Zbulohet dokumenti/ “Film reaksionar e armiqësor që …”! Ngjarja në Kinostudio që...

Zbulohet dokumenti/ “Film reaksionar e armiqësor që …”! Ngjarja në Kinostudio që alarmoi udhëheqjen dhe kryqëzoi 12 kineastë

19
0

Dashnor Kaloçi

 

Publikohen disa dokumenta arkivore të nxjerra nga një dosje voluminoze e Arkivit Qendror të Shtetit të cilat i përkasin fondit të ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku bëhet fjalë për një raport-informacion të bërë nga ana e organizatës bazë të partisë të Kinostudios “Shqipëria e Re” më datën 18 dhjetor të vitit 1973, që i dërgohet Komitetit të Partisë së Rajonit Nr.1 në Tiranë.

Në dokumentin në fjalë është bërë një analizë e thellë lidhur me filmin dokumentar “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor”, me skenar të Vangjush Gambetës dhe regji të Mit’hat Fagut të realizuar në gushtin e atij viti, i cili shkaktoi shumë probleme dhe tronditi udhëheqjen e lartë të PPSH-së, duke provokuar mbledhje të shumta që zgjatën disa muaj me rradhë, ku morën pjesë si të deleguar: Foto Çami, Dashnor Mamaqi, Mantho Bala, Hamit Beqja, Jakup Mato etj. Përse filmi u ndalua duke konsideruar “në themel reaksionar e armiqësor që diskretiton kuadrot e vijën e partisë dhe pushtetit”, si dhe masat ndëshkimore që u dhanë për shefat kryesorë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si: Vangjush Zallëmi, Piro Milkani, Endri Keko, Todi Bozo, Asim Raxhimi, Bujar Kolaneci, Teodor Siliqi, Pashko Çomo dhe kineastët: Mit’hat Fagu, Vangjush Gambeta, Ilo Pando, Peçi Dado, Muharrem Skënderi, Lavdi Fortuzi, Kiço Blushi, Kujtim Gjonaj, Halil Kamberi, Vllasova Musta, Rudolf Radovani, Angjelina Xhara etj.

 

Ndërsa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 1973 në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të kryeqytetit si: Teatri Kombëtar, Radio-Televizioni Shqiptar, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shëipërisë, Teatri i Operas dhe Baletit, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore, Kinostudio “Shqipëria e re”, Teatri i Estradës Profesioniste të Tiranës, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, etj., vazhdonin ende mbledhjet e gjata të organizatave bazë të partisë dhe komiteteve profesionale me analiza e diskutime “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha” mbajtur më aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor më 15 e 16 mars të atij viti, ku si temë kryesore ishte: “Lufta ndaj shfaqjeve të huaja e liberale në art, kulturë e letërsi dhe ndikimi i tyre në jetën e vëndit”, në datën 31 gusht që shënonte dhe zyrtarisht fundin e pushimeve verore, u hap fjala se në Kinostudion “Shqipëria e Re”, kishte ndodhur diçka e pazakontë.

 

Në atë atmosferë tejet të acaruar për të gjithë shkrimtarët dhe artistët, ku sapo ishte shkarkuar kryetari legjendar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dhimitër Shuteriqi, (duke u konsideruar si bashkëpunëtor i ngushtë i Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës ndaj të cilëve kishte filluar goditja personalisht nga Enver Hoxha) dhe pritej me ankth për “prerje kokash të tjera”, paradoksalisht, një film-dokumentar që kishte mbaruar xhirimet aty nga muaji maj i atij viti dhe që ishte shfaqur për kolektivin e Kinostudios “Shqipëria e Re”, kishte paraqitur shumë probleme serioze.

 

Madje ai ishte konsideruar si: “film në themel reaksionar dhe armiqësor që diskretiton kuadrot dhe vijën e partisë e të pushtetit”. Kaq ishte dashur për t’u vënë alarmi jo vetëm në drejtorinë e Kinostudios, por deri në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, duke provokuar mbledhje pas mbledhjesh, të cilat do të vazhdonin për muaj me rradhë deri në fundin e atij viti. Ku si rezultat, filmi do të ndalohej dhe shefat kryesorë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si: drejtori Vangjush Zallëmi, zv/drejtori Piro Milkani, sekretari i organizatës bazë të Partisë, Endri Keko, si dhe kuadrot e tjerë Todi Bozo, Asim Raxhimi, Bujar Kolaneci, Teodor Siliqi, Pashko Çomo, do të viheshin përpara përgjegjësisë, duke bërë kritika dhe autokritika në mbledhjet e shumta përpara të deleguarave nga Komiteti Qëndror i PPSH-së, si: Foto Çami, Dashnor Mamaqi, Mantho Bala, Hamit Beqja, Jakup Mato etj.

