Vjosa – ekosistem lumor me rëndësi europiane/ Nga Prof. A. Miho

Vjosa – ekosistem lumor me rëndësi europiane/ Nga Prof. A. Miho

1023
0

Nga Prof. A. Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

 

Vjosa është një nga lumenjtë më të shquar në Europë. Gjithnjë e më shumë shkencëtarë vendas dhe të huaj janë të interesuar në programet e kërkimit për të hulumtuar vlerat e këtij sistemi dhe për të mbledhur të dhëna të munguara deri tani për biodiversitetin, kapacitetin e transportit të sedimenteve, proceset e vetëpastrimit etj. 63 shkencëtarë nga Shqipëria, Austria dhe Gjermania kanë përgatitur një libër gjithëpërfshirës për Vjosën, i cili dëshmon rëndësinë e madhe të këtij sistemi lumor në një kontekst europian, por dhe ndikimin e rëndë prej hidrocentraleve të planifikuara. Në 6 dhjetor, ky publikim u paraqit në publik në Tiranë, në një takim të organizuar nga FShN, UT dhe MTM. Përveç të dhënave ekologjike, u paraqitën gjetje të ngarkesës së madhe të transportit të sedimenteve të lumit Vjosë; mbështetur në këto, Prof. Hauer nga Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës, Vjenë (BOKU), vlerësoi koston e madhe për të përpunuar sedimentet e shumta që mund të grumbullohen nga puna e një hidrocentrali në Kalivaç, si dhe kërcënimet që mund të shkaktohen në drejtim të rrjedhjes prej mungesës së sedimenteve nga prurjet e lumit. Kush dëshiron të njihet me përmbajtjen e plotë të këtij botimi, mund ta gjejë atë në faqen e FShN, UT (http://www.fshn.edu.al/home/publikime-shkencore).

Gjetjet dhe përfundimet tona më të fundit janë konfirmuar përgjithësisht nga Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës. Në takimin e tyre më 29 nëntor 2018, Komiteti vendosi të hapë një dosje mbi Vjosën, duke dhënë rekomandime të qarta për qeverinë shqiptare. Në dritën e të gjitha këtyre gjetjeve, konsorciumi ndërkombëtar “Shkencëtarët për Vjosën” i bën thirrje qeverisë shqiptare: 1) Të ndjekë rekomandimet e Konventës së Bernës; 2) Të nisë një program vlerësimi të detajuar, i cili do të mundësonte një vlerësim me kujdes të rreziqeve të digave të hidrocentraleve në zonën e Vjosës; 3) Të nisë një dialog të pandërprerë politikë-shkencë në formë të një komiteti të përhershëm me një mandat dhe strukturë vendimore të qartë. Përfshirja e shkencëtarëve, zyrtarëve dhe palëve të interesit për zgjidhjen e mosmarrveshjeve. Përvoja ndërkombëtare flet qartë për një qasje të tillë ndërdisiplinore. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar dhe mbështetur Qeverinë Shqiptare në këto detyra.

Ky shkrim synon të ndihmojë në nxitjen dhe ndërgjegjësimin në rrugën e vështirë të zhvillimit, dhe të nxisë diskutimin mes botës akademike, dhe vendimmarrjes në Shqipëri për një baraspeshë mes zhvillimit ekonomik dhe përdorimit të burimeve natyrore. Këtu unë dua t’i bëj jehonë bashkëpunimit në vite, dhe veçanërisht disa prej përfundimeve dhe rekomandimeve të publikimit për Vjosën, duke synuar gjithmonë që sëbashku të ndihmojmë që në Shqipëri të ecet në përputhje me ligjshmërinë mjedisore kombëtare dhe atë ndërkombëtare, si dhe të shmangen situatat me humbje, lidhur me planet për prodhimin e energjisë.

