BLEONA METUSHI/ Rigjykimi i Izet Haxhisë për vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, pritet të bëhet nga Gjykata për Krime të Rënda.
Prokuroria e Tiranës, duke cituar ndryshimet procedurale dhe vendimin e Gjykatës së Lartë në lidhje me kompetencën për vepra të tilla penale, që përfshijnë vrasjen e një funksionari publik, i kërkoi Gjykatës që të shpallë moskompetencën për dosjen dhe kalimin e akteve në Gjykatën për Krime të Rënda.
“Kërkojmë shpalljen e inkompetencës për këtë dosje, pasi duke iu referuar ndryshimeve procedurale, Gjykata dhe Prokuroria për Krime të Rënda janë kompetente për hetimin dhe shqyrtimin e saj”, tha prokurori. Ndërkohë, avokatët Bashkim Nikolla dhe Idajet Beqiri e panë si një vendim, që mund të rëndonte pozitat e Haxhisë dhe kërkuan kohë që të shqyrtonin kërkesën e të dilnin me një mendim.
“Zoti kryetar, ne kërkojmë kohë që të mund të mund të njihemi me kërkesën e Prokurorisë dhe të shprehemi për të”, tha Beqiri. Por ndërsa dy avokatët patën një kundërshti për kalimin e dosjes, vetë Izet Haxhia i tha trupit gjykues që ai ishte dakord me këtë kërkesë.
“Unë jam dakord me këtë kërkesë, më duket e drejtë. Kjo ngjarje është e rëndë dhe ka nevojë për hetime të thelluara”, tha Izet Haxhia, i cili në fund shtoi se pavarësisht kësaj, do të konsultohej me avokatin e tij.
Gjykata e Apelit Tiranë vendosi më 19 mars të pranojë kërkesën e ish-truprojës së Sali Berishës që të dëgjohet dhe të japë versionin e tij për një nga ngjarjet më të diskutuara ndër vite. Ai është dënuar me 25 vite burg, si një nga autorët e vrasjes së Azem Hajdarit, por nuk e ka pranuar asnjëherë vrasjen dhe ka hedhur akuza ndaj politikës si përgjegjëse, për atë që shpesh është konsideruar si “Vrasja e shekullit”.
Për rreth 17 vite, Haxhia ka qenë jashtë Shqipërisë, ndërsa në vitin 2006 u arrestua në Turqi, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Dytë në Tiranë, por deri në maj të vitit që lamë pas, nuk u ekstradua asnjëherë. Dakord me kërkesën për rigjykim ishte edhe Prokuroria, që e konsideroi atë si një të drejtë të të dënuarit për t’u mbrojtur dhe dhënë versionin e tij, në kushtet e një gjykimi dhe dënimi të dhënë në mungesë. Ndërkohë, vetë Izet Haxhia u shpreh se kishte shumë gjëra për të thënë për vrasjen dhe kërkonte që të përballej me akuzuesit e tij.
PROVAT
Gjatë seancave të zhvilluara në muajin qershor të 2018- ës, nëpërmjet avokatit të tij Bashkim Nikolla, Izet Haxhia tha se ka një numër provash të reja që do t’i paraqesë në Gjykatë nëse rigjykohet. Në një nga seancat, Nikolla tha se në dosjen hetimore mungojnë disa prova që supozohet të ishin. Ai përmendi ditarin e ish-ministrit të Brendshëm, Perikli Teta, si një provë e marrë në atë kohë me vendim gjykate, por që nuk gjendet në dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit.
“Në dosje nuk është ditari i ish-ministrit të Brendshëm, Perikli Teta, i cili supozohet të ketë shkruar në lidhje me çështjen. Ditari është sekuestruar me vendim gjykate, pasi fillimisht nuk u pranua nga ish-ministri të dorëzohej, por tashmë nuk ka asnjë fletë të tij”, tha Bashkim Nikolla.
Ky i fundit përmendi edhe dëshminë e shumë deputetëve dhe figurave publike, që kanë dijeni dhe mund të japin të dhëna të vlefshme për zbardhjen e asaj që quhet “vrasja e shekullit”. Avokati Nikolla përmendi Spartak Poçin, Flamur Shehun, Jemin Gjanën, Jozefina Topallin, Shaban Meminë, Pjetër Arbnorin, Genc Pollon dhe Sali Berishën. Gjithashtu, lexoi edhe një pjesë nga raporti i përgatitur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Skënder Rexha, në lidhje me hetimet për zbardhjen e vrasjes së shekullit, ku ekspertimi i trupit të viktimës nuk është kryer.
Rrëzohet kërkesa për përjashtim të trupës gjykuese
Disa ditë më parë, avokatët e Izet Haxhisë, Idajet Beqiri dhe Bashkim Nikolla, kërkuan përjashtimin e trupit gjykues, pasi sipas tyre janë në kushtet e konfliktit të interesit. Por kjo kërkesë është rrëzuar nga një tjetër gjyqtar dhe procesi do vazhdojë me të njëjtën trupë gjykuese.
“Në Gjykatë ka ende gjyqtarë që kanë qenë në treshe gjykimi, të cilët kanë kërkuar heqje lirie me 25 vjet për Izet Haxhinë. Ka qenë gjyqtare Fatmira Hajdari, e cila i ka shok e miq. Kjo trupë gjyqësore është caktuar kur ka qenë kryetare Enkeledi Hajro, e cila rezulton se ka qenë avokate e shtetit kundër procesit Izet Haxhia në Strasburg. Gjyqtarët nuk mund të shprehen, sepse është e njëjta trupë që ka dhënë vendimin e parë që u rrëzua. Asnjë prej anëtarëve nuk ka kaluar vetingun”, pretenduan avokatët.