Vrasja e intelektualëve/ Nga Ermir Gjinishi

Vrasja e intelektualëve/ Nga Ermir Gjinishi

376
0

Eksodi shqiptar ngjason me shpërnguljen dhe dëbimin e popullatave në vende lufte. Për tre dekada 40% e shqiptarëve kanë ikur jashtë. Numri i azilkërkuesve shqiptarë ka kapur majat në 8 vitet e qeverisë së sektit të rilindjes. Janë mbi 3000 mjekë të larguar, ndërsa infermierë në tre vitet e fundit janë plot 3500. Sot janë rreth 1.112000 shqiptarë që kanë braktisur vatrat e tyre. Mes tyre, një pjesë mjaft e konsiderueshme, specialistë dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Braktisja e vendit nga intelektualët është më tepër dëbim sesa zgjedhje.

 

Pamundësia për të ofruar potencialet intelektuale në atdheun e tyre për shkak të standartit rilindas të militantizmit partiak, nepotizmit dhe mungesës së meritokracisë, është projekti më domëthënës i politikave të mbrapshta dhe dashakeqe të kësaj qeverije. “Dëbimi i trurit” është plani perfekt i sektit të dështakëve.

 

Pandemia hoqi koren e plagës së qelbëzuar. Mungesa në staf, korrupsioni i PPP-ve, tenderat sekret,  keqmenazhimi fatal i një kaste qeveritarësh të pa aftë, pasi e gremisi shëndetësinë në kolaps u mohoi  shërbimin e detyrueshëm mijëra familje të cilat u gjendën të braktisura nga shteti i tyre. Fallsifikimi shifrave të të infektuarve dhe atyre me pasoja fatale përbën krim shtetëror që duhet të hetohet.

 

Por më shumë se kaq, shpërfillja dhe ironia e rilindjes ndaj gjendjes së rëndë në vend, tregon sa antihumane dhe arrogante është kjo qeveri. Ngjarja në Elbasan tronditi të gjithë opinionin publik. Kur profesori i shkencave të natyrës, i sëmurë me Covid, në dhimbje dhe dëshpërim, u hodh nga kati 7 e pallatit, qytetarët përjetuan dhimbjen e dytë  nga epitetet denigruese  që i vunë sejmenët e regjimit. Ndihem i lënduar si qytetar dhe si koleg, kur shoh se njerëzit që kanë rritur breza të tërë shpërfillen e poshtërohen deri në dhimbje nga bashibozukët e pacipë të partisë-shtet.

 

Në një qytet ku dominojnë bandat e corapkuqit milioner të Librazhdit intelektualët s’kanë rrugë tjetër, ose të ikin ose të hidhen nga pallatet. Kjo është vrasja reale e intelektualëve. Apeli i Ambasadores Yuri Kim “Populli nuk mund të votojë kriminelë” dhe atij Britanik Norman “Vullneti i popullit nuk po respektohet” është fytyra e vërtetë e regjimit sundues. Sjellja e sektit qeverisës po rrezikon demokracinë tonë të brishtë.

 

Alarmi e institucioneve ndërkombëtare është i qartë. Terrori shtetëror i mpleksur me botën e errët të krimit po merr formën e terrorizmit shtetëror. Kjo qeveri oligarkësh ka rënë. Gomonet e krimit nuk mund ta shpëtojnë. Uragani i verdiktit të sovranit më 25 prill do ti japi pretencën qeverisë së kapur nga krimi. Rikthimi i shtetit të së drejtës, pavarësia e institucioneve, rruga pa kthim e integrimit euro-atllantik, është e vetmja alternativë që shqiptarët zgjodhën që kur rrëzuan tiraninë në 90-tën. Shqipëria është shtëpija jonë.