për paraqitjen atje dhe suksese të tjera pas trofeut të festivalit, thekson “…është një sakrificë e jashtëzakonshme që të mbashë vlerat gjallë. Kjo është një “marrëzi’ që neve na ka dedikuar që të jemi shërbëtorë të zotit në këtë fushë. Dhe njëherë urime zonja edhe personalisht të nderuarit z. Bert Abazi”. Me mirënjohje i drejtohem aristit të madh “Po more, miku im, Berdo Berdo, ashtu është. Fole me fjalë të vërteta shpirti, se ti e di mirë, se ç’domethënë të jesh shërbëtor i zotit në folkor dhe etnologji, sidomos në Labëri, në këto trevat tona me thesare, që me shpirtin s’bëjnë pazare! Pikërisht ti je Mjeshtri i këngës së rëndë, që kumbon si ti di me këngën burrërore: “Dil, pashà, se jam për udhë!”. Mësuesja veterane e letërsisë, veprimtareja e palodhur Vojsava Shkurtaj (ish-kryetare e këshillit të bashkisë Vlorë): “S’Ka më bukur për të përcjellë trashëgiminë e të parëve. Artiste. Me veshje të mrekullueshme. Etnologji dhe folkor nga burimi, andej lart, nga mali i Çikës”. Poeti i mirënjohur vlonjat Seit Seitaj i Gjormit, nip në Tërbaç, nga Savona, Itali shkruan me fjalë lakonike: “Llamburijnë, shpërndajnë melodinë”. Ja çfarë shkruan Peno Xhakaj, e shoqja e Nebiut, kthyesit më të mirë të këngës tërbaçiote dhe asaj labe deri më sot: “Si zonja jeni, labe me halle”. Ervehe Mollosiu shkruan nga larg: “Kush punon me folkorin si ju mban të gjallë shqiprtin e një kombi”. Mësuesi model i bukurshkrimit, Liriku i Vlorës Hiqmet Mehmetaj përcakton: “Ansambël ngazemra e labërisë! Sa të shijon!” ndërsa Diana Lapa e Bregut plotëson: “Duarartat e Tërbaçit”. Ish ushtaraku i lartë Çlirim Muka cilëson “Krenari për ne dhe Vlorën tonë”. Shkrimtari e poeti pegasian Kristaq F. Shabani thotë: “Një paraqitje e traditës dhe përkushtimit. Shpirt i pasur”. Mësuesi dhe bashkëfshatari ynë Lefter Beqiraj, me dëlirësi shprehet: “Urime Grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”! Nderin dhe prestigjin e vendlindjes Tërbaç më lartë e ngrini me performimin tuaj”. Rahaman Kosova nga Prizreni thotë: “Faleminderit për gjithçka. Kontribuoni në promovimin e kulturës dhe polifonisë vlonjate”. Labëria-zemra e kombit. Shqiponjat tërbaçiote – prima”. Kritiku Elton Brakaj shkruan: “Suksese këtij projekti dinjitoz të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të vendit”. Në fakt, është vërtet një projekt i madh shpirtëror, veçse pa ndihma financiare nga të tjerët, vertikalisht qofshin apo horizontalisht. Është një projekt moral realizuar nga të 11 ne, me solidaritet e vullnetarisht për vendlindjen dhe thesaret e shpirtit të saj të pasur. Evgjeni Kiçaj Lelo, kuadro, këngëtare e ansamblit “Çipini”, bashkëshorte e Mjeshtrit të madh Tomorr Lelo, si duket me gëzimin e krenarinë e motrës shprehet: “Shkëlqeni si yje. Suksese në rrugën aq sa të bukur dhe shumë të vështirë të përcjelljes së trashëgimnisë së folklorit në një kohë pa asnjë lloj interesi dhe pa një fond për të”. Janë fatkeqësisht të vërteta fjalët e artistes. Por është dëshira dhe respekti për traditën tonë, për ta përcjellë në breza, pavarësisht vështirësive, paragjykimeve e koncepteve të vogla pa grimëz drite. Faleminderit dhe nderim për të gjithë njerëzit e mirë, që qoftë edhe me fjalën e tyre të thhjeshtë e të ngrohtë na ndihmojnë, na frymëzojnë, na inkurajojnë që vijojmë udhëtimin tonë etnofolkorik. Kontribuojmë me ç’ka kemi mundësi maksimalisht për vendlindjen tonë të dashur, Tërbaçin, për thesaret e trashëguara nga të parët, nga stërgjyshet, gjyshet e nënat tona. Shpirti i popullit rron e do të rrojë në shekuj edhe nëpërmjet mesazheve etnologjike e folkoristike që japin 10 Shqiponjat e Tërbaçit, Heroinat e vërteta, që çdo gjë e bëjnë me forcat e tyre, me sakrifica, që ato dhe unë i dimë, me solidaritet e dinjitet. Mirënjohje për këdo që e vlerëson këtë visar! Krenar për shqiponjat tërbaçiote për përfaqësimin e kompletuar, bashkë me ne edhe amabasadori ynë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi.
  2. Misioni. Kjo ngjarje e rëndësishme artistike, etno-folkorike e ndërkulturore, që erdhi si dialog kontemporan (bashkëkohor) me traditën, mund të quhet dhe festival i traditave në rrezik e detyra e çdo grupi, ansambli të popujve që u përfaqësuan që: të ruajmë nga zhdukja traditat tona kombëtare, t’i marrim me vete në udhëtimin e jetës, t’i përçojmë tutje si stafetën më fisnike të të parëve tanë, ta pasurojmë atë, ta paraqesim, të pëlqehet dhe mos të ndërpritet marathona shpirtdritërore etnofolkorike në jetë të jetës, djalë pas djali e bijë pas bije në breza.

Një tjetër vizion çeli ky festival domethënës: ndikimin e muzikës së re tek e vjetra, për t’i dhënë identitet. Kjo u pa tek të gjithë pjesëmarrësit, gjë që u duk sidomos tek prurjet tona me ritet e vjetra, ritualin e moçëm, doket e dasmës, dialogun muzikor dhe performancën. Për këto paraqitje e të tjera vlera që ne na duken të zakonshme, normale, bashkëshoqëruese të përditshmërisë në botën e Tërbaçit edhe nëpërmjet polifonisë femërore në etnologji e folkor, të cilat, si duket, në tërësi, tërhoqën vëmendjen e jurisë serioze që Grupi i Grave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” të nderohet me Çmimin Special të Festivalit Ndërkombëtar të Arteve dhe Kulturës Tradicionale, EtnoFest, 2019, Kukaj – Prishtinë.

Edhe pse nuk njohim, nuk i pamë, nuk i takuam, se dhe nuk i kërkuam, nga që, duke qenë larg e me punë, me mirëkuptim ikëm më përpara, ne shprehim mirënjohje për anëtarët e jurisë së ETNO-FEST, 2019: prof. Nebih Islami kryetar, prof. Prend Buzhala shkrimtar, publicist dhe kritik, prof. Elmaze Nura regjisore. Faleminderit për gjithçka u përkushtuat ndaj nesh dhe mirë se t’ju gjejmë në dasma të tjera, zotni Ilaz Hysaj e baca Fadil Hysaj, si dhe ju, o miqtë e mi të Institutit Albanologjik, Prishtinë Prof. Arbnora Dushi e Dr. Valon Shkodra, sepse ju e ndezët zjarrrin e ngrohtë, që u bë kjo festë kaq e bukur për grupin !