Tërmeti i 26 nëntorit ka lënë pas mjaft pasoja. Deri tani raportohet për 760 banesa të dëmtuara mes tyre dhe shumë pallate brenda qytetit.
Nga verifikimet që janë bërë deri më tani nga grupet e punës së Bashkisë, rezulton se 81 banesa janë të pabanueshme, mes të cilave edhe dy pallate, duke lënë të pastrehë qindra banorë. Situata më problematike paraqitet brenda qytetit të Lezhës, ku janë rreth 48 objekte të dëmtuara, mes tyre dhe godina të institucioneve shtetërore.
“Në Lezhë ka shumë dëmtime. Qeveria duhet ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme edhe këtu. Pallati ynë po bie dhe nuk mund të hyjmë brenda nga frika. Prej 3 netësh jemi duke qëndruar jashtë. Jemi në akth nga ajo çfarë kemi përjetuar dhe kemi shumë frikë. Nuk hymë brenda, më janë traumatizuar fëmijët, pasi lëkundjet kanë qenë shumë të forta”, thotë Minushe Bregu.
TE PASTREHET
Familjet e pastreha aktualisht po qëndrojnë në qendrat e ngritura nga Bashkia, si dhe tek të afërmit e tyre. Por frika dhe ankthi nga lëkundjet e forta sizmike të 26 nëntorit, kanë sjellë një gjendje të rënduar psikologjike tek ata qytetarë që kryesisht jetojnë në pallate. Shumë prej tyre vijojnë ta kalojnë natën jashtë, duke fjetur në makina e të tjerë janë larguar duke gjetur strehim tek të afërmit e tyre që jetojnë në fshatra.
“Nuk kam dëmtime në shtëpi, por kam frikë të futem brenda. Kemi përjetuar një situatë dramatike, pasi lëkundjet kanë qenë shumë të forta. Jemi të gjithë të traumatizuar dhe kemi frikë të hyjmë brenda, Ka 3 net që e kalojmë natën në makinë së bashku me familjen”, thotë një qytetar. Gjithashtu, Shëngjini ka hapur dyert për banorët e mbetur të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit. Rreth 600 shtretër të një resorti turistik janë vënë në dispozicion të banorëve të Bashkisë Lezhë, Kurbin dhe të Thumanës. Akomodimi ka nisur që prej mbrëmjes së të enjtes dhe po vijon edhe gjatë ditës së premte. Deri tani janë strehuar mbi 100 persona, ndërsa procesi po vijon. Sipas autoriteteve ka një hezitim të banorëve për t’u akomoduar në Shëngjin nga frika për të qëndruar në ndërtesa të larta. Ndërkohë, tërmeti ka lënë të pastrehë afro 800 banorë në qarkun e Lezhës, ndërsa zona më e prekur është Bashkia e Kurbinit, për të cilën qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme./PANORAMA/