 

Por nuk do të mbaronte gjithçka me aq, pasi “furtuna” do të vazhdonte edhe ndaj kineastëve, duke filluar nga dy autorët kryesorë të filmit, si regjizori Mit’hat Fagu e skenaristi, Vangjush Gambeta, për të përfunduar te: Ilo Pando, Peçi Dado, Muharrem Skënderi, Lavdi Fortuzi, Kiço Blushi, Kujtim Gjonaj, Halil Kamaberi, Vllasova Musta, Rudolf Radovani, Angjelina Xhara etj.

 

Por ç’ishte ai film-dokumentar që si rrallë herë po shkaktonte gjithë ato probleme deri në udhëheqjen e lartë të PPSH-së që mbulonte artin e kulturën dhe si u mbyll ajo ngjarje që vazhdoi për muaj me radhë? Për të gjitha këto na njeh dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit, i cili ashtu si dhe pjesa më e madhe e tyre, publikohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim.

 

Raport-informacion i organizatës bazë të partisë së Kinostudios “Shqipëria e re”, drejtuar Komitetit të Partisë së Rajonit Nr.1 Tiranë

 

ORGANIZATA BAZË E PARTISË

 

SEKTORI I PRODHIMIT

 

KINOSTUDIO “SHQIPËRIA E RE”

 

I N F O R M A C I O N

 

KOMITETIT TË PARTISË SË RAJONIT NR.1

 

T I R A N Ë

 

MBI FILMIN “NË SHTIGJET E REVOLUCIONIT TEKNIKO-SHKENCOR”

 

Historiku nga skenari deri tek qëndrimi i organizatës bazë të partisë

 

Sipas dokumentacioneve zyrtare dhe nga të dhënat në relacionin e Drejtorisë së Kinostudios kërkuar nga zv/ministri i Arsimit dhe Kulturës sh. Mantho Bala, dërguar më datën 8/12/1973, rezulton:

 

Tema për një film dokumentar problemor të metrazhit të mesëm 3-4 akte kushtuar racionalizatorëve është paraqitur nga ana e redaksisë dhe aprovuar në instancat përkatëse në planin tematik të prodhimeve për vitin 1973.

 

Që në fillim të vitit ish aprovuar të shkruante skenarin shoku Vangjush Gambeta, nga ana e drejtorisë së Kinostudios janë ngarkuar me detyrën e regjizorit Mit’hat Fagu dhe redaktori i filmit Muharrem Skënderi. Më 1 shkurt 1973 është paraqitur variant i parë i sekenarit nga dy bashkëautorët Vangjush Gambeta dhe Mit’hat Fagu. Në mbledhjen e redaksisë morën pjesë autorët e skenarit, redaktorët Muharrem Skënderi, Halil Kamberi, Kiço Blushi, Kujtim Gjonaj, Vllasova Musta, Angjelina Xhara, regjizori Ilo Pando dhe N/Drejtori, Piro Milkani. Nga konkluzionet e diskutimeve nuk dolën shqetësime të theksuara në përmbajtjen e skenarit, u bënë vërejtje të pjesëshme: disa ishin për të bërë korigjimet direkt me skenarin tekniko-regjizorial dhe disa për të bërë një variant të dytë më të përpunuar. Sot rezultoin se nuk u paraqit variant i dytë.

 

-Për këtë etapë organizata konstatoj se: Që në formulimin e përmbajtjes së subjektit, si dhe nga diskutimi i skenarit është një punë pa përgjegjësi ideo-politike nga ana e redaksisë, veçanërisht nga ana redaktorët përgjegjës për filmin, M. Skënderi, ish-n/drejtori P. Milkani dhe komunisti I. Pando, pavarësisht se ay nuk është anëtar i redaksisë dhe asistoj në diskutim, në mënyrë vullnetare.

