Zyrtarë të UEFA-s dhe FIFA-s në Shqipëri, për zgjedhjet në FSHF. Zoran Lakoviç, drejtor i divizionit të Federatave kombëtare në UEFA, thekson edhe njëherë parimet e qeverisë evropiane të futbollit, duke uruar në zgjedhje demokratike. “Unë dhe Surkis, zv.presidenti i UEFA-s, do të jemi këtu për të ndjekur Asamblenë e Përgjithshme që do të mbahet të mërkurën. Surkis ishte në Tiranë pak ditë më parë, vizitoi Federatën dhe takoi kryeministrin e vendit, e raportimi i tij ishte pozitiv për takimet. Ne mendojmë se zgjedhjet do të jenë demokratike dhe kjo është arsyeja që jemi këtu. Nuk jemi thjesht për të monitoruar procesin, por edhe fushatën elektorale, që është shumë e rëndësishme të jetë konform parimeve të UEFA-s”, tha Zoran Lakoviç, drejtor i divizionit të Federatave kombëtare, UEFA. Së bashku me përfaqësuesit e UEFA-s, në Tiranë ka mbërritur edhe Luca Nicola, përfaqësues i FIFA-s dhe vëzhgues i organit më të lartë të futbollit botëror, për zgjedhjet e 7 shkurtit. Asambleja e Përgjithshme zgjedhore do të zhvillohet ditën e mërkurë, në Durrës, e fillon punimet e saj nga ora 09:00.