Shkurt mbi Lumin Vjosë dhe veçantia për Shqipërinë dhe Europën

Lumi Vjosë është një ekosistem ndërkufitar mes Greqisë dhe Shqipërisë, me një hapësirë ujëmbledhëse prej 6,700 km² (4,365 km2 në Shqipërinë Jugore); është i gjatë 272 km (190 km në Shqipëri); shkarkon rreth 195 m³/s në Detin Adriatik (që luhaten nga 33 m3/s deri në 237.6 m3/s), ku vetëm rreth 15% vjen vetëm nga brenda Shqipërisë. Por gjatë përmbytjeve, prurjet shkojnë deri 2,000-3,000 m3/s në pjesën e sipërme; dhe deri në 5,000-6,000 m3/s në pjesën e poshtme. Në pjesën shqiptare të pellgut të Vjosës banojnë rreth 150,000 banorë, të cilët merren përgjithësisht me bujqësi dhe blegtori, me agroindustri (prodhim pijesh, ujë të pijshëm, reçele, produkte mishi, bulmet etj.), me ndërtim, turizëm (historik, natyror, veror etj.), punime artistike, bimë aromatike-mjekësore, nxjerrje nafte dhe bitumi, dhe së fundi edhe me ndërtim HEC-esh.

Lumi Vjosë është i fundit në Europë (përjashto Rusinë) me rrjedhje të lirë, i pa ndërprerë nga diga për 272 km nga burimi në malet Pindos, Greqi, dhe deri në deltën e tij në Adriatik. Si i tillë, në Vjosë gjenden ende tipare të shumta hidromorfologjike dhe biologjike të një lumi natyror, të pandryshuara nga njeriu, që tashmë janë të rralla për kontinentin europian. Në të vërtetë, brenda pellgut gjenden habitate ujore të rralla që strehojnë gjallesa shtegtare, disa prej të cilave globalisht të kërcënuara. Për rrjedhojë, Vjosa konsiderohet nga shkencëtarët dhe ekspertë të tjerë të shquar në mbarë botën si shumë i rëndësishëm, si një lumë ‘i egër – wild’.

Pellgu strehon një sërë habitatesh të rralla dhe me vlera të veçanta sipas Direktivës së Habitateve 92/43, me rëndësi për ruajtjen e biodiversitetit, duke filluar nga grykëderdhja: Lagunat bregdetare (nr. 1150); Zona moçalore dhe ranore të pa mbuluara nga uji gjatë zbaticës (1140); Pellgje të përkohshëm mesdhetarë (3170); Duna të bardha (2120); brezi i ngushtë i dunave në Poro (Vlorë), 5-6 m të larta dhe 20-30 m të gjera, me Ammophila arenaria, Elymus farctus, Sporobolus pungens, etj., janë shpallur Monument Natyre (Gjeomonument); Buzat shkëmbore gëlqerore me bimësi ksamofite (8210), me shoqërime bimore, si dhe me lloje bimore endemike ose subendemike; Pyje ripariane me Platanus orientalis dhe Liquidambar orientalis (92C0); Pyjet alluvionale me Alnus glutinosa dhe Fraxinus excelsior (91E0*); Galeri ripariane të dendura (Nerio-Tamaricetea dhe Securinegion tinctoriae) (92D0) etj. Shumë nga këta habitate strehojnë lloje të rralla dhe të kërcënuara brenda pellgut të Vjosës; një pjesë e mirë e tyre njihen sot; të tjera janë ende në proces njohje, prej nesh dhe në bashkëpunim me komunitetin shkencor ndërkombëtar. Mbi 150 specie bëjnë pjesë në Shtojcat e Konventës së Bernës, 3 specie bimësh të larta, 9 insekte, 5 amfibë dhe reptilë, 107 shpendë dhe 17 gjitarë.

Për vlerat e veçanta të biodiversitetit, brenda pellgut të Vjosës gjenden disa zona të mbrojtura: Rezervati Strikt Natyror i Kardhiqit (Gjirokastër) – 1800 ha (Kategoria I, sipas IUCN); Parku Kombëtar Hotovë-Dangëlli (Përmet) – 34,361 ha; (II); Rezervati Natyror i Menaxhuar Gërmenj-Shelegur (430 ha; Ersekë; IV), Zonë me Ruajtje e Veçantë (ASCI), dhe zonë e mundshme Emerald; Rezervat Natyror i Menaxhuar/Park Natyror Pishë-Poro (1,500 ha; Fier; IV); rreth 110 Monumente Natyrore (III), p.sh.. Zhej, Viroi, Sotira, etj.; zona mes deltave Seman-Vjosë (Pishë Poro) – Biotop CORINE dhe e Propozuar si Rezervë Natyrore e Menaxhuar; Delta e Vjosës-Laguna e Nartës – Zonë e Rëndësishme Shpendësh (IBA), Peizazh i Mbrojtur (19,738 ha; IV), e shtrirë në veri-lindje të Parkut Detar Kombëtar Karaburun – Sazan (12,700 ha; II, shpallur si e para Zonë e Mbrojtur Detare në Shqipëri në vitin 2010).