 

Subjekti dhe skenari kaloj në etapat e tjera të prodhimit (në skenarin tekniko-regjizorial për 3-4 ditë të aprovuar nga n/drejtori P. Milkani) dhe në xhirimet nga 1 marsi deri në 17 maj, këtu drejton komunisti Teodor Siliqi, në atë kohë zv/drejtor prodhimi si dhe organikisht kryetar i degës së prodhimit.

 

U krijua grupi i xhirimit (pa asnjë komunist) dhe në këtë etapë u kosntatuan si anomali prodhimi, ashtu edhe thyerja e normave të planifikuara. Deri atëhere, skenari letrar, as ay tekniko-regjizorial nuk ishin lexuar si nga përgjegjësi i redkasisë Peçi Dado, që detyrimisht duhej ta bënte këtë punë, ashtu dhe nga drejtori i institucionit komunisti, Vangjush Zallëmi.

 

Lëshimet e bëra në punë nga ana e drejtorisë, moskërkimi llogari për zbatimin e aftave, mungesa e kontrollit rigoroz të punës si nga redaktori përgjegjës dhe dega e prodhimit, e zvarritën procesin e punës (montim, tekst, muzikë etj.). Filmi u pa nga drejtoria më 31 gusht 1973. Aty morrën pjesë sh. Vangjush Zallëmi, Bujar Kolaneci, sekretari i organizatës së partisë sektorit të prodhimit, Pashko Çomo dhe autorët Vangjush Gambeta dhe Mit’hat Fagu.

 

-Nga diskutimet në organizatë doli se në këtë shikim e shtynë disa faktorë; zvarritjet e gjata të procesit, disa shqetësime nga të interesuarit, shqetësime të mekura nëpër korridore, mendime të disa kolegëve të Mit’hat Fagut (i’a kanë lavdëruar veprën, por deri tani nuk na kanë thënë asnjë emër). Shokët e sipërshënuar panë një film prej 9 aktesh nga 3-4 të planifikuara.

 

-Drejtoria e Kinostudios (sipas relacionit që i dërgohet sh. Mantho Bala më 8/12/1973, pasi dokument tjetër nuk ka), menjëherë më 31 gusht mblodhi të interesuarit, bëri konstatimet e vërejtjet përkatëse, dhe e cilësoj të gabuar:

 

  1. Hyrjen e filmit, 2) Intervistimet, 3) montimi i të intervistuarëve, 4) mënyra e dhënies së debateve shkencore.

 

Në realcionin e dhënë se autori i skenarit, Vangjush Gambeta pranoj vërejtjet dhe kërkoj të bëhen ato në montim, pastaj të shkruaj tekstin. Po kështu regjizori Mit’hat Fagu ra dakort për rregullimin e tyre, porse çfaqi dëshirën që filmi të diskutohej në kolektivin krijues, në gjëndjen si është “për të justifikuar kohën e gjatë dhe harxhet”.

 

-Edhe pas 31 gushtit, me gjithë shqetësimet që u thanë në drejtori, si nga drejtori edhe nga sekretari organizatës së prodhimit, nuk u bë as edhe një sinjalizim në parti, redaksi, degën e prodhimit, në asnjë byro, qoftë atë të prodhimit, qoftë në byronë e ndërrmarjes, asnjë nga anëtarët e byrosë nuk ka ngritur zërin seriozisht në këtë problem. Përkundrazi, shoku Vangjush Zallëmi ngarkoj Peçi Dadon të bëjë tekstin e filmit në atë gjëndje që filmi ish parë më 31 gusht.

 

-Megjthëse autorët ranë dakord me vërejtjet e drejtorisë, ato insistonin që të paraqitej në atë gjëndje në kolektiv. Drejtorija e dha për diskutim në kolektiv filmin në atë gjëndje duke arsyetuar: a) Regjizori i’a kishte çfaqur filmin mjaft kolegëve të tij (kujt, si? asnjë emër nuk na thuhet në organizatë”!), por të bëheshin diskutime, pra për zhvillimin e diskutimeve në rrugë të rregullt, b) diskutimi, mendoj se do të vlente për të nxjerrë mësime, për kolektivin dhe për të kuptuar të metat autorët, d), si përgjigjije këmbënguljeve të vetë autorëve.

