Një ditë pas atentatit në Shkozet, ku u plagos prokurori Arjan Ndoja bashkë me shoferin e tij Andi Maloku dhe mikun e tij me skedë kriminale, Landi Muharremi, dyshimet e policisë dhe grupit që ka marrë nën hetim çështjen, janë hedhur tek banda e Lul Berishës.
Hetimet për këtë atentat të rëndë po kryesohen nga Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, i cili dje mori në pyetje dhe objektivin e këtij atentati, prokurorin Ndoja. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ka qenë shënjestra e atentatit dhe se nuk ka parë atentatorët. Për këtë ngjarje deri më tani është shoqëruar 20 persona në Polici , mes tyre edhe Julian Meçe, anëtari i bandës së Lul Berishës, i cili është lënë i lirë, si edhe kunati i Lul Berishës, Plaurent Dervishaj.
Dervishaj dhe Meçe u morën në pyetje në Policinë e Durrësit, e më pas u liruan, pasi kishin një alibi se në kohën që ka ndodhur ngjarja, ata ishin në një lokal në Durrës. Pasi u bë kqyrja e kamerave të sigurisë, rezultoi se dyshja ishte në kafene, dhe u bë lirimi i tyre. Motivet që çuan policinë tek banda e Lul Berishës, janë tek atentati i 20-qershorit, pasi ka dyshime se porositësi i këtij atentati ka qenë shoqëruesi i prokurorit Ndoja, Landi Muharremi.
Ndërkohë që edhe dinamika e ngjarjes po zbulohet pak e nga pak. Autorët kanë qëlluar me 20 plumba në drejtim të makinës ku ndodhej prokurori, ndërsa 6 prej tyre kanë depërtuar brenda mjetit. Top Channel shkruan se shënjestra e atentatit është Landi Muharremin dhe se pista kryesore është kontrolli i Hipotekës së Durrësit.
Si ndodhi atentati:
Para atentatit Ndoja ka qenë duke drekuar me shoferin dhe ‘të fortin’ e Shijakut, Landi Muharremin, në një restorant në zonën e plazhit dhe më pas janë larguar nëpërmjet unazës së plazhit dhe kanë rënë në pritë në autorët pikërisht në momentin kur do dilnin në autostradë. Atentati ka qenë i porositur dhe autorët dyshohet se janë vrasës me pagesë, nga veriu i vendit ose nga Kosova. Autorët kanë qenë me një makinë dhe ndaj makinës së Prokurorit është qëlluar me një breshëri plumbash në momentin e parakalimit. Kanë qenë manovrat e shoferit Andi Maloku, që i kanë shpëtuar jetën Ndojës dhe Lahos, duke devijuar rrugën, dhe ka përfunduar në kanal.
Autorët kanë menduar gjithçka deri në detaje për mënyrën sesi do të kryenin atentatin duke mos lënë gjurmë pas. Pas breshërisë së plumbave, të pajisur me maska dhe armë, ata janë larguar nga rruga e Ishmit, duke iu shmangur kamerave të sigurisë. Ata kanë shmangur kalimin nga aksin Durrës, Vorë-Fushë-Krujë, duke e bërë më të vështira hetimet. E vetmja provë që ka në dorë policia dhe Prokuroria është makina tip Benz e braktisur me targa false, që çuditërisht u la e padjegur nga ana e autorëve, dhe brenda të cilës u gjendën dy armë të tipit kallashnikov, 1 bidonë me benzinë dhe dy maska.
Makina e gjetur në Ishëm pritet që ditën e sotme t’i nënshtrohet një ekspertimi për të zbuluar nëse në të ka shenja gishtat apo faktorë të tjerë që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Po kështu grupi hetimor ka marrë pamjet e një sërë kamerash sigurie të cilat po analizohen për të mundësuar shfaqjen e mjetit me të cilin autorët mund të kenë ndjekur veprimet e prokurorit Ndoja i cili bënte çdo ditë vajtje ardhje rrugën Tiranë-Durrës dhe anasjelltas.
