Vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërron jetë ‘Mjeshtri i Madh’ i...

Vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërron jetë ‘Mjeshtri i Madh’ i muzikës popullore

589
0

Ndërron jetë në moshën 69 vjeçare këngëtari i njohur i muzikës popullore Qerim Sula. Bëhet me dije se Sula ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Sula mban titullin “Mjeshtër i Madh” dhe është një nga emrat e nderuar të Dibrës dhe të muzikës popullore.

 

Ai u lind në Zallë – Dardhë të Dibrës në 12 prill 1951. Edhe pse mbaroi shkollën mekanike, ai ishte dashuruar dhe i përkushtuar për muzikën të cilës iu dedikua që në moshë të re. Fillimisht u aktivizua me grupet amatore të Zallë –Dardhës më pas në vitin 1967 me ansamblin “Dibra”.

 

Një vit më pas, në 1968 në prezantimin e parë në Festivalin e Parë folklorik të Gjirokastrës me këngën e Hazis Ndreut, u vlerësua me çmim të parë për interpretimin e tij. Ka marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike deri në vitin 2000.

 

Ai ka qenë pjesëtar i Estradës Profesioniste të Peshkopisë si dhe i aktivizuar në mjaft trupa e ansamble të ndryshme në vend. Ka kënduar në shumë skena të vendit por edhe jashtë shtetit si në Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë, etj. Në vitin 1981 ishte në Kosovë me ansamblin “Kuksi i ri”.

 

Në repertorin e tij ka një numër të madh këngësh epike, i vlerësuar me mjaft çmime të ndryshme, në aktivitet kombëtare. Sula njihet si një nga këngëtarët më të suksesshëm të trevës së veriut.