 

Në organizatën e partisë rezulton se çfaqja e filmit me 12 nëntor 1973 në kolektiv ishte rezultat i lëkundjeve ideologjike që i pari Vangjush Zallëmi që me shikimin e filmit më 31 gusht. Ay akoma nuk është i bindur për të meta serioze të karakterit ideologjik në film, ay mendonte se filmi mund të bëhej i çfaqshëm. Këtë e vërtetoj edhe fakti që ay nuk bëri ndonjë ndërhyrje për të orinetuar kolektivin mbi të metat dhe dobësitë serioze të tij, dhe aq më keq kur ai i’u këndërvu diskutimit shumë parimor që bëri sekretari (organizatës partisë sh. Endri Keko) mbi të metat ideore të filmit, duke i lidhur ato edhe me porositë e partisë për forcimin e partishmërisë në kinematografi, në luftë me ndikimet e ideollogjisë imperalisto-revizioniste.

 

Këtu sh. Vangjush Zallëmi çfaqi habinë se përse sh. Endri bëri një diskutim të tillë, pse duhet të përmëndet në këtë rast rruga e kinematografisë tonë, pse duhet të përmëndet eksperienca e hidhur e revoluciomnit të kinematografisë polake, sovjetike etj. Kjo ndërhyrje tingëlloi shumë keq para të gjithë kolektivit krijues. Megjithatë në kolektiv vazhduan diskutimet dhe shumica dërrmuese e kritikoj filmin ashpër në aspekte të ndryshme ideo-estetike.

 

Duhet shënuar se në këtë mbledhje, bashkëautori i skenarit sh. Vangjush Gambeta, i cili më 31 gusht kishte qenë dakort mee vërejtjet e drejtorisë, këtu i cilësoi vërejtjet e shokëve tendencioze, dhe tha se filmi mund të përmirësohet me disa shkurtime.

 

Organziata e vlersojë të gabuar çfaqjen nga ana e drejtorit të këtij filmi në auditorin e kolektivit, si një film në themel reaksionar, dhe nga vetë fakti se aty diskretitohen një numër kuadrosh si dhe vetë vija e partisë dhe pushtetit tonë.

 

Me gjithë kërkesën e sekretarit të byrosë sh. Endri Keko, që në fillim organizata e partisë të organizoj një seminar me punonjësit krijues për të nxjerrë mësime nga gabimet, të nesërmen e çfaqjes nga ana e redaksisë dhe drejtorisë, u punuan vërejtjet me shkrim që t’i jepen regjizorit, për t’a punuar filmin siç bëhet në proceset normale, si për një film të rregullt.

 

QËNDRIMI I ORGANIZATËS DERI TEK KONKLUZIONET

-Para kësaj situate, kur në kolektiv u çfaqën shqetësime serioze për filmin, ditën e mërkurë më 14 nëndor 1973, byroja e organizatës bazë të partisë (sektori i prodhimit), mori masat: Filmi të pezullohet nga prodhimi, t’i jepet për çfaqje organizatës dhe pastaj për diskutim ku të nxirren shkaqet dhe përgjegjësitë. Byroja e institucionit udhëzoj drejtortinë të çfaqi filmin me të intervistuarit, për të verifikuar mënyrat si janë marrë sinkronet etj., dhe pastaj të analizohet në mbledhjen e organizatës së prodhimit, organizata që mbulon të gjithë veprimtarinë e sektorëve që janë të intersuar në këtë problem.

 

Pas çfaqjes së filmit në organizatën e partisë ku u ftuan për shikim të gjithë komunistët e Kinostudios, ditën e martë më 27 nëndor 1973, ora 16-22 u çfaq dhe u zhvilluna diskutime me të intervistuarit në film, që ishin ftuar nga Shkodra, Durrësi, Lushnja, Rrogozhgina, Tirana, si dhe sekretarët e organizatave të Ministrisë së Buqësisë, Industrisë, Institutit të Ndërtimeve, Institutit Bërthamor, etj., gjithsej rreth 25-30 veta: këtu morrën pjesë byroja e parties, sektori i prodhimit, byroja e përgjithëshme, si dhe sekretarët e organizatës të sektorit dhe të film-arshivës.

