Vjosa në UNESCO(?!)

Vjosa në UNESCO(?!)

456
0

I fundmi i lumenjve të mëdhenj, të egër dhe të paprekur në Evropë

 

 Ledi MEMISHA

Pedagoge e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë

 

 

Vitet e fundit është folur shumë në media, sidomos atë në rang botëror, mbi vlerat e ruajtjes së lumit të Vjosës dhe zonave përreth tij si i vetmi lumë i egër në Evropë.

 

Pak gjeografi mbi Vjosën

 

Lumi Vjosa buron në veriperëndim të Greqisë dhe derdhet në Shqipëri në detin Adriatik, në kufirin që ndan qytetin e Vlorës me Fierin.

 

Madje disa studiues mendojnë se lumi Vjosa në antikitet kalonte poshtë kodrës së Apolonisë, duke i dhënë qytetit rolin dhe rëndësinë që mori si një nga qendrat më të rëndësishme tregtare, ekonomike, kulturore në pellgun e Adriatikut. Me ndryshimin e rrjedhës së shtratit të lumit Vjosa, filloi të binte dhe rëndësia e qytetit.

 

Lumi ka një gjatësi prej rreth 272 km, prej të cilave 80 km shtrihen në territorin e Greqisë dhe rreth 192 km brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Sipërfaqja që laget nga lumi Vjosa është rreth 6.706 km2, në të cilat 2152 km2 ndodhen brenda kufijve të Greqisë dhe pjesa tjetër prej 4552 km2 shtrihet brenda kufijve të Shqipërisë. Duke kaluar kryesisht në zona fushore, Vjosa është një lumë i lundrueshëm edhe pse i egër.

 

Një pjesë e këtyre zonave që gjenden brenda territorit të Greqisë i përkasin Parkut Kombëtar Vikos- Aoos, i cili është parku i dytë më i madh në Greqi.

 

Gryka e Vikos-Aoos-it me një thellësi 900 m dhe gjerësi 1100 m shpesh është konsideruar si gryka më e thellë në botë, një tjetër vlerë e shtuar.

 

Territoret ku kalon lumi shfaqen me një peizazh të mahnitshëm natyror, por janë edhe zona me vlera të larta kulturore si Zagoria që veçohet për stilin e shtëpive prej guri, Konitza, e cila është një zonëe njohur turistike për eksploratorët e maleve Pindos apo për ata që duan të bëjnë raftin në Lumin Aoos-Vjosa apo për llixhat me sulfur në Kavasila.

 

 

 

Pse ka rëndësi ky lumë?

 

 

 

Lumi Vjosa ka një rëndësi jo vetëm për shtetet ku shtrihet, por shumë më gjerë, ka një rëndësi globale.

 

Ky lumë përfaqëson një nga sistemet e fundit të lumenjve të mëdhenj, të egër, të paprekur në Europë. Në Shqipëri, me një gjatësi rreth 192 km, pjesa më e rëndësishme e lumit Vjosa është rrjedha e mesme, në të cilën shtrati i lumit zgjerohet mbi 2km. Duke vazhduar më në brendësi të territorit shqiptar rriten edhe vlerat e jashtëzakonshme natyrore dhe turistike të Vjosës, ku përfshihen burimet e banjave termale të Bënjës (8 burime), Kanioni i Langaricës që ndodhet mbi lumin me të njëjtin emër, Urën Otomane të Kadiut, Kisha e Bënjës, shpellat e Petranit dhe shumë objekte të tjera me vlera tëjashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.

 

Lugina e Vjosës nuk është unike vetëm për vlerat e saj natyrore, por veçanërisht për trashëgiminë kulturore që ka, e cila përbëhet nga rrënoja dhe gjurmë vendbanimesh antike, bizantine dhe mesjetare, një numër të konsiderueshëm manastiresh.

 

Ai mbart të gjitha llojet e ekosistemeve: nga grykat e ngushta në pjesën e sipërme deri në deltën natyrore në afërsi të detit Adriatik.

 

Edhe pse është lumi më pak i studiuar dhe i eksploruar në Europë, ato pak studime që janë zhvilluar, kanë treguar se lugina ofron habitate ujore ideale për specie të ndryshme.

 

Vjosa rrjedh në mënyrë të natyrshme, e shoqëruar gjatë rrjedhës së saj nga kanione me peizazhe të mrekullueshme.

 

Përgjatë luginës së Vjosës janë shpallur 10 zona të mbrojtura dhe 130 monumente natyrore, kjo si rezultat i ekosistemeve delikate që mban, ku kanë gjetur strehim shumë lloje të rrezikuara dhe endemike.

 

Nga studimet e bëra nga shkencëtarët vetëm në zonën e hidrocentralit të Poçemit në pjesën e lumit Vjosa u gjetën mbi 300 lloje gjallesash, prej tyre 2 specie të veçanta të panjohura më parë, një lloj i familjes së peshqve dhe një insekt që mori emrin Isoperla vjosae. Nga gjetjet ishin edhe 101 lloje jovertebrore ujore, ku 41 prej tyre ishin gjetur për herë të parë në Shqipëri.

 

Nga shpendët e gjetur këtu janë baltaku i vogël (Charadrius dubius), (sterna albifrons), kalin e qyqes (neophron percnopterus), i cili është një specie e rrezikuar dhe endemike dhe skifterin kthetraverdhë (falco naumanni).

