Fatëkeqësia natyrore goditi në një formë tjetër dhe këtë radhë zgjodhi disa fshatra të Korçës. Në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë, që korrenspondonte me 1 Qershorin e fëmijëve, zona juglindore e Shqipërisë është goditur nga një tërmet me magnitudë 5.3 i shkallës rihter, ku epiqendra e lëkundjeve ka qenë fshati Floq i bashkisë Korçë, i cili u pasua nga dhjetra të tjera më pas. Lëkundjet e pamenduara të tokës, transferuan në çadra ushtrie qindra banorë. Dhe rezultati ishte jashtë çdo parashikimi. Rreth 200 banesa u dëmtuan, disa u shembën tërësisht dhe 230 banorë u strehuan në çadrat kolektive të ngritura, në Floq, në Vidovë dhe në Qafë Zezë. Rreth 700 lekundje u regjistruan në total në tre ditë.
Kryeministri Edi Rama, u premtoi banorëve të Floqit se do t’ua rindertojë shtëpitë, me taksat e të gjithëve ne që paguajmë dhe ku taksapaguesit më të mëdhenj janë në zonat urbane. Nga të dhënat në terren, rezulton se asnjë nga shtëpitë e dëmtuara apo rrënuara, nuk ishin të siguruara tek kompanitë e sigurimeve. Dhe në këtë mënyrë, asnjëra prej familjeve nuk përfiton asnjë cent per të rindërtuar banesën. Ndërsa i kemi parë të “falen” tek qeveria, duke mos pasur asnjë shpresë tjetër, pyetja që ngre është: A do t’i rimarrin këta banorë shtëpitë e tyre, apo është thjeshtë një premtim i momentit? A do të kenë ata strehën që kishin, apo thjeshtë një rikonstruksion emergjent? Këtë nuk e dinë as vetë ata!
A është e drejtë të paguajmë të gjithë ne, për banorët të cilëve u digjen shtëpite, u shëmben nga tërmeti apo rrëshqitjet e dheut, u pëmbyten nga lumenjtë apo shirat e rrëmbyeshëm ?
Këto pyetje duhet të bëhen nga të gjithë ne, në mënyrë që të jemi të përgatitur në rastet e fatkeqësive natyrore dhe të mos i varim shpresat tek askush. Duhet të jemi minimalisht të ndërgjegjshëm për të siguruar pasurinë tonë, strehën tone të jetës.
Shifrat faktojnë me “keqardhje” se të vetmit që i sigurojnë banesat e tyre nga zjarri apo katastrofat natyore janë ata që kanë kulturë perëndimore apo që janë të “detyruar” nga bankat tregtare në rast të kredive hipotekore. Pjesa tjetër është tërësisht e pandërgjegjësuar, duke menduar se e keqja nuk do të ndalojë asnjëheherë në familjen e tyre.
Një projektligj i hartuar nga Banka Botërore “Për sigurimin nga katastrofat”, që ka si qëllim ta bëjë të detyrueshëm sigurimin e pasurisë së paluajtshme, është depozituar pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që në vitin 2015 dhe ende nuk i është hapur drita jeshile për miratim, për shkak se hezitohet nëse qytarët do t’i përgjigjen siç duhet apo do ta kundërshtojnë. Aktualisht Ligji nr .52, date 22.05.2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” u jep mundësine qytetarëve të sigurohem nga zjarri dhe forcat e natyrës në mënyrë vullnetare.
Në 4 muajt e parë të vitit shënohet një rënie e primeve të shkruara bruto sa i përket sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës, krahasimisht me të njëjten periudhë të një viti më parë, në rreth 177 milionë lekë. Në total, sigurimi nga ky segment ka arritur në 374 milionë lekë, duke zënë vetëm 7.6 për qind të të gjithë tregut të sigurimeve. Anisa.B