Faxweb.al ka siguruar foton e Shkëlzen Velajt, i cili mbeti viktimë e një atentati në pragun e shtëpisë mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës. I riu kishte humbur një vëlla në masakrën e Çoles, dhe dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve mes grupeve rivale në qytetin bregdetar, dhe një hasmërie me fisin Llanaj.
Velaj ishte duke u kthyer në banesën e tij në lagjen Çole pak minuta para mesnatës, kur ka pikasur një makinë të dyshimtë që po e ndiqte.
Ai ka zbritur menjëherë nga makina e tij, të cilën e kishte lënë të ndezur, dhe ka tentuar që të shkojë në banesën e katit të pestë, ku jetonte me të ëmën, por është ndjekur nga autorët, dhe është qëlluar me breshëri plumbash kallashnikovi.
Ai i kishte thërritur nënës së tij që ti hapte derën, por ajo ishte vonuar dhe ishte tronditur më pas kur kishte dëgjuar të shtënat.
Mësohet se Velaj është qëlluar me 15 plumba në trup, dhe për shkak të gjakderdhjes ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës, ndërkohë që fqinjët u shprehën për Fax News se ai nuk kishte sjellë asnjëherë probleme në lagje, dhe mundohej gjithnjë që ti ndihmonte edhe për problemet e komunitetit. (lexo lajmin)
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, që dyshohet se është në vazhdën e një hakmarrje me fisin Llanaj në Vlorë, policia ka shoqëruar 4 persona, në cilësinë e njerëzve që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Shkëlzen Velaj është goditur me breshëri kallashnikovi në hyrje të pallatit ndërda është gjetur në shkallët e pallatit nga familjarët e më pas është transportuar në spitalin Rajonal ku dhe ka humbur jetën.
Ai është vēllai i Ardi Velaj një prej viktimave të ngjarjës së ndodhur në 7 prill të vitit 2015, kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë shtetasit Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.
Policia arrestoi atëherë si autorë të masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj. Gjatë seancave të gjata, u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj, ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë.
Ashtu siç pritej, ato vrasje ndezën një seri atentatesh për hakmarrje. Policia dyshon se një nga fiset e përfshira në ngjarje ka marrë hak ndaj Erven Hysenit, ish-pronar i një televizioni lokal në Vlorë. Ai u qëllua për vdekje më 24 maj të vitit 2017.
Plumbat e atentatit kanë vrarë edhe Roland Saliun, drejtuesi lokal i OSHEE-së. Pas 5 muajsh, hakmarrja do të vijonte në rrugën “Transballkanike”.
Më 1 tetor të vitit 2017 janë plagosur Ferdinand Llanaj, së bashku me Dritan Begaj, ndërsa u plagos edhe një i mitur. Policia, në këtë rast gjeti vetëm automjetin e djegur të autorëve.
Më 14 janar të vitit 2019 ndodhi plagosja e Mikel Mehmetaj. Ai njihej për lidhje me fisin Llanaj. Sërish policia gjeti vetëm një automjet të djegur. Atentati i fundit në Vlorë, sërish sipas burimeve nga policia, dyshohet se ka lidhje me serinë e vrasjeve.
Arjan Hasani dhe Orest Rexho u vranë, ndërsa miku i tyre, Armando Sulejmani, i njiohur me emrin “Çipuri” u plagos rëndë.
Ky i fundit u ndalua ndërsa ishte në kërkim nga policia, pasi dyshohet si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur në tetor të vitit 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur, dhe i afërmi i tij Dritan Begaj.Por “Çipurin”, që s’e gjeti dot policia, e gjetën kundërshtarët e tij.