 

E pasur kjo zone është jo vetëm në faunë, por edhe në florë, me një bimësi të dendur por njëkohësisht endemike siç është Solenanthus albanicus, pema e lisit (qurecus), mellagjres (arbutus andrachne).

 

I gjithë ky mozaik i llojeve të ndryshme të habitateve formon një natyrë dinamike ekosistemi lumor qëështë unike në të gjithë Europën. Në këtë pellg janë gjetur komunitete kafshësh që janë zhdukur nga vendet e tjera europiane.

 

Bashkë me Grykën e Këlcyrës dhe shumë pika të tjera atraktive (tërheqëse) i japin këtij lumi dhe gjithë zonës ku ai shtrihet vlera të jashtëzakonshme, duke e bërë atë të denjë jo vetëm për t’u përfshirënë statusin “Park Kombëtar” si i pari park i një lumi tëegër në Europë, por edhe një Mbrojtje Ndërkombëtare.

 

 

 

Vjosa, jo vetëm Park Kombëtar, por…

 

 

 

Kryeministri Rama ka bërë publike në rrjetet e tij sociale se do të fillojë procedurat për anulimin e ndërtimit të Hec-eve dhe mbështet idenë për krijimin e një Parku Kombëtar në luginën e lumit Vjosa, çka u mbështet edhe nga opinioni publik shqiptar. Sipas një sondazhi të opinionit publik të zhvilluar në fillim të dhjetorit nga IDRA Poll-i (një kompani e specializuar për zhvillimin e sondazheve të opinionit publik në Shqipëri), 94% e shqiptarëve janë shprehur pro një Parku Kombëtar të lumit Vjosa në të gjithë gjatësinë e lumit. Arsyet kryesore për këtë mendim të përbashkët janë kryesisht “për të mbrojtur bukuritë natyrore të vendit dhe peizazhin” dhe për të pasur “mundësi më të mira për zhvillimin e turizmit” në rajon.

 

Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), autoriteti më i rëndësishëm global për mbrojtjen e natyrës, njeh rëndësinë ndërkombëtare të vlerave të jashtëzakonshme natyrore të lumit Vjosa. Një draft studim i porositur nga IUCN-i tregon potencialin që lumi Vjosa ka për t’u shpallur Park Kombëtar, duke përfshirë pjesën e tij të mesme, që është thelbësore në integritetin dhe mbrojtjen afatgjatë të këtij ekosistemi lumor ndërkufitar unik dhe të jashtëzakonshëm.

 

Nëse lumi i Vjosës do të shpallej Park Kombëtar, ai do të ishte parku i parë lumor kombëtar në Europë – mbase globalisht – që përfshin jo vetëm degëzime të shkurtra të një lumi, por të gjithë rrjedhën qendrore, nga malet në det, duke përfshirë edhe degët e saj.

 

Zona Kalivaç/Poçem është zemra e parkut të ardhshëm kombëtar. Në këtë zonë, në vetëm disa ditë studimi, shkencëtarët zbuluan 40 specie për herë të parë në Shqipëri, ndërsa dy prej tyre ishin krejtësisht të reja për shkencën.

 

 

 

…por edhe sit i Trashëgimisë Botërore

 

 

 

Janë hedhur mendime nga studiues të ndryshëm pas përpjekjeve të bëra që Vjosa të marrë rëndësinë që ajo mbart në të vërtetë, duke penguar kështu qëllimet përfituese të kompanive, të cilat kërkojnë ta shkatërrojnë atë, për njëzgjerim dypalësh të PKLE-së të Vjosës, duke kombinuar Aoos dhe Vjosën në një Park Kombëtar Ndërkufitar të Lumit të Egër. Duke marrë parasysh rolin që ky lumë po merr në vëmendjen e shumë shkencëtarëve dhe të opinionit mbarëbotëror, ideja më e mirë do tëishte përfshirja e Vjosës si sit në Trashëgiminë Botërore të Unesco-s.

 

Shpallja për momentin e pjesës qendrore të lumit Vjosa si Peizazh i Mbrojtur nuk sjell asnjë ndryshim në përmirësimin e çështjes.

 

Kjo për arsyen se kjo kategori, duke qenë e 5-ta,është më e dobëta në rangun e Zonave të Mbrojtura, çka do të thotë që lejohet ndërtimi i digave apo ndërtime të tjera, të cilat do të jenë shkatërruese për zonën.

 

Lumi i Vjosës është konsideruar nga shumë studiues dhe shoqata ndërkombëtare që punojnë në mbrojtje të natyrës si Lumi i fundit i Egër në Evropë. Duke pasur parasysh faktin që përfitimet e ndërtimit të Hec-eve do të jenë shumë të ulëta, krahasuar me koston dhe dëmet që do të sjellë ndërtimi i tyre për ekosistemet, duke ndërprerë procesin e tyre të evoluimit, madje edhe duke i zhdukur këto specie, apo humbjen e vlerave të peizazheve turistike që zona ofron, veprimi më i mirë do të ishte tashmë jo vetëm shpallja si Park Kombëtar, por sit i Trashëgimisë Botërore. Kjo përkon edhe me Kriterin X të vendosur nga Unesco-ja për përfshirjen e siteve në listen e Trashëgimisë Botërore, qw thotw:

 

“Siti duhet të përmbajë habitate natyrore më të rëndësishme dhe të konsiderueshme për ruajtjen e diversitetit biologjik, duke përfshirë ato që përmbajnë specie të rrezikuara me vlerë të jashtëzakonshme dhe universale nga pikëpamja e shkencës dhe ruajtjes”.

Shperndaje