’60 sekonda’/ Gazetari jep detaje për atentatin në Shkozet: Skuadra kishte 5 persona, skena e njëjtë me atë të Santiago Malkos, Ndoja u vëzhgua që në mëngjes, kush është dora që merr kontrata vdekjeje?!
Elton Qyno: Është përjashtuar hetimi i shoferit. Ka qenë polic në Krujë, ka nisur punë si shofer privat i prokurorit. Ka dhënë edhe dorëheqjen nga Policia duke u aktivizuar si shofer personal. Janë shoqëruar mbi 30 persona të botës së krimit në Sukth. Persona që herë pas here kanë patur fërkime me Landi Muharremin dhe me prokurorin Ndoja. Janë marrë në pyetje. Seanca e pyetjes ka naviguar se ku ndodheshin në momentin e ngjarjes, me kë, dhe informacione të tjera që i shërbejnë hetimit. Janë liruar pasi janë marrë në pyetje. Dua të them që janë persona që jo vetëm kanë patur konflikte personale, por edhe konflikte për pronat në Ishëm, Hamallaj dhe Gjirin e Lalzit. Landi Muharremi, i përfshirë në çështjen e pronave në Gjirin e Lalzit. I dyshuar për dhunimin e biznesmenit libanez Fadi Mitri. Ngjarja e 2016 është e rëndë, dhe po shihet dinamika. Dosja është bashkuar për të parë të gjithë dinamikën. Përveç pyetjes së 30 personave, janë marrë mbi 50 kaseta me pamje filmike të sekuestruara, që janë të instaluara në rrugët ku ka kaluar prokurori Ndoja, me shpresën për të zbardhur personat që kanë qëlluar. Atentati, i mirëorganizuar. Të dy janë vëzhguar që prej mëngjesit. Kemi një skuadër të mirëpaguar, të mirëorganizuar, me 5 persona, që kanë qenë në terren, e kanë ndjekur. 2 dyshohet se kanë qëlluar me automatik, 2 të tjerë i kanë pritur. Është skena e njëjtë e Santiago Malkos, tipike, e njëjta, njësoj tek Edison Harizaj, e njëjta edhe tek Plaurent Dervishaj. Dje ka qenë prokurori Ndoja objektivi. Të dy kanë qenë në vëzhgim, bashkë me Landi Muharremin. 60 sekonda iu deshën atentatorëve. Kanë qenë dy breshëri, që kanë qenë të shkurtra. Armët kanë mbi 60 fishekë. Janë qëlluar dy breshëri të shkurtra. Manovra që ka bërë shoferi s’i ka lejuar që të qëllojnë më shumë. Dora është e përgatitur që merr të tilla kontrata vdekjeje. Në nëntorin e vitit të shkuar u vra Edison Harizaj, më pas Plaurenti, më pas Bardhi. Kemi një skenar të njëjtë me të djeshmin. Të gjitha ngjarjet janë pa autor.
Anëtari i KLP-së vizitë të beftë në spital Arjan Ndojës, zbulohet arsyeja
Tartar Bazaj anëtarit i KLP-së ka vizituar ditën e sotme në spital Prokurorin Arjan Ndoja. Bazaj do të shqyrtojë nëse duket mbrojtje e përhershme fizike ndaj prokurorit. Ndoja tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe ka dalë nga reaminacioni.
Salianji bën akuzën e fortë: Landi Muharremi ndihmoi Ramën në fushatë, erdhi me armë në 2015 e na kërcënoi, por ne do t’i shtypim…
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka komentuar atentatin e djeshëm në Shkozet, ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij, Andi Maloku dhe miku i tij, Aleksandër Laho (Landi Muharremi).
Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji vë në dukje se ka denoncuar Landi Muharremin allias “Rrumi”, si një nga autorët e kërcënimit me armë të anëtarëve të degës së PD në Sukht. Salianji thotë se “Rrumi” ka ndihmuar kryeministrin Edi Rama në fushatë, por sqaron se PD do t’i shtypë bandat, sapo të vijë në pushtet.
