Trump i kërkon homologut ukrainas të hetojë për djalin e Joe Biden

Trump i kërkon homologut ukrainas të hetojë për djalin e Joe Biden

376
0

 

 

Sipas një njoftimi të gazetës, Wall Street Journal, Presidenti Trump disa herë i ka kërkuar presidentit ukrainas të hetojë rreth djalit të ish-nënpresidentit Joe Biden, i cili kryeson garën mes kandidatëve demokratë për president.

Gazeta shkruan se Presidenti i kërkoi presidentit ukrainas tetë herë të punojë me avokatin e tij personal, Rudolph Giuliani, për të hetuar rreth djalit të zotit Biden.

Zoti Giuliani ka thënë se, kur ishte nënpresident, zoti Biden është përpjekur për shkarkimin e një prokurori ukrainas që po hetonte rreth marrëdhënieve të biznesit të djalit të tij Hunter Biden në Ukrainë. Zoti Biden dhe djali i tij e kanë mohuar akuzën.

Çështja u bë publike pas njoftimit të gazetës Washington Post, e cila tha se ankesa e ngritur nga një informator i fshehtë i shërbimeve të inteligjencës përfshinte Presidentin Donald Trump dhe Ukrainën.

Duke përmendur dy ish-zyrtarë amerikanë që kanë dijeni mbi çështjen, gazeta raporton se zoti Trump i ka bërë një “premtim” një udhëheqësi të huaj, që me sa duket është Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy.

Të dy presidentët kanë patur një bisedë telefonike dy javë e gjysmë përpara se informatori të paraqiste ankesën më 12 gusht tek Inspektori i Përgjithshëm i Komunitetit të Zbulimit Michael Atkinson.

Presidenti Trump do të takohet me zotin Zelenskiy gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Telefonata e 25 korrikut mes dy udhëheqësve është nën hetim nga tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve ku demokratët kanë shumicën. Ata duan të dinë nëse

Presidenti Trump dhe avokati i tij Giuliani, janë përpjekur t’i bëjnë trysni qeverisë së Ukrainës për të ndihmuar fushatën e zotit Trump për t’u rizgjedhur.

I pyetur të premten nëse e kishte përmendur zotin Biden në bisedën me Presidentin ukrainas, Presidenti Trump u përgjigj: “Nuk ka rëndësi se çfarë diskutova.” Ai e shfrytëzoi këtë rast për t’i bërë thirrje medias që të hetojë rreth së kaluarës së zotit Biden me Ukrainën.

Zakonisht çështjet shqetësuese dhe urgjente që konsiderohen të besueshme duhet t’i përcillen komisioneve përkatëse të Kongresit, por sipas një komunikimi të bërë publik të enjten, drejtori në detyrë i Zbulimit Kombëtar Joseph Maguire, e kishte ndaluar zotin Atkinson ta bënte këtë gjë.

Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve zhvilloi të enjten një seancë tre-orëshe me dyer të mbyllura me Inspektorin e Përgjithshëm për të diskutuar çështjen. Pas kësaj, kryetari i komisionit Adam Schiff u tha gazetarëve se drejtori i përkohshëm i Zbulimit Kombëtar po ndërhynte në proces.

Në një koment Twitter, Presidenti Trump e cilësoi njoftimin si lajm të rremë, duke hedhur poshtë pretendimet se ai i kishte premtuar diçka një udhëheqësi të huaj. /VOA