Në të gjitha fazat e jetës sonë individuale, të grupit apo shoqërisë ne kalojmë në dy nivele të mirëqënies fizike, sociale ekonomike apo shpirtërore: së pari luftojmë për mbijetesën dhe më pas, kur e arrijmë atë, kërkojmë cilësinë e jetës. Këto dy shkallë nuk mund të kapërcehen për të arritur majën e piramidës së nevojave të Maslout, vetëaktualizimin. Me sa duket, edhe institucionet, ku punojnë e jetojnë frymorët, siç janë universitetet, lindin e zhvillohen, rriten e piqen, janë dhe zhduken duke ecur në këto gjurmë.
Për ta bërë më aktuale situatën, mjafton ti referohemi përpjekjeve që po bëhen në disa media për ta paraqitur Universitetin 60 vjeçar të Tiranës me të meta serioze në procesin e akreditimit nga një OJF angleze e paguar nga Ministria jonë e Arsimit dhe Sporteve dhe me diplomë të rrezikuar nga mosnjohja prej Këshillit shqiptar të Akreditimit.
Duket që është një moment delikat në ditët që përfundon faza e parë e regjistrimit të studentëve dhe fillon e dyta. Nëse i referohesh të dhënave të regjistrimeve të fazës së parë, Universiteti publik i Tiranës ka arritur nivelin më të lartë të kuotave të regjistrimit të studentëve të rinj, 3 deri 4 herë më shumë se të gjitha universitetet e tjera, madje në fazën e parë janë regjistruar me mesataren më të lartë të notave.
Pra, nëse i referohemi shpjegimit të mëparshëm, Universiteti i Tiranës, si në sasinë, ashtu edhe në cilësinë e të regjistruarëve është në nivelin e cilësisë, ndërkohë që universitetet e tjera, dhe kryesisht ato private, janë duke luftuar në nivelin e mbijetesës. Me sa duket ky është edhe motivi i informacioneve mediatike për problemet e UT-së me akreditimin.
Por kjo nuk mjafton për të qenë e vërtetë. Në fakt, organizata angleze studioi letrat dhe dokumentacionin e universiteteve dhe bëri sondazhe me pyetësorë me studentë dhe pedagogë të tyre. Dhe me të drejtë identifikoi disa të meta edhe tek Universiteti i Tiranës, si psh, vlerësimi i munguar apo i dobët i cilësisë së mësimdhënies (pra jo cilësia, por vlerësimi i saj), mungesa e disa dokumentave si Strategjia e Zhvillimit, apo një punë e dobët me kërkimin shkencor e të tjera. Dhe këto të meta janë pasojë e punës së dobët të drejtuesve të mëparshëm të Universitetit të Tiranës, që me sa duket më shumë kujdeseshin se si do të menaxhoheshin paratë e institucionit sesa mësimdhënia dhe kërkimi shkencor. Madje edhe sot situata në universitet nuk është premtuese: drejtuesit dhe ish drejtuesit vazhdojnë “të shqetësohen, përpiqen e luftojnë” se si dhe kush do të administrojë paratë e universitetit.
Në këtë atmosferë normalisht të pazgjidhshme, shtohen edhe hamëndje të tjera. Kështu, Këshilli i Akreditimit i jep vetëm një vit afat UT-së për të plotësuar dhe përmirësuar rekomandimet, që është një kohë shumë e shkurtër. Me sa duket, ministria përkatëse synon ta reformojë UT-në, pak a shumë si me Akademinë e Shkencave.
Në të vërtetë kjo situatë krize nuk lidhet me përmbajtjen dhe cilësinë e Universitetit të Tiranës dhe diplomave që ofron ai. Ajo është vetëm krizë e drejtuesve të tij, e cila duhet zgjidhur vetëm me ta. Vlerësimet formale të akreditimit nuk mund të japin realitetin e cilësisë së universiteteve, kur letrat, procesverbalet e mbledhjeve, raportet dhe dokumentat e tjera jo gjithmonë pasqyrojnë punën që përshkruhet në to. Ekipi i vlerësuesve të brendshëm të UT-së, qoftë nga serioziteti dhe përgjegjësia profesionale, qoftë nga siguria e tepruar tek cilësia e punës së institucionit, nuk sajuan, kopjuan dhe rishkruan letrat, nuk porositën dhe përgatitën pedagogët dhe studentët se si duhet të plotësonin pyetësorët. Prandaj, ato që prezantojnë organet e akreditimit janë të vërteta, por nuk janë tregues i cilësisë së dobët të punës në institucion.
Sepse, në radhë të parë, cilësia e punës përcaktohet nga niveli shumë i lartë i studentëve të ardhur në Universitetin e Tiranës. Nga interesi dhe motivimi i tyre për të studiuar.
Po ashtu, së dyti, cilësia e punës në universitet varet edhe nga profesionalizmi i pedagogëve, kualifikimi dhe ndërgjegja e tyre profesionale dhe morale, që nuk maten me letra.
Ndërkohë, së treti, UT ka një përvojë dhe traditë mësimdhënie e kërkimi shkencor dhjetra vjeçare, të cilat orientojnë vazhdimisht profesionalizmin e pedagogëve dhe motivimin e studentëve.
Dhe në këtë aspekt Universiteti i Tiranës është i padiskutueshëm në cilësinë e tij. Studentët dhe pedagogët e UT-së si edhe tradita e tij historike e bëjnë atë modelin e vlerave univesitare të vendit tonë.
Sidoqoftë, ky moment është një tregues dhe motiv reflektimi për drejtuesit e UT-së, rektoratit e dekanatet, por edhe një moment ndërgjegjësimi edhe për studentët e pedagogët e universitetit për rolin e tyre në ruajtjen dhe ringritjen e vlerave të tij.