Reagimi i plotë:
Autoriteti i shtetit ështē vënë përfund nga lidhjet e qeverisë Rama me krimin e organizuar. Nuk ka ngjarje kriminale që mos të ketë të përfshirë individe me rekorde të rënda kriminale dhe mafioze që janë përdorur në fushatë nga Rama. Më kujtohet se si ky “Rrumi” që sot trumbetohet me të madhe nga mediat pranë PS si person me rekorde të tmerrshme jo vetëm që nuk arrestohej por kontrollon zona influence në administrate publike. Parimi ështē i qartë: ndihmo Ramën në fushatë dhe kontrollo më pas administratën publike, asetet, burimet natyrore dhe trajtimin e popullsisë si skllevër. Sot konflikti ështē mes bandave që mbeshtesin Ramën dhe kur qeveria behet palë me njërën tjetra ka guxim dhe të kërkoje eleminim fizik! Në 2015 denoncuam me emër dhe mbiemër “Rrumi” allias Land/Pellumb Muharremi dhe Bert dhe Gezim Hoxha, te tre ne krye te nje strukture kërcenonin me armë mbeshtetës të Partisë Demokratike dhe shkuan deri aty sa kërcenuan me jetē çdo përfaqesues te PD ne komisione duke lene bosh shumicen e komisioneve në ish Bashkinë Sukth! Ne i denoncuam ne fushatë, policia i mori në mbrojtje dhe pavaresisht urdherit te arrestit te leshuar nga prokuroria ata vazhduan te qete fushaten kercenuese! Pas zgjedhjeve si shperblim Bert Hoxha u emerua administrator i Njesise Sukth si shperblim për vjedhjen e votave! Prandaj ështē imediate ndeshkimi i gangestereve me pushtet, se ska asnje rruge tjeter per te shkeputur lidhjet e politikes me krimin! Prandaj gangesteret marrin guximin të ngrenë doren ndaj punonjësve publikë! Ne nuk i harrojmë, me forcën e ligjit do ti shtypim bandat dhe mafian që po i pijnë gjakun Shqipërisë dhe po e bejnë të pabanueshme për qytetarët!
Ja denoncimi qe beri Salianji:
Kush ishte shënjestra e atentatit/ Të gjitha gjurmët të çojnë tek Gjiri i Lalzit, Landi Muharremi s’mund të flasë, e vetmja shpresë për policinë është…
Atentati i bujshëm pasditen e së premtes ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja mund të mos ketë pasur atë si objektiv . Bashkë me prokurorin e Durrësit u plagosën dhe dy të tjerë që po udhëtonin në të njëjtën makinë me tën, Andi Maloku dhe Aleksandër Laho.
Aleksandër Laho ka precedentë penalë dhe njihej si miku i prokurorit, por përdorte edhe emër tjetër Landi Muharremi. Në një prej pistave, prokurorët dyshojnë se objektivi mund të ketë i forti i Sukthit, Landi Muharremi dhe motivi lidhet me çështjen e pronave. Ai u ndalua dy vite më parë edhe si përfshirë në rrahjen barbare që iu bë biznesmenit libanez, Faad Mitri, në kryqëzimin e Rinasit, pikërisht për një konflikt prone në Gjirin e Lalëzit, një prej zonave kryesore të turizmit në vend.
Gjithsesi policia po punon edhe nje pistë të dytë për të zbuluar nëse objektivi ishte prokurori Ndoja i vënë në shenjëstër kohët e fundit në lidhje me çështjet e bujshme të hapura për pronësinë në zonat e bregdetit në qytetin e Durrësit. Gjithsesi të dyja pistat bashkohen me një motiv: pronat në Gjirin e Lalëzit.
Makina e prokurorit Ndoja pas atentatit të ndodhur në mbikalimin e Shkozetit.
Prokurori Arjan Ndoja, ka qenë i vetmi nga dëshmitarët që ka mundur të flasë për këtë ngjarje të rëndë, dhe ka mohuar të ketë qenë shenjëstra në këtë atentat. Mësohet se Ndoja ka drekuar me mikun e tij në një nga lokalet e zonës së bregdetit dhe më pas së bashku janë nisur drejt Tiranës në makinën private të prokurorit. “Nëse do të më adresoheshin mua, nuk kishin arsye të më vrisnin në autostradë. Mua mund të më vrisnin në derë të shtëpisë, në prokurori. Nuk ka arsyeje që të më sulmonin në autostradë”, mësohet se ka pohuar prokurori.