 

Pas çfaqjes së filmit, në këtë takim që kish për qëllim të vërtetohej, si, në ç’rrugë janë marrë intervistat dhe aja janë të sakta ato, morrën fjalën 22 shokë dhe shoqe të intervistuar. Pothtuaj të gjithë të intervistuarit që morrën fjalën, çfaqën indinjatën e tyre për mashtrimin, fallsitetin dhe rrugën provokuese që ka përdorur regjizori Mit’hat Fagu në intervistimin e tyre. Metoda bazë e kësaj pune ka qenë fshehtësija, me kamerën e fshehtë gjatë bisedimevetë gjata e të lira në tema përgjithësuese, regjizori ka inçizuar dhe filmuar atë çka ka dashur ay pa dijeninë e të interesuarit, në montim shumë nga këto intervista janë ballafaquar me njëra tjetrën pa dijeninë e tyre.

 

Shokët e Ministrisë së Buqësisë, Institutit të Ndërtimit, Institutit Bërthamor, Kooperativat Bujqësore Rrogozhinë, thanë se pas xhirimeve kanë kuptuar mashtrimet dhe kanë çfaqur çqetësimet pranë drejtorisë së Kinostudios, por, me sa u pa në film, nuk ish marrë asnjë masë për parandalimin e këtij veoprimi mashtrues. Shokët e intervistuar çfaqën mendimin njëzëri se kjo është një vepër e një individi mashtrues, miopin politik, diskretituesi të kuadrrove të pushtetit dhe të partisë, Mit’hat Fagu (kish mendime edhe për të paditur M. Fagun në organet gjyqësore për cënimin e së drejtës qytetare). Përsa i përket Kinostudios dhe sidomos organizatës së partisë, ato çfaqën, mendimin se kjo çështje do gjëjë vëndin e duhur.

 

Mbledhja e organizatës së partisë, miratoj këtë takim, dhe u çfaqn mendime se aty doli që Mit’hat Fagu i ka bërë një shërbim shumë të dëmshëm, si kuadrove, ashtu dhe vetë vijës së partisë në çështjen e racionalizatorëve.

 

Ditën e martë, 4 dhjetor 1973. Filmi u pa nga komisioni i kontrollit paraprak (ndër të tjera shoku Foto Çami, Mantho Bala, Hamit Beqja, Jakup Mato), si dhe kudadro nga Ministrija e Arsim Kulturës. Pas çfaqjes nga shokët u dha porosija e prerë që filmi të bllokohet, dhe të mos çfaqet gjëkundi. Që në mendimin e parë u tha se ay është një film i shtrembër, diskretitues për partinë dhe shtetin, dhe që s’ka asgjë të përbashkët me vijën e partisë tonë.

 

Të enjten 6 dhjetor: Drejtortia e Kinostudios u thirr në raport në Ministrinë e Arsim Kulturës, aty u vu detyra për të paraqitur një relacion me shkrim brenda datës 8 dhjetor 1973.

 

Relacioni i dërguar Ministrisë, i’u paraqit organizatës nga shoku Vangjush Zallëmi, në mbledhjen e saj të 11 dhjetorit. (sh. Vangjush Zallëmi ish ngarkuar nga byroja të dali në raport në organizatë, të informojë atë në frymë kritike. (Në frymë partije dhe jo në një material teknokratik).

 

Organizata u ndal mbi atë material dhe çfaqi mendimin se është një punë e cekët, nuk thellohen shkaqet dhe konseguencat, mungon fryma autokritike, masat edukative kundrejt përgjegjësve janë shumë liberale, (shkurtimisht, M. Fagu 2 vjet për riedukim në prodhim jashtë Tiranës. M. Skënderit, vërejtje me paralajmërim. As/operatorit Lavdi Fortuzi, vërejtje me paralëjmërim, N/operator Rudolf Radovani vërejtje, – pjesmarrësve në diskutimin e skenarit qortim, përgjegjësit të redaksisë Peçi Dado, qortim. Asnjë masë për drejtuesit kryesorë.

 

 

III. MBLEDHJA E ORGANIZATËS

 

Ditën e martë 11 dhjetor 1973 dhe 13 dhjetor, u mbajt mbledhja e organizatës sektorit prodhimit (me gjithë kërkesat e organizatës së administratës, byroja e përgjithëshme mendoj që ajo të bëhej vetëm me organizimin e prodhimit), aty u ftuan anëtarët e drejtorisë, komunistët Todi Bozo, Bujar Kolaneci, Asim Raxhimi, anëtarët e byrosë së përgjithëshme si dhe sekretarët e dy organizatave (kinofikim-administratë dhe filmarshivës). Të deleguar morrën pjesë nga aparati i Komitetit Qëndror sh. Foto Çami, Jakup Mato nga Komiteti i Partisë së Rajonit Nr. 3 Shaban Maçi.

