Thellohet pabarazia më 2021, Tirana më të ardhura për frymë sa 134%...

Thellohet pabarazia më 2021, Tirana më të ardhura për frymë sa 134% e mesatares, në anën tjetër Kukësi me 59%

252
0

Pabarazia ekonomike vit pas viti po thellohet ndërmjet Tiranës dhe qarqeve të tjera, për shkak se ekonomia e kryeqytetit po rritet me ritme më të larta se ekonomia e qarkut më të varfër në vend Kukësit.

Për rrjedhojë ritmet e konvergjencës në vend që të ngushtohen po thellohen me tej, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT për PBB-në e Rajoneve më 2021 që u botua sot. Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel qarku, në vitin 2021, ishte në Tiranë, me 886 mijë Lekë dhe shënoi një rritje në terma nominale prej 13,83%, krahasuar me vitin 2020.PBB për frymë e këtij qarku ishte sa 134% mbi mesataren e vendit. Në krahun tjetër në qarkun më të varfër të vendit, Kukësi e kishte PBB-në për frymë 395 mijë Lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale me 8,74%, krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte sa 59 për qind e mesatares kombëtare.

Qarku Fier me 714 mijë Lekë PBB për frymë shënoi një rritje në terma nominale prej 14,29%, krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte 8,17% mbi mesataren e vendit dhe Qarku Gjirokastër me 683 mijë Lekë, i cili shënoi një rritje në terma nominale prej 10,68%, krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte 3,40% mbi mesataren e vendit.

Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku Lezhë me rreth 461 mijë Lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale 12,02% ndaj vitit 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte 30,19% nën mesataren e vendit dhe qarku Shkodër me 467 mije Lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale me 13,20% ndaj vitit 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte 29,25% nën mesataren e kombëtare.

 

Në vitin 2021 në Veri, PBB për frymë ishte 525 mijë Lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale me 13,42%, krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë e këtij rajoni është 20,49% nën mesataren e vendit. Në rajonin statistikor Qendër, PBB për frymë është 795 mijë Lekë dhe pati një rritje në terma nominale me 14,03%, krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 20,36% mbi mesataren e vendit. Në rajonin statistikor Jug, PBB për frymë është 599 mijë Lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale me 12,84%, krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë e këtij rajoni është 9,25% nën mesataren e vendit.