Projekte ndërtimore HEC-esh në Pellgun e Vjosës

Disa nga kërcënimet me të cilat përballen në vite habitatet lumorë, përfshirë këtu dhe ZM-të brenda pellgut, janë pastrime për kullotë, tarracime dhe ndërtime, prerje, djegie dhe mbikullotje, shfrytëzime inertesh, shkarkime urbane, bujqësore dhe industriale, të cilat kanë nxitur dukshëm erozionin e shpatit, ndotjen e ujërave etj. Por në pellgun e Vjosës janë në ndërtim ose në plan për ndërtim rreth 40 HEC-e të mëdhenj dhe të vegjël. Këto ndërtime shoqërohen me diga të mëdha ose të vogla, tunele dhe kanale devijmi, etj., dhe me siguri kanë ndikime negative për habitatet dhe speciet brenda tyre. Ndikimin më të madh në Lumin e Vjosës do ta kenë digat e planifikuara në Poçem dhe Kalivaç. Ndërhyrje të tilla ndërpresin përgjithmonë rrjedhjen e lirë të lumit dhe copëzojnë habitatet. Këto kërcënojnë praninë e llojeve shtegtare në habitatet lumore (invertebrorë, peshq, shpendë, gjitarë, etj.). Përvoja tregon se këto ndërhyrje mund të kenë ndikime edhe në bimësinë ripariane përgjatë brigjeve lumore, me pasoja në gërryerje të shpatit (shpate të brishta, por dhe humbje biodiversiteti, etj.), deri dhe në bregdet.

Shkencëtarët nga Shqipëria, Austria dhe Gjermania, në Konferencën shkencore për Vjosën, qershor 2016, rekomanduan fuqimisht një moratorium 3-vjeçar mbi planet e ndërtimit në Vjosë dhe degët e saj. Kjo do të mundësonte hartimin dhe zbatimin e një programi gjithëpërfshirës për studimin e peizazhit lumor, si dhe do të ndihmonte për të gjetur mundësitë për financime nga BE për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm në rajon. Moratoriumi u nënshkrua fillimisht nga 60 shkencëtarë, pjesëmarrës në Konferencë, dhe më pas u mbështet nga mbi 220 shkencëtarë të njohur në mbarë botën. Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në Tiranë deri sot mbajnë një qëndrim shpërfillës për këtë!

HEC-et nuk janë gjithmonë energji e gjelbër

Në Ballkanin Perëndimor parashihen të ndërtohen rreth 2,700 HEC-e. Kjo ka rritur shqetësimin e gjithë organizmave mjedisore dhe opinionit shkencor në rajon dhe më gjerë, për të ruajtur Zemrën Blu të Europës, si i quajnë ata lumenjtë e Ballkanit (http://www.balkanrivers.net/). Nga të dhënat, duket se në Shqipëri bëhet fjalë për rreth 540 HEC-e, ku rreth 150 janë sot në prodhim, rreth 80 në ndërtim e sipër, dhe mbi 315 janë planifikuar për ndërtim, të koncesionuar nga mbi 190 subjekte ndërtuese. Rreth 80 HEC-e janë në lumenjtë brenda zonave të mbrojtura ose në marrdhënie ekologjike me to (Valbonë, Lurë, Shebenik-Jabllanicë, Hotovë-Dangëlli, e gjetkë) dhe në lumenjtë potencialisht me vlera natyrore ndërkombëtare, si është edhe rasti i  Lumit Vjosë. Në rast se gjithë këta HEC-e të vegjël dhe të mëdhenj do të ndërtohen, është e vërtetë që Shqipëria do të përftojë shumë më tepër energji se sot për zhvillimin e saj, që parashihet të shkojë deri në 2200 MW kapacitet prodhues (WBEC-REG-ENE-01, 2017), por jo pa pasoja në mjedis. Dendësia e tyre shkon në 19 HEC-e për 1000 km2 territor, shifër kjo tepër e lartë për një territor të vogël si Shqipëria, thuajse sa dyfishi i vendeve të rajonit.

Sot është provuar gjerësisht se HEC-et mund të kenë shumë shkatërrim dhe ndikime afatgjata me kosto në një pellg ujëmbledhës. Ndërtimet për HEC-e kanë ndikim në rrjedhën lumore dhe atë bregdetare, sidomos kur ata ndërtohen në shkallë të gjerë si në Shqipëri. Konkretisht këto shqetësime mund të jenë si mjedisore dhe shoqërore-ekonomike, duke folur gjithmonë për lumin Vjosë.