 

Në senacën e parë, mbledhja u hap nga sekretari i organizatës së prodhimit, sh. Pashko Çomo, me një diskutim kryesor kritik dhe autokritik si dhe orientues për organizatën, si duhet ta shqyrtoj problemin. Pas tij foli i ngarkuari Vangjush Zallëmi, i cili si diskutim për organizatën lexoj relacionin që kish hartuar drejtorija për Ministrinë (siç u vlersua dhe më lart ay material u kritikua në organizatë).

 

Në diskutimet e ditës së parë morën pjesë 13 shokë. Pas tyre u ndërpre mbledhja për të vazhduar më datën 13 dhjetor.

 

Në vazhdimin e mbledhjes së 13 dhjketor (ku asistoj veç të tjerave dhe shoku Dashnor Mamaqi), sekretari i organizatës sh. Pashko Çomo informoj organizatën për shqetësimin që pati aktivi i Rajonit Nr. 1 për filmin, ay duke sjellë edhe frymën për një diskutim autokritik, ftojë organizatën të thellojë diskutimet dhe të dali me konkluzione më të pjekura. Në seancën e 13 dhjetorit morën pjesë në diskutim edhe 15 shokë e shoqe (gjithësej 23 vetë diskutuan këtë problem). Nga diskutimet në organizatë si dhe konkluzionet e bëra nga shokët Foto Çami e Dashnor Mamaqi lidhur me filmin “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor”, dolën këto problem dhe detyra:

 

Problemi që mori në analizë organizata ishte shumë shqetësues. Filmi është krejt i huaj për realitetin tonë, reaksionar e armiqësor. E keqja ka filluar që nga subjekti dhe skenari letrar që kanë të njëjtën frymë dhe linjë me filmin. Konkluzioni i filmit është se tek ne sundon burokratizmi, konservatorizmi, njerëzit që pengojnë të renë përparimtare. Kjo vepër armiqësore duhet të na shqetësojë se ndodh pas fjalimeve të sh. Enver dhe pleniumit të IV të Komitetit Qendror të P.P.Sh-së.

 

Përgjegjësi ka byroja e organizatës sektorit prodhimit dhe ajo e institucionit, me shokët P. Çomo dhe E. Keko. Ato nuk kanë respektuar si duhet mbi orientimet e partisë. Duhej parë tërë plani tematik. Ato përgjigjen për vijën e partisë. Sh. Pashko Çomo ishte në mbledhjen e 31 gushtit dhe nuk e bëri problem në parti shqetësimin për filmin.

Përgjegjësia ka drejtoria e institucionit dhe veçanërisht sh. V. Zallëmi i cili në këtë çështj ka pasur lëkundje ideologjike, kritika e tij në 31 gusht nuk ishte e shkallës së duhur, ai mendonte se filmi do të regullohet. Ai nuk duhej t’ia paraqiste filmin kolektivit, (kjo tregon përsëri lëkundje), ai nuk u lëkund as edhe nga diskutimi parimor i sekretarit të organizatës, sh. V. Zallëmi, me cilësinë e drejtuesit të institucionit, nuk i lejohet të mos lexonte skenarin sidomos për një temë të tillë problemore. Gjatë proçesit të realizimit ai ka lejuar zvarritje, nuk ka ushtruar kontroll, ndihet frymë liberale në dhënien e urdhërave dhe lëshimet. Ai duhej detyrimisht, pas fjalimeve të sh. Enver, të ishte rishikuar repertorin dhe prodhimet në proçes sipas porosive të veçanta të dhëna nga partia.

 

Përgjegjësi shumë të madhe për realizimin e këtij filmi ka redaksija. Në diskutimin e skenarit ajo është treguar më tepër se miope. Nuk shkarkohet nga përgjegjësia shefi i redaksisë Peçi Dado, futi në planin tematik një subjekt të shtrembër, nuk lexoj skenarin e filmit, tek ai ka frymë liberaliste, e ka parë filmin disa herë dhe nuk e ka ngritur zërin domethënë e ka aprovuar atë. Ai edhe se pretendon të ketë pasur vërejtje për filmin ka pranuar të shkruaj tekstin e tij.

