Dy persona kanë rënë në pranga, pasi akuzohen për transport të lëndëve narkotike. Burime zyrtare nga policia e Elbasanit bënë me dije se në kuadër të operacionit “Rrajca” ku u sekuestruan 55 kg drogë, pas hekurave përfunduan shtetasit me inicialet A. B., 47 vjeç, dhe I. B., 22 vjeç, të dy banues në fshatin Sutaj të Prrenjasit.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se dy shtetas po tentonin të trafikonin lëndë narkotike nëpërmjet kufirit jeshil për në Maqedoninë e Veriut, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë dhe Stacionin e Policisë Përrenjas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rrajca”.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë gjatë operacionit rreth orës 21:30, në fshatin Rrajcë, duke transportuar me një kafshë pune, rreth 55 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis-Sativa.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë organizuar trafikimin e lëndëve narkotike kryesisht të llojit Cannabis-Sativa, nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Shqipëria në drejtim të shtetit të Maqedonisë së Veriut.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vazhdon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet hetimore iu kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale, “Trafikimi i narkotikëve e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”.