Thyen 164 ulëse të stadiumit të ri, FSHF i identifikon përmes videove...

Thyen 164 ulëse të stadiumit të ri, FSHF i identifikon përmes videove dhe policia tashmë do të merren me ta

373
0

 

Gjatë ndeshjes së djeshme, Kukësi-Tirana, tifozët kanë dëmtuar stolat e “Air Albania Stadium”.

Ky fakt është bërë denoncuar nga FSHF-ja, përmes fotove dhe videos, duke dalë edhe me një dejklaratë për shtyp, ku shkruhet:

“Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpër sjelljet e papranueshme dhe vandale të disa grupeve të tifozëve në ambientet e Air Albania Stadium gjatë ndeshjes Kukësi-Tirana, sjellje këto që nuk kanë asnjë lidhje me synimin tonë për t’i kthyer ndeshjet e kampionateve tona në festa futbolli. Këto akte vandale përbëjnë shkelje ligji dhe ne kërkojmë që personat përgjegjës të përballen me ligjin.

Pas verikimeve të kryera nga administrata e Air Albania Stadium, rezulton se janë dëmtuar 164 ulëse, nga të cilat 145 prej tifozëve të Tiranës dhe 19 prej tifozëve të Kukësit. FSHF ka tashmë të dokumentuara me video dhe foto personat konkretë që thyejnë ulëset dhe i hedhin ato në fushë, duke dëmtuar sportdashësit e tjerë si dhe rrezikuar jetën e zyrtarëve të ndeshjes, si dhe të futbollistëve.

FSHF, nëpërmjet një kërkese zyrtare, i ka kërkuar policisë së Tiranës ndalimin dhe arrestimin e këtyre personave dhe tashmë ka nisur procedura nga ana e forcave të rendit. Federata e Futbollit, bazuar te ligji, do të publikojë në stadium fotot dhe videot e personave që ushtrojnë dhunë në mjediset sportive. FSHF iu bën thirrje klubeve dhe grupeve të tifozërive të marrin masa dhe të respektojnë rregullin e ligjin në cilëndo hapësirë sportive të vendit. Komisionet në FSHF do të veprojnë në bazë të rregulloreve të brendshme, duke marrë masa kundër këtyre shkelësve.

Kërkojmë nga Policia e Shtetit që t’i shoqërojë personat përgjegjës në bazë të ligjit në fuqi, në mënyrë që ata të dalin para drejtësisë. Kërkojmë mirëkuptimin e tifozërive dhe u bëjmë thirrje që së bashku t’i kthejmë stadiumet tona në mjedise familjare, ku mbizotëron festa sportive dhe jo dhuna me aktet vandale”.