Shqetësimet mjedisore: Ndryshimet e rënda lidhen me integritetin (shkallën e virgjërisë), horizontal, gjatësor dhe vertikal të të gjithë sistemit lumor, duke çuar në ndryshime dramatike në biodiversitet dhe proceset funksionuese të lumit. Parametrat thelbësorë, si hidrodinamika, prurjet e sedimenteve, struktura dhe shpërndarja, ushqyesit, turbullia dhe pasuria ushqimore, regjimi i temperaturës, si dhe modelet e përgjithshme hidraulike ndryshojnë në rrjedhën e sipërme të ndërtimit, brenda seksionit të shfrytëzuar, dhe ndikojnë kryesisht edhe në rrjedhën e poshtme.

Nga këto veprimtari ndërtimore dhe funksionimi i tyre më pas shqetësohen ekosistemet e brishta përgjatë rrjedhës (përmes rrugëve të reja, digave, tuneleve, kanaleve, eksplozivëve, linjave të transmetimit etj.); nxitet erozioni i shpatit (shpatet bregdetare, të brishta, etj); shqetësime në biodiversitet, specie dhe habitate lumore dhe tokësore (të përmendur më sipër); ndodhin ndryshime në biokorridorët (veçanërisht për invertebrorët, peshqit dhe vertebrorët e tjerë); nga nxitja e erozionit ndodh ndotja e ujit me bakteret patogjene, me ushqyes (N, P), me metale të rënda, lëndë organike, të gjitha të shplara nga pellgu përreth; përvoja tregon deri dhe në ndikime në ndryshime të mikroklimës në ekosistemin lumor (evapotranspirim-lagështi, temperaturë të ajrit dhe ujit); etj.

Erozioni bregdetar, për shkak të reduktimit të transportit të sedimenteve nga lumi. Rreth 90% e ngarkesës së sedimenteve do të bllokohen, duke rritur erozionin bregdetar në deltat e Vjosës dhe Semanit dhe zonat e tyre të mbrojtura bregdetare. Më të rrezikuarat do të jenë dunat bregdetare në të dyja anët e deltës së Vjosës dhe në Lagunën e Nartës pranë. Shembuj për këtë janë erozioni bregdetar i theksuar në Deltën e Bunës, në Deltën e Drinit të Lezhës dhe dunat bregdetare përkatëse.

Shqetësimet socio-ekonomike: Ngarkesa e sedimenteve e transportuar nga Vjosa në Poçem është 4.7 milion m3/vit. Kjo ngarkesë e madhe sedimentesh nga prurjet do të ulë efikasitetin e prodhimit të energjisë përmes mbushjes së digave brenda një periudhe prej tridhjetë vjetësh, sipas Prof. Hauer. Kjo ul dukshëm raportin kosto-përfitim po qe se llogaritet edhe kostua e madhe për të përpunuar sedimentet e shumta që grumbullohen sipër digave nga puna e një hidrocentrali. Për më tepër, digat në Poçem dhe Kalivaç do të përmbytin tokën bujqësore, me pjellori të lartë. Kapaciteti vjetor i prodhimit të energjisë do të jetë 57 MW gjithsej, që do të thotë rreth 1 MW/70 ha; ky është shumë i ulët i krahasuar me përvojën ndërkombëtare. Për më tepër, Shqipëria renditet mes vendeve me shumë pak tokë bujqësore, vetëm 0.24 ha/banorë, nga të paktën 0.5 ha që nevojitet për të siguruar mbijetesën normale sipas FAO. Për rrjedhojë, kujdesi për tokën bujqësore duhet të jetë një sfidë e vazhdueshme për vendin.