Përgjegjësi ka dega e prodhimit dhe veçanërisht shoku Teodor Siliqi i cili për një kohë ka qenë edhe zv/drejtor i prodhimit. Ai ka lejuar të futet në prodhim një film me përmbajtje të keqe nuk është treguar konseguent dhe i rreptë në kërkesën e llogarisë për zvaritjet e filmit dhe thyerjen e normave të prodhimit.

 

Baza e kësaj vepre të gabuar është skenari i filmit shkruar nga sh. Vangjush Gambeta dhe Mit’hat Fagu. Aty janë nuancat dhe linjat e një filmi me gabime të rënda të karakterit ideologjik që errësojnë realitetin tonë socialist. (Për sh. V. Gambeta organizata është e mendimit ti njoftohet organizatës partisë së Redaksisë “Zëri i Popullit” dhe të mbahet qëndrim për veprën e tij).

 

Përgjegjësia kryesore për realiziimin e këtij filmi e ka regjizori Mit’hat Fagu. Ai disa herë është kritikuar nga kolektivi për koncepte të gabuara ideo-estetike në filmat e tij, për konfuzion ideollogjik, mendjemadhësi dhe arogancë. Në këtë film ai tregon vehten e tij se ka qenë i predispozuar për shtrembërimin e realitetit, me tendenciozitet ka theksuar anët negative të skenarit. Ai ka nxitur debatin shkencor me qëllime për të ngjallur anët antagoniste në mes kuadrove tona të shkencës. Me anën e kameras së fshehtë, ai ka mashtruar njerëzit që intervistoen, me anën e montazhit i ka mashtruar njerëzit që intervistohen, me anën e montazhit i ka kundërvënë me njeri tjetrin duke shkelur rëndë edhe etikën tonë morale duke spekulluar në emër të institucionit.

 

Organizata bazë theksojë detyrën e saj dhe të drejtorisë që të merren më seriozisht dhe më me konseguencë, në përmbajtjen e veprimtarisë së institucionit. Duke u kapur pas çështjeve esenciale për të cilat edhe përgjigjen. Të forcohet më tej vigjilenca revolucionare për të ruajtur vijën e partisë kudo e në çdo kohë.

 

Të forcohet kontrolli dhe kontrolli paraprak në të gjitha hallkat e krijimtarisë sonë.

 

Të forcohet puna ideologjike e organizatës bazë të partisë me kolektivin për të krijuar një mendim unik në çështjet e krijimtarisë. Një punë e organizuar dhe intensive të bëhet sidomos me personelin krijues, sidomos në edukimin ideopolitik ku ndihen boshëllëqe të theksuara.

Komunistët që marrin pjesë në diskutimin dhe aprovimin e skenarëve mbajnë përgjegjësi para organizatës veçanërisht për përmbajtjen ideoestetike të tyre.

 

Duke analizuar shkaqet që prunë në realizimin e një filmi të tillë rezultojnë veç të tjerave, se redaksija që në diskutimin e skenarit deri në përfundimin e plotë të filmit, ka punuar pa ndjenjën e përgjegjësisë politike. Ajo ka lejuar që të hyjë në prodhim një film që flet hapur dhe me tendeniozitet kundër realitetit tonë, ajo qëndroj indifferent deri në fund. Për këto arsye organizata sygjeron që redaktorëve që morën pjesë në diskutimin e skenarit t’u jepet nga një vrejtje. Duke marrë parasysh rolin e madh dhe më përgjegjësi që ka redaksija në krijimtarinë kinematografike, duhet të rishikohet përbërja e saj dhe të shkruhet nga funksioni përgjegjësit Peçi Dado për arsyet:

Edhe pse nuk u ndodh ditën e diskutimit të skenarit “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor”, mban përgjegjësi si shef redaksije për miopinë politike që tregojë gjithë redaksija në dhënien e mendimeve.

 

Ai ka paraqitur subjektin e këtij filmi, edhe pasi erdhi në krye të detyrës (kur u diskutua skenari ishte me shërbim) nuk lexoj skenarin një nga detyrat më elementare dhe më kryesore të shefit të redaksisë.

 

Nuk i kërkoj llogari redaktorit përgjegjës M. Skënderit mbi gjendjen e filmit gjatë proçesit të punës. Rezulton se M. Skënderi filmin e ka parë në fund, me 12 nëntor së bashku me gjithë kolektivin.