Ndoja pas operacionit të kryer ka dalë nga salla e Reaminacionit, pasi gjendja e tij është stabilizuar dhe ndodhet në spitalin e Durrësit. Nga breshëritë e plumbave ai ka marrë dy plumba. Më e rëndë është gjendja e shoferit të prokurorit Andi Malokut, ka plumba në të dy anët e mushkërive një plumb ku një prekur në shtyllën kurrizore, dhe ka humbur ndjeshmërinë e trupit. Ai ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë nën vëzhgimin e rreptë të mjekëve.
Ndërsa Pëllumb Muharremi (Aleksandër Laho), i njohur me pseudonimin Rrumi për shkak të plumbit ta marrë në nofull nuk mund të flasë dhe se i vetmi për ngjarjen e ndodhur te mbikalimi i Shkozetit ka folur prokurori Durrësit.
Landi Muharremi, personi që ka nofkën Rrumi. Dysohet se atentati kishte atë si objektiv, pasi edhe sulmi me armë është në pjesën prapa ku ishte ulur i forti i Sukthit.
Disa orë pas ngjarjes u gjet e braktisur makina e atentatorëve në zonën e Gjirit të Lalëzit, në fshatin Shkafonë. Brenda në automjetin e braktisur, tipit ‘Benz’ 2800 që kësaj radhe nuk ishte i djegur, u gjetën dy automatikë kallashnikovë dhe dy maska që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë krimit. Ekspertët hetimorë mësohet se kanë gjetur edhe shishe benzine, për t’u përdorur për të djegur mjetin, por nuk kanë mundur ta kryejnë këtë proces. Maskat e gjetura janë dërguar për ekspertizë, pasi janë gjetur me mbetje biologjike. Sipas të dhënave paraprake mjeti i përdorur për këtë aksident rezulton të jetë vjedhur në Tiranë. Kjo është shpresa më e madhe e prokurorëve të krimeve të rënda për gjetur autorët. Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat në zonën ku mendohet se kanë lëvizur me makinë atentatorët, për të gjetur ndonjë mundësi identifikimi.
Makina në momentin e atentatit. Shoferi ka manovruar për t’i shpëtuar plumbave dhe makina ka dal jashtë rruge në një arë. Gazeta Si, 2 nëntor 2019
Në atentatin e djeshëm ku u derdhën 20 plumba mbetën të plagosur Aleksandër Laho, 48 vjeç, Arjan Ndoja, 44 vjeç dhe Andi Maloku, 30 vjeç. Mësohet se në këtë manovrimi i shoferit ka shpëtuar jetën prokurorit dhe shokut të tij. Kjo pasi në momentin që makina ka qenë tek mbikalimi i Shkozetit, një makinë tip Benz që mendohet se kanë pasur 3 persona ka qëlluar në ecje e sipër drejt makinës ku ndodhej prokurori me breshëri. Policia ka shoqëruar disa persona, por deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar. Marrë nga Gazeta Si
Shoqërohet në Polici kunati i Lul Berishës, dyshime se Landi Muharremi porositi vrasjen e Plarent Dervishajt në qershor
Dosja.al ka mësuar se bashkë me Julian Meçen, në Policinë e Durrësit është shoqëruar edhe kunati i kreut të bandës së Durrësit, Lul Berishës, Plaurent Dervishaj.
Ka qenë një alibi se ata ndodheshin në një lokal, ajo që i ka shpëtuar ata nga “kthetrat” e Policisë. Policia ka bërë kqyrjen e kamerave dhe të dy, Dervishaj dhe Meçe, shfaqen në një lokal në momentin e atentatit në Shkozet. Po të njëjtat burime sqaruan se Dervishaj është marrë në pyetje për këtë ngjarje dhe më pas është lënë i lirë.
