Vijon rikonstruksioni i shkollës “1 Qershori” në Kombinat, do të jetë me...

Vijon rikonstruksioni i shkollës “1 Qershori” në Kombinat, do të jetë me një turn

669
0

100-vjetori i shpalljes së Tiranës Kryeqytet do ta gjejë Kombinatin me një tjetër shkollë të rikonstruktuar, që i plotëson standardet për mësim normal dhe me një turn. Pas ndërtimit të shkollës “Betim Muço”, Bashkia e Tiranës vijon punën për rehabilitimin e shkollës “1 Qershori”, e cila po i nënshtrohet një ndërhyrjeje të thellë, për herë të parë që nga ndërtimi i saj në vitin 1961.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot në kantierin e punës së kësaj shkolle dhe shprehu besimin se me këtë ritëm ajo do të hapet në kohë për nxënësit. “Po punojmë me shpejtësi që shkolla “1 Qershori” të kapë 1 qershorin e 100 vjetorit të Tiranës, si një shkollë e re, si një shkollë e shtuar, jo vetëm në numër klasash, por edhe me ambiente të reja sportive për futboll, volejboll, basketboll dhe palestër”, tha Veliaj. Ai tha se aktualisht në kryeqytet janë hapur mbi 100 kantiere ndërtimi, ku 20 prej tyre janë shkolla.

Sipas Veliajt, fokusi i 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet do të jetë kryesisht tek fëmijët. “Refreni i 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet do të jetë i fokusuar tek fëmijët: Shkollat, shkollat, shkollat! Momentalisht kemi rreth 100 kantiere në Tiranë, nga të cilat 20 janë shkolla; do të thotë se prioriteti që u është dhënë fëmijëve në mandatin e parë do të vijojë edhe në këtë mandat. Nëse në 100 vitet e ardhshme të Tiranës do punojmë duke pasur parasysh fëmijët dhe jo sherret e të rriturve, do të lëmë realisht një pajë dhe do kemi hedhur piketat sesi do jetë Tirana në 100 vitet e ardhshme”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se investimi tek ky brez është garancia më e mirë se të nesërmen do të kemi europianë dinjitozë që menaxhojnë qytetin dhe shtetin tonë. “Nëse kemi fëmijë që mezi kalojnë rrugën, që shkojnë në shkollë pasdite, që s’kanë një vend ku të luajnë, sigurisht nesër dhe për 100 vitet e tjera do kemi ca të rritur që do e bëjnë Shqipërinë dhe Tiranën çorap. Por, nëse sot investojmë tek ky brez i ri, në 100 vitet e ardhshme do kemi europianë dinjitozë, që menaxhojnë qytetin dhe shtetin tonë”, shtoi ai.

Krahas shkollave, Kombinati po njeh një sërë investimesh të rëndësishme. Pas rrugës së re, ka filluar edhe vendosja e kangjellave, që jo vetëm do të përmirësojë anën estetike të saj, por do të rrisë edhe sigurinë e këmbësorëve. “Është një njësi e cila edhe sot po transformohet. Rruga e re e Kombinatit mbaroi, sot po vendosen kangjellat. Aksi kryesor nuk mund të jetë një vend për lavazhe dhe gomisteri, por për njerëzit. Rrugët, trotuaret janë për njerëzit, kurse makinat mund t’i rregullojmë edhe në periferi, ama jo në akset kryesore, ku fëmijët duhet të kalojnë përditë për të shkuar në shkollë. Ndaj, pas rrugës së re, vijojmë me shkollën “1 Qershori”, e cila për herë të parë në historinë e saj, që nga viti 1961 kur është ndërtuar, do të jetë një shkollë vetëm me një turn; pra, shfryhet turni i pasdites dhe pasdite nuk e lëmë terrenin bosh, por ia kthejmë komunitetit, që komuniteti ta përdorë si gjithë shkollat e Tiranës, për të çuar fëmijët nëpër kurse sportive”, u shpreh Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti vlerësoi premtimin e mbajtur nga kryebashkiaku, ndërsa nënvizoi se kjo shkollë u vjen në ndihmë të gjithë nxënësve të njësisë 5 dhe 6 në kryeqytet. “Shumë e lumtur që shoh tek mbahet ai premtim që kemi dhënë, që shkollës “1 Qershori” t’i rikthejmë dinjitetin e dikurshëm. Por, ndërkohë, edhe nxënësit apo fëmijët që jetojnë midis Njësisë 5 dhe 6, të kenë të njëjtat kushte si çdo fëmijë tjetër i bllokut apo kudo qoftë në Tiranë. 100 vite kanë kaluar tashmë për Tiranën, por do jetë një stoli shumë e bukur që në 100 vitet e ardhshme të kemi lënë shkolla të tilla, ku fëmijët jo vetëm të kenë infrastrukturën e duhur, por mbi të gjitha infrastrukturën arsimore, të bëhen qytetarë shumë herë më të mirë”, u shpreh Gjylameti.

Bashkë me punën për shtimin e klasave dhe të laboratorëve, shkolla e re do të ketë edhe kënde sportive dhe hapësira çlodhëse, të cilat pas mësimit do të mund të përdoren nga komuniteti i zonës.