Ndikime të pritshme mund të ketë edhe në burimet nëntokësore në sasi dhe cilësi; p.sh. në burimet Poçemit, që furnizojnë me ujë të pijshëm rreth 30,000-40,000 banorë, dhe burimet e Kafarajt, që furnizojnë me ujë të pijshëm qytetin e Fierit (me rreth 100,000 banorë). Prodhimi i metanit dhe përbërësve të tjerë organikë në zonat e përmbytura si rrjedhojë e proceseve anaerobe duke shkaktuar erë dhe ndikime të dëmshme për biotën ujore, përfshirë dhe vetë njeriun si përdorues i ujit (p.sh. si në Bovillë), eutrofikim dhe lulëzim algash (si në Fierzë në afërsi të Kukësit). Ndotjet e ujërave dhe lulëzimet e algave, ndotja e ujërave nëntokësore, janë me pasoja për përdorimin e ujit të pijshëm, përdorim për vaditje, pra dhe për vetë shëndetin e njeriut, por dhe për shëmtimin e peizazhit lumor dhe ulje të vlerave shlodhëse dhe turistike etj. Për më tepër, erozioni bregdetar mund të ketë pasoja negative edhe për infrastrukturën turistike bregdetare, pa folur më tej për katastrofa potenciale përmbytjesh nga digat, si ka ndodhur disa herë për Nënshkodrën.

Për këtë, nevojitet më shumë vetëdije për pasojat negative dhe kërcënimet e mëdha mjedisore! Lidhur me digat e planifikuara të HEC-eve në Poçem dhe Kalivaç në Lumin Vjosë, vendimmarrja, investitorët dhe palët e interesuara duhet të mos shpërfillin pasojat negative dhe kërcënimet kryesore mjedisore. Pasojat e thella dhe afatgjata mjedisore të ndërtimeve të digave në zonat lumore janë dokumentuar mirë në të gjithë botën dhe gjithashtu në Shqipëri. Në shumë vende të industrializuara kjo kërkon sot masa të kushtueshme restaurimi dhe kompensimi.

Ekspertiza mjedisore dhe çështjet operacionale dhe ligjore

Ekspertiza mjedisore në përgatitjen e projekteve shqiptare deri sot ka qenë tepër e nxituar dhe shumë sipërfaqësore, duke mohuar konceptet ekologjike, ndikimet sinergjike mes shumë HEC-eve në një kasakadë lumore, ndikimet në ruajtjen e biodiversitetit, ndikimet në zonat e mbrojtura etj. Në shumë raste ndërtimet janë lejuar pavarësisht nga mungesa e të dhënave të domosdoshme mjedisore. Ekspertiza mjedisore nuk është aspak e pavarur nga kompanitë konçesionare, duke qënë në konflikt të pastër interesi. Për më tepër, në vend ka ende dobësi strukturash për të kontrolluar zbatimin e projekteve, si dhe të lejeve mjedisore përkatëse, si gjatë ndërtimit dhe gjatë funksionimit.

Përvoja botërore sot tregon se për menaxhimin e ujërave në 20 vitet e fundit janë zhvilluar procedura të standardizuara pune që duhet të ndiqen. Për shembull, në vendet e BE-së, menaxhimi i lumit duhet të ndjekë Direktivën e Rrjetit të Ujërave, Direktivën Natura 2000, Direktivën e Shpendëve dhe Habitateve dhe Direktivën për Rrezikun e Përmbytjeve. Rregulloret përcaktojnë që projektet duhet të planifikohen brenda një monitorimi të vazhdueshëm në kuadrin e një Plani Menaxhues të Pellgjeve Lumore. Kjo kërkon një vlerësim si duhet dhe të vazhdueshëm mbështetur shkencërisht, si të socio-ekonomisë së zhvillimit të pellgut lumor, dhe të reagimeve ndaj ndërhyrjes së njeriut.

Edhe paketa ligjore mjedisore në Shqipëri është e shkruar po në të njëjtat parime dhe rregulla si direktivat e BE-së dhe gjithë konventat ndërkombëtare. Këtu ka rëndësi të përmendet strategjia e menaxhimit të integruar të ujërave, 2018–2027 (VKM 73/2018). Por në shumë raste edhe vetë legjislacioni shqiptar gjithashtu shkelet. Vlen të theksohet se nga një vëzhgim i fundit i kornizës ligjore nga ekspertë juristë të shoqërisë civile është vënë re se shumë prej shqetësimeve në mjedis vijnë edhe nga boshllëqe dhe konflikte në kuadrin ligjor në fuqi me të cilin rregullohen procedurat për koncesionet hidro-energjitike.