Dervishaj bashkë me Meçen, shpëtuan për fat të mirë në një atentat tejet të rëndë në muajin qershor. Ende nuk dihet, pse policia ka shoqëruar Dervishajn, dhe nëse ai ka patur një konflikt të mëparshëm me prokurorin Arjan Ndoja, por ajo që deri më tani është një pistë hetimi, është ajo e hakmarrjes. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ka dyshime se atentati ndaj Ndojës, ka patur si shënjestër Aleksandër Lahon, ose siç njihet ndryshe “Landi Muharremin”, pasi dyshja Dervishaj-Meçe ka patur informacione se atentati i muajit qershor është porositur nga i “tmerrshmi i Sukthit”.
Atentati i 20-qershorit, si u trondit Durrësi nga 45 plumba me breshëri
Më 20 qershor 2019, një atentat tronditi Durrësin ku të plagosur mbetën Plarent Dervishaj dhe Julian Mecaj, të cilët u qëlluan me breshëri kallashnikovi teksa udhëtonin me një Range Rover. Dy persona të armatosur me automatikë kallashnikovë dhe që në kokë mbanin kapele të bardhë dhe të zezë, kanë qëlluar me breshëri mbi 45 plumba, në drejtim të dy anëtarëve të bandës së Durrësit, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj.
Autorët që kanë qënë tre, dy qitësa dhe një shofer, i kanë zënë pritë makinës “Range Rover”, dhe pasi kanë dalë nga një automjet luksoz tip BMW seria 5, kanë qëlluar me breshëri automatiku.
12:24I bën pritë në autostradë me breshëri kallashnikovi/ Kjo është gjendja e prokurorit Arjan Ndojës në spitalin e Durrësit
Arjan Ndoja
Një ditë pas atentatit të rëndë, ku morri dy plumba në trup, prokurori i Durrësit Arjan Ndoja ka dalë nga salla e reaminacionit. Arjan Ndoj është transferuar në një prej dhomave të pavionit.
Ndoja, i cili mori 2 plumba nga atentati i djeshëm në mbikalimin e Shkozetit dhe për pasojë pati dëmtime të klavikulës, është takuar me familjarët e tij, të cilët kanë qenë në ankth për orë të tëra pas ngjarjes së rëndë. Gjendja e tij është përmirësuar.
PROFIL/ Zoti e shpëtoi në atentat, kush është Julian Meçe, miku i Lul Berishës që u ndalua për ‘Far West-in’ në Shkozet
Për atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoja një nga të shoqëruarit në Polici është Julian Meçe, i cili është lënë i lirë pasi është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Meçe dyshohet se mund të jetë një nga porositësit e ngjarjes, pasi autorët kanë qenë me pagesë, dhe dyshohet se janë nga veriu i vendit.
Kush është Julian Meçe?
Julian Meçe është numri 2 i bandës së Durrësit. Adriatik Coli një nga anëtaret e bandës, kur u arrestua tregoi ne polici rolin dhe ndikimin e tij.
Më 20 qershor të 2019 Julian Meçajt dhe Plarent Dervishajt iu bë një atentat në autostradën Tiranë-Durrës, ku si pasojë mbetën të plagosur të dy. Plarent Dervishaj, 47 vjeç, është kunati i Lul Berishës, ndërsa 36-vjeçari Meçaj është anëtari i bandës së tij, bandës së Durrësit. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-kënetës, pranë mbikalimit të Shkozetit, në Durrës, ku dy të plagosurit ishin duke hipur në makinën e Dervishajt. Meçaj mori tre plumba në trup, ndërsa Plarent Dervishaj morri një plumb në këmbë. Brenda makinës tip Rande Rover ishte edhe Bashkim Haxhija, mik i tyre, i vetmi i arrestuar për këtë ngjarje pasi akuzohet se qëlloi me armë në drejtim të autorëve.
Ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar nga policia e Durrësit, ata qëlluan në një distancë shumë të afërt, plot 43 plumba nga dy kallashnikovë, pro ata nuk mundën të çonin deri në fund porosinë e marrë për ekzekutimin e Plaurent Dervishaj. Të tre personazhet shumë të njohur në Durrës dhe me probleme me drejtësinë Shqiptare, kanë mundur t’i shpëtojnë paq një super atentati të mirë organizuar dhe përgatitur në çdo detaj.