Rindërtohet skena e krimit të rëndë që ndodhi paraditen e sotme në zonën e Kune-Vainit në Lezhë, ku u vra me armë zjarri në krye të detyrës një oficer i krimeve, baba i dy fëmijëve të mitur. Duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor “BalkanWeb” ka mundur të rindërtojë skenën e vrasjes së efektivit 44-vjeçar, i cili ishte duke patrulluar me një grup efektivësh kur u qëllua për vdekje.
Mësohet se me urdhër të drejtorit të qarkut një grup oficerësh krimesh shkuan për kontroll territori në ishull Lezhë pas dyshimeve se mund të kishte kultivim lëndësh narkotike. Grupi përbëhej nga oficerë krimesh mes të cilëve ishte dhe nënkomisari Saimir Hoxha. Brenda zonës së mbrojtur në Kune Vain u konstatua mjeti i 21-vjeçarit Aldi Rama. Policia i bëri shenjë të ndalonte dhe oficeri Saimir Hoxha shkoi për të kryer verifikimin e drejtuesit të mjetit, kur ky i fundit qëlloi ndaj oficerit të policisë në një distancë të afërt.