Vuçiç: Do të mbyll konfliktin me shqiptarët dhe do të largohem nga...

Vuçiç: Do të mbyll konfliktin me shqiptarët dhe do të largohem nga politika

662
0

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, deklaroi se Beogradi synon të zgjidhë njëherë e përgjithmonë të gjithë problemet që ka me shqiptarët. Në një intervistë për televizionin serb, “RTS 1”, Vuçiç tha se “ne nuk mund t’i kënaqim shqiptarët që të njohim Kosovën, por nga ana tjetër shtoi se edhe ne nuk mund të kënaqemi nga një zgjidhje përfundimtare e çështjes së Kosovës. Ndoshta të dy palët do të mbesin të pakënaqura, por e rëndësishme është të kemi një zgjidhje që siguron paqe dhe braktis konfliktin”. Duke shpjeguar nismën e tij për një debat kombëtar mbi Kosovën, presidenti serb shtoi se zgjidhja duhet të vijë shpejt. “Nuk kemi kohë të presim vite. Unë dua që të gjejmë një zgjidhje pasi nëse kjo nuk vjen atëherë do të kemi një konflikt të ngrirë”, tha Vuçiç, i cili i cilësoi hipokritë ata politikanë serbë që kanë kritikuar Listën Serbe e cila ka hyrë në qeveri me Ramush Haradinajn. Vuçic deklaroi se Kosova nuk është e humbur, por se serbët duhet të shohin realitetin në sy, i cili është ai që nuk i pëlqen Beogradit dhe nuk është në favor të tyre. Gjatë intervistës, Vuçiç më shumë se te çdo temë tjetër është ndalur te Kosova, e nuk ka ngurruar të garantojë serbët se “Kosova është ende e Serbisë, përndryshe vet ai nuk do të luftonte kaq shumë”. “Kosova nuk është e humbur. Për këtë e garantoj popullin tim, përndryshe nuk do të luftoja aq shumë për të. Duam të gjejmë një kompromis për të jetuar në paqe. Një kompromis, që do të bënte ta harrojmë të kaluarën, për të jetuar të ardhmen”,  deklaroi Vuçiç i cili ka bërë të ditur se do të largohet nga posti sapo të ketë zgjidhur konfliktin shekullor me shqiptarët. Sipas presidentit serb, Kosova nuk do të mund të marrë asnjë vendim të rëndësishëm pa pasur miratimin e Serbisë.

 

“Ju tashmë e dini se, Kosova nuk mund të marrë vendime të mëdha pa miratimin e Serbisë. INTERPOL-i dhe UNESCO janë dy nga çështjet, nga të cilat Kosova e ka mësuar këtë realitet. Ne kemi 110 mijë banorë serbë në Kosovë”, tha Vuçiç.

 

Gjithsesi, Vuçiç thekson se është i shqetësuar për serbët në Kosovë, sepse – sipas tij, – ata janë të pasigurtë në territorin e tyre. “Megjithatë, – thotë presidenti serb, – ne jemi krenarë që në 4 vitet e fundit nuk janë vrarë serbët atje, pavarësisht se ka probleme të mëdha”.