Ekonomia kundrejt ruajtjes së natyrës – lista e kuqe e HEC-eve

Mbështetur në Strategjinë Rajonale për Hidrocentrale të Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor (WBEC-REG-ENE-01, 2017), diskutuar së fundi edhe në Tiranë, shumica e HEC-eve të planifikuara për t’u ndërtuar në Shqipëri janë të vegjël. Nga rreth 545 HEC-e të planifikuara, 44 mund të konsiderohen të rëndësishëm nga ana energjitike (me kapacitet prodhues mbi 10 MW); nga këta të fundit, rreth 17 janë brenda ZM-ve (Valbonë, Curraj, Shalë, Qarrishtë), ose zonave potencialisht të mbrojtura (Kalivaç & Poçem në Vjosë). Ne mendojmë se një listë e tillë nuk mund të jetë një “listë e gjelbër” për qeverinë shqiptare, por një listë e “kuqe” ose listë “mos-ndërto!”. Kapaciteti i përgjithshëm i kësaj liste “të kuqe” është rreth 535 MW, ose rreth 24-25% të kapacitetit prodhues të përgjithshëm të planifikuar prej 2200 MW. Në rast se këta HEC-e nuk do të ndërtohen, kjo do ishte kostua për një zhvillim të qëndrueshëm në energjetikë. Shoqëria shqiptare sot duhet të mendojë për këtë, duke kërkuar burime të tjera të energjisë (d.m.th. atë diellore, të erës, gazit ose energjinë bio etj.); mbështetja vetëm në hidroenergji nuk është rruga më e mirë e zgjedhur për stabilitetin energjetik të Shqipërisë, duke harruar gjithë burimet e tjera alternative. Mbështetur edhe në të gjitha këto, këshillohet fort të ruhet të paktën një pjesë e vlerave natyrore, sidomos në zonat e mbrojtura, duke gërshetuar prodhimin e energjisë, ruajtjen e ekosistemit dhe shërbimet kryesore që ofron. Është përgjegjësi të ruhen dhe ripërtërihen pasuritë natyrore për sot dhe brezat e ardhshëm, p.sh. duke shpallur peizazhin lumor të Vjosës zonë të mbrojtur.

Nevojitet më shumë dije – më shumë kërkim shkencor

Më lart theksuam se vlerësimi i ndikimit në mjedis sot është larg vlerësimit profesional. Promovimi i projekteve duket se është rastësor dhe i kontrolluar nga një hierarki e interesave të palëve të interesuara. Për këtë, nevojitet një proces planifikimi dhe vendimmarrje ndërdisiplinore e përcaktuar qartë. Menaxhimi duhet të mbështetet në një njohje të mirëfilltë të faktorëve që qeverisin dinamikën e peizazhit lumor dhe shërbimeve ekologjike dhe biodiversitetit të sistemeve lumore. Kjo kërkon një qasje të vërtetë ndërdisiplinore dhe bashkëpunuese, për vlerësimin e ndikimeve të pritshme, që të shmangen pasojat e padëshiruara. Parakushtet për një qasje të tillë janë programe të përcaktuara qartë, shkencore ndërdisiplinore, ku të gërshetohet hidrologjia, proceset e transportit të sedimenteve, ekologjia dhe socio-ekonomia.

Përvoja sot mëson se nevojitet një platformë ndërfaqe (interface) shkencë-politikë, ku shkenca të dëgjohet nga politikëbërja, nga autoritetet qendrore dhe vendore, me një strukturë të qartë pjesëmarrje në vendimmarrje. Diskutimet me shkencëtarët, palët e interesuara dhe personat e interesuar duhet të shqyrtojnë skenarët për zhvillimin e qëndrueshëm të korridorit të Lumit Vjosë, duke pranuar lidhjet mes aspekteve ekologjike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Është e rëndësishme që shkencëtarët dhe profesionistët të dëgjohen dhe të mbështeten, jo vetëm në menaxhimin rajonal të ujërave, por në çdo sektor të zhvillimit ekonomik të vendit. Dija dhe demokracia udhëtojnë së bashku. Ka shumë rëndësi që ekspertët, bota akademike dhe shkencore të ruajnë vlerën e tyre njohëse, por dhe atë kritike. Për këtë, kërkohet që politika të bëjë përpjekje serioze për të mbështetur dhe fuqizuar përparimin e njohurive profesionale dhe shkencore dhe kapacitetet përkatëse në menaxhimin e ujërave dhe pasurive të tjera natyrore. Nga ana tjetër, komuniteti shkencor duhet të jetë i gatshëm ndaj politikëbërjes për të ndërtuar një qasje të integruar në menaxhimin rajonal të ujërave dhe gjithë pasurive të tjera natyrore në vend.