Policia Federale në Brazil ka zhvilluar një super aksion antidrogë në kuadër të të cilit janë sekuestruar 617 kilogramë kokainë e paketuar dhe me logon e klubit të Elbasanit.
Forcat e Sigurisë Kufitare Speciale (Gefron) dhe Policia Federale pas një informacioni të marrë në rrugë jozyrtare kanë bllokuar një kamion ku dyshohej se po transportohej drogë, në zonën e Brasnorte në Brazil. Pas kontrollit, nën dyshemenë e kamionit janë gjetur dhjetëra pako kokainë të mbështjella me natribanë, ndërsa sipër tyre ishte e vendosur stema e “KF Elbasanit”, raporton newsbomb.al.
Katër persona janë arrestuar nga policia, ndërsa origjina e tyre nuk bëhet ende e ditur. Sipas autoriteteve atje, kokaina kapte vlerën e 9 milionë dollarëve nëse do të hidhej në tregun vendas, ndërsa është cilësuar si operacioni dhe sasia më e madhe e kokainës e kapur gjatë vitit.
Shoferi i kamionit ka treguar gjatë marrjes në pyetje se do të paguhej 10 mijë dollarë për ngarkesën. Kamioni ishte i ngarkuar me bagëti dhe nën dysheme ishte fshehur kokaina, ndërsa janë bllokuar dhe dy makina Fiat Uno që ruanin dhe shoqëronin kamionin gjatë rrugës. Katër të arrestuarit, tre burra dhe një grua do të dalin përpara drejtësisë me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të drogës, raporton newsbomb.al.
Operacioni antidrogë në bashkëpunim me Policinë Federale dhe Forcave të Sigurisë Kufitare Speciale është zhvilluar në datë 2 shtator të këtij viti.