Sot në mbrëmje do të luhet Superkupa e Europës e cila vë në përballje fituesin e Ligës së Kampionëve, Bajern Mynih dhe fituesin e Ligës së Europës, Seviljen. Ndeshja do të luhet në orën 21:00, në Budapest teksa stadium kombëtar hungarez do të mirëpresë edhe tifozë duke u mbushur në 30% të kapacitetit të tij.
Kështu, për herë të parë pas shfaqjes së koronavirusit, pritet që në stadium të jenë mbi 20000 spektatorë. Ndërkohë, të dyja ekipet i bashkon një fakt interesant duke qenë se këtë trofe ia kanë dalë ta fitojnë vetëm një herë, me Bajernin që e ka luajtur katër herë finalen, ndërsa Sevilja pesë herë.
Sakaq, dy herët e kaluara kur janë ndeshur ekipet gjermane me ato spanjolle, triumfuese kanë dalë skuadrat nga La Liga. Ndërkaq, Bajerni vjen në këtë finale me një rekord prej 22 fitoresh radhazi në të gjitha kompeticionet, ndërsa pas nuk ngel edhe Sevilja që gjithashtu kërkon të vazhdojë rekordin e saj prej 21 ndeshjesh si e pamposhtur.