 

  1. Sh. Peçi Dado e ka parë filmin gjatë muajve shtator-tetor, disa herë në proçesin e punës dhe megjithëse thotë se regjizorit Mit’hat Fagu, i ka bërë vërejtje serioze, nuk i ka bërë shqetësimet e tija problem në redaksi, degë të prodhimit, kolektiv ose parti, ai thotë se ka biseduar me drejtorin. Mos ngritja në redaksi e shqetësimeve mbi filmin e sh. Peçi Dado, bëri që në mbledhjen e kolektivit redaktori përgjegjës M. Skënderi ta quajë filmin si një vepër në përgjithësi të mirë dhe redaktori Nexhat Tafa, t’i thuri atij dhe autorëve lavdi.

 

  1. Edhe pse thotë se ka pasur vërejtje serioze për filmin, mori përsipër të shkruante tekstin, nuk e përfundoi se shkoi me shërbim jashtë shtetit. Kështu nuk arsyetohet se ai të mos ketë lexuar skenarin kur do të shkruante tekstin e filmit.

 

  1. Si përgjegjës kryesor ai nuk rishikoi në redaksi planin tematik sipas porosive që dha Partia dhe shoku Enver në fillim të këtij viti, dhe as që e shtroi këtë problem në redaksi. Me ndjenjën e përgjegjësisë së thellë duke bërë një analizë parimore, duke vlerësuar dëmin që i bëhet vijës së Partisë dhe shtetit, organziata pasi diskutoi, një për një propozimet e byrosë së organziatës, vendosi këto masa:

 

Shokëve Vangjush Zallëmi, Teodor Siliqi, Pashko Çomo, t’i jepet vërejtje në kartën e regjistrimit.

Shokut Halil Kamberi, të vendoset masa në prezencë të tij (kur të kthehet nga shërbimi).

Për shokun Vangjush Gambeta, bashkëautor i skenarit të njoftohet organizata e “Zërit të Popullit”, çështja e tij.

Për punonjësit pa parti, vendosen që të merren këto masa,

 

Mit’hat Fagu, të largohet nga Kinostudio si i padenjë, dhe të dërgohet në prodhim jashtë Tiranës.

Peçi Dado të shkarkohet nga detyra si përgjegjës i redaksisë.

Muharrem Skënderi vërejtjet me paralajmërim

 

Lavdi Fortuzi vërejtje.

 

Redaktorët: Kiço Blushi, Kujtim Gjonaj, Vllasova Musta, Angjelina Xhara dhe ish/n/drejtori Piro Milkani vërejtje.

 

Mbledhja e kolektivit

Simbas vendimit të organizatës, më datën 17 dhjetor u mbajt mbledhja e kolektivit punonjës të sektorit të prodhimit. Ai i ngakrkuar nga byroja, shoku Endri Keko, shtroi konkluzionet e mbledhjes së organizatës lidhur me filmin “Në shtigjet e revolucionit teknik-shkencor”, si dhe masat përkatëse.

 

Kolektivi miratoi dhe u soliduarizua plotësisht me konkluzionet e organizatës. Shumë shokë morrën fjalën dhe me një frymë kritike dhe autokritike, kritikuan veprën e Mit’hat Fagut, përgjegjësinë e tyre dhe të shokëve të tyre. Mbledhja u bë një mësim i madh për të mprehur vigjëlëncën revolucionare, për të forcuar disiplinën proletare, për mobilizimin e të gjithë kolektivit në realizimin e detyrave të planit.

 

Në diskutimet u shfaqën mendime lidhur me masat eduklative që morri organizata si dhe ato që propozoi drejtoria për punonjësit pa parti.

 

Njëzëri kolektivi u solidarizua me masën për Mit’hat Fagun, të largohet nga Kinostudio dhe Tirana dhe të shkoj në prodhim për riedukim.

 

Për Peçi Dadon u votua me shumicë votash (7 shokët e shoqet nuk ishin dakort me propozimin e Drejtorisë). Të dy të interesuarit në diskutimin e tyre nuk reflektruan drejt përgjegjësinë e tyre.

 

Masat e tjera u aprovuan njëzëri me gjithë kolektivin.

 

Për Byronë e Organizatës së Partisë, Sektori i prodhimit

 

Sekretari

 

Pashko Çomo

 

Tiranë, më 18.XII.1973

 

Memorie.al (Